Ekonomia shqiptare, si po bien të vegjlit dhe po fuqizohen të mëdhenjtë

Ekonomia shqiptare, si po bien të vegjlit dhe po fuqizohen të mëdhenjtë

07:31, 02/03/2019
A+ Aa A-

Ekonomia shqiptare po e ndryshon gradualisht strukturën e saj, teksa të vegjlit po bien dhe të mëdhenjtë po fuqizohen. Normat e fitimit po bien në një tregues të shtimit të konkurrencës, maturimit të shumë sektorëve dhe ngërçit të konsumit. Ekonomia gjeneron pjesën më të madhe të të ardhurave të saj nga tregtia dhe ka pak sinjale se ajo po orientohet drejt sektorëve me vlerë të shtuar. Rënia e të vegjëlve po rrezikon një segment që ka pasur rreth 30% të të punësuarve në ekonomi. Mungojnë ndërmarrjet e mëdha, ndërsa produktiviteti i ekonomisë është i ulët

Nga Ornela Liperi, Monitor

Mikrondërmarrjet kanë qenë zemra e ekonomisë shqiptare në epokën e pas viteve ‘90. Pa ndonjë strategji dhe duke shkatërruar pothuajse çdo trashëgimi nga e kaluara, hapja e bizneseve të vogla në tregti e shërbime ishte modeli ku u vetorientua ekonomia vendase. Një model që kishte pak lidhje me vlerën e shtuar, produktivitetin, prodhimin e produkteve për të cilin ne mund të kishim avantazh konkurrues etj., por që i shërbeu të paktën vetëpunësimit. Shqipëria, rezulton një ndër vendet me normën më të lartë të vetëpunësimit në botë, ku rreth 30% e të punësuarve e kanë siguruar vetë jetesën nëpërmjet mikrondërmarrjeve.

Në dekadën e fundit, struktura e ekonomisë po ndryshon. Hapja e qendrave të mëdha tregtare dhe e rrjeteve të supermarketeve po nxjerr jashtë loje bizneset e vogla. Kjo u bë më e dukshme në vitin 2017, ku të dhënat e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve të INSTAT tregojnë se ndërmarrjet mikro me 1 deri në 9 të punësuar, që përbëjnë 94% të totalit të bizneseve në vend, u reduktuan në numër, ulën shitjet, të punësuarit dhe vlerën e shtuar në krahasim me vitin e mëparshëm.

E kundërt ka qenë tendenca për Ndërmarrjet e Vogla (10-49 të punësuar), Ndërmarrjet e Mesme (50-249 të punësuar) dhe Ndërmarrjet e Mëdha (250+ të punësuar), të cilat kanë parë rritje të punonjësve, shitjeve dhe vlerës së shtuar. Në total, ekonomia në 2017-n gjeneroi shitje prej 2 trilionë lekësh, ose gati 16 miliardë euro, me një rritje prej 8.3% me bazë vjetore. Ndikimin kryesor në rritjen e shitjeve e dhanë ndërmarrjet e konsideruara të vogla, me 10-49 të punësuar, të cilat raportuan një zgjerim të shitjeve me 18%. Ndërmarrjet e mesme i zgjeruan shitjet me 17% dhe ato të mëdha me 11%. Ndërsa shitjet e mikrondërmarrjeve ranë me 13%.

    Por mikrondërmarrjet, që po e vuajnë më shumë presionin e konkurrencës që po u vjen nga të mëdhatë, mbeten punëdhënësi më i madh në vend, me rreth 40% të totalit, ndërsa gjenerojnë vetëm 20% të shitjeve. Rënia e tyre rrezikon të nxjerrë jashtë tregut të punës një kategori të vetëpunësuarish në moshë të mesme, që do ta kenë të vështirë të integrohen në tregun e riformatuar të punës.

    Të dhënat e INSTAT tregojnë ne numri i të vetëpunësuarve në vend në fund të 2017-s arriti në rreth 105 mijë persona, duke përbërë 21% të totalit të të punësuarve, niveli më i ulët i dekadës së fundit. Në vitin 2015, kur numri i të vetëpunëësuarve arriti në rekordin e 125 mijë personave, për shkak të presionit të aksionit të ashpër antiinformalitet, që detyroi shumë ambulantë të regjistroheshin. Por, në dy vitet në vijim, ata dolën sërish nga tregu, në një sinjal se informaliteti ka qenë avantazhi i vetëm i tyre konkurrues. Të vetëpunësuarit janë kryesisht në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve, aktivitete që kanë parë dhe rënien më të madhe të personave që e siguronin vetë jetesën./Monitor

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco