Ujësjellësi i Tiranës rriti çmimin, 63% e ujit ende humbet në rrjet

Ujësjellësi i Tiranës rriti çmimin, 63% e ujit ende humbet në rrjet

07:53, 25/01/2019
A+ Aa A-

Ujësjellësi i Tiranës ka rezultuar me një nivel humbjesh teknike të ujit në rrjet në masën 63 për qind gjatë vitit 2018. Kjo është shifra e dhënë nga një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit por që tregon situatën deri në gusht të vitit të shkuar. Në raportin e publikuar në fund të dhjetorit KLSH bën edhe një krahasim me vitin 2017 për të parë ecurinë e situatës e duke analizuar pjesën e arkëtimeve e detyrimeve të prapambetura.

“Nga auditimi mbi prodhimin dhe faturimin e ujit, u konstatua se për vitin 2017 janë prodhuar gjithsej 100 milion m3 ujë dhe nga këto vetëm 35 milion m3 ujë janë faturuar, çka ka rezultuar në humbje teknike në masën 65% e ujit të prodhuar, duke e tejkaluar nivelin e humbjeve të miratuar me 3%, nga niveli i miratuar në masën 62%. Ndërsa për periudhën Janar – Gusht 2018, janë prodhuar gjithsej 63 milion m3 ujë dhe nga këto vetëm 23 milion m3 ujë janë faturuar, çka ka rezultuar në humbje teknike në masën 63 % të ujit të prodhuar, brenda nivelit të humbjeve të miratuar në masën 63.3%” thuhet në raportin e KLSH lidhur me humbjet.

Ajo që konstatohet nga auditimi është fakti që UKT po arkëton më shumë detyrime të prapambetura sesa detyrime të periudhës. Kështu niveli mesatar i arkëtimit për faturat e periudhës është 61% të faturimit. Ndërsa për nivelin e arkëtimit në total për çdo muaj, konstatohet se niveli i arkëtimeve për vitin 2017 në masën 133% të faturimit, ndërsa për periudhën janar-gusht 2018 është në masën 124% të faturimit.

Debitorët që kanë një detyrim të akumuluar pranë Ujësjellësit në nivelin 34 milionë euro deri në fund të gushtit 2018. Sipas një analize të detajuar rezulton që 2 për qind të këtij borxhi e kanë vetëm 11 debitorë që janë kompani nën pronësi të Bashkisë së Tiranës, Qendra Spitalore Universitare dhe Banka e Shqipërisë.

“Nga auditimi i debitorëve konstatohet se deri më datë 31.12.2017, shoqëria ka në total 79,425 abonentë debitorë nga 237,245 abonentë në total (33% e totalit), të cilët i detyrohen shoqërisë UKT SHA vlerën 4,070,632,815 lekë. Kjo vlerë, e cila është relativisht shumë e lartë, për arsye se është e barabartë me 125% të të ardhurave nga shitjet e shoqërisë, pasqyruar në pasqyrat financiare. Ndërsa deri më datë 31.07.2018, shoqëria ka në total 82,333 abonentë debitorë nga 249,792 abonentë në total (33% e totalit), të cilët i detyrohen shoqërisë UKT SHA vlerën 4,251,993,560 lekë.

Nga verifikimi i listave të debitorëve të datës 31.07.2018, konstatohet se 11 debitorët (ato me vlerë detyrimi mbi 5 milion lekë) me vlerë më të lartë dhe që përbëjnë në total 2% të debisë, konstatohet se debitori më i madh është shoqëria “Rezidenca Studentore Nr. 1 Tiranë” SHA, shoqëri publike aksionet e të cilës zotërohen 100% nga Bashkia Tiranë (që është njëkohësisht aksionari i UKT SHA) dhe që detyrimi i saj vetëm për 3 godina është në vlerën 21,029,264 lekë. Gjithashtu në listën e debitorëve më të mëdhenj janë dhe 2 institucione të tjera si Qendra Universitare Spitalore “Nënë Tereza” në vlerën 18,237,403 lekë dhe Banka e Shqipërisë në vlerën 10,161,943 lekë. Lista e debitorëve më të mëdhenj vazhdon me subjekte private “A.H..” SHA me detyrim në vlerën 10,392,406 lekë, “A..” SHPK me detyrim në vlerën 6,733,684 lekë, “H.H.T” me detyrim në vlerën 5,996,915 lekë, “I.B” me detyrim në vlerën 5,928,777 lekë dhe “F.E.E” me detyrim në vlerën 5,043,989 lekë” përfundon raporti i KLSH.

Ujësjellësi i Tiranës rriti vitin e kaluar çmimin e ujit me 44%, nga 45 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe për bizneset nga 135 në 190 lekë/m3./Monitor

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco