Milionat që harxhojnë shqiptarët për t’u veshur, dyfishohet importi i rrobave të përdorura

Milionat që harxhojnë shqiptarët për t’u veshur, dyfishohet importi i rrobave të përdorura

08:22, 29/12/2018
A+ Aa A-

Biznesi i veshjeve shihet gjithnjë e më shumë me zgjerim në Shqipëri, që ndonëse një treg i vogël, janë të pranishëm emra ndërkombëtarë. Sa blenë shqiptarët? Nga ‘gabi’ deri te firmat më të shtrenjta ka klientelë për çdo segment. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2017 janë importuar në total 33.7 mln lekë veshje të reja. Dyqanet e vogla ankohen për tkurrje, ndërsa qendrat tregtare përfaqësohen çdo vit nga marka të reja. Blerjet online po ‘lëngojnë’ pas ditëve të tyre të arta, ndërsa dyqanet ‘gabi’, të formalizuara, po shtohen dita-ditës.

Mania e shqiptarëve për të shpenzuar për veshje nuk dëshmohet vetëm nëpërmjet statistikave. Numri i dyqaneve ende në këmbë, markat ekzistuese dhe planet për ardhjen e të tjerë emrave ndërkombëtarë, fuqizimi i disa grupeve që tregtojnë veshje për të cilat shqiptarët shpenzojnë shumë, janë veçse disa nga treguesit që dëshmojnë këtë zgjerim.

Sektori i blerjeve online është ridimensionuar në disa forma. Në treg ka tregtarë informalë, të cilët e kryejnë aktivitetin nëpërmjet rrjeteve sociale; dyqane të formalizuara online, të cilat raportojnë tkurrje në aktivitet. Nga ana tjetër, statistikat e transportit tregojnë për një rënie të ndjeshme të mallrave nëpërmjet postës vitin e shkuar. Dyqanet e vogla të tregtisë së veshjeve të përdorura kanë shënuar zgjerim dy vitet e fundit, ashtu sikurse edhe importi i veshjeve, duke dëshmuar edhe për një tendencë të vjetër të shqiptarëve për ‘gabin’. Mirë se erdhët në Shqipëri, vendi ku shpenzimet për veshje janë në nivele europiane.

Një individ shpenzon në muaj rreth 3100 lekë për artikuj veshjeje (ose këpucë). Edhe pse renditemi ndër vendet me të ardhura të ulëta për frymë, kur vjen puna te veshjet shpenzojmë po aq se europianët. Sipas të dhënave nga Anketa e Buxhetit të Familjes 2017, pesha e shpenzimeve për veshje dhe këpucë zinte 4.3% të totalit, nga 4.8% një vit më parë. Këto shpenzime janë shumë pranë nivelit mesatar në Europë. Sipas Eurostat, në vitin 2016, shpenzimet për veshje në Europë zinin 4.9% të të ardhurave.

Tregu i veshjeve, në zgjerim

Në Shqipëri, bizneset që tregtojnë veshje janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit. Por, të paktë janë ata që zënë pjesën më të madhe të tortës.
Të ardhurat e ITX Albania, në pronësi të kompanisë Zara Holding B.V, që përfaqësohet ,e markat Zara, Massimo Dutti, Bershka, Stradivarius etj., arritën në 3.07 miliardë lekë në 2017-n (rreth 23 milionë euro), me një rritje prej gati 20% në raport me vitin e kaluar, sipas të dhënave nga Tatimet. Që kur hyri në Shqipëri në vitin 2013, ITX Albania ka parë rritje dyshifrore të të ardhurave vit pas viti, e ndihmuar dhe nga preferenca e shqiptarëve për këtë markë të njohur, madje që përpara se ajo të hynte zyrtarisht në vendin tonë.

Një tjetër markë me rritje të shpejtë është LC WAIKIKI Retail AL, me origjinë nga Turqia, që ka hyrë në vitin 2010. Të ardhurat e saj ishin 3.06 miliardë lekë (rreth 23 milionë euro), në vitin 2017, me një zgjerim të fortë prej 43% në krahasim me një vit më parë. E përqendruar në segmentin e tregtimit të veshjeve me çmime të lira, LC WAIKIKI ka rezultuar e suksesshme në Shqipëri dhe është zgjeruar me shpejtësi vitet e fundit. Ndryshe nga Zara, që segmenton shtesën e mesme dhe të rinjtë, dyqanet e Waikiki tregtojnë veshje më të lira dhe për të gjitha moshat.
Rritja e ITX Albania dhe LC Waikiki, si dhe zgjerimi i biznesit të rrobave të përdorura, ka goditur dyqanet e vogla, të cilat tregtojnë veshje relativisht të lira.
Një tjetër grup, i cili përfaqësohet me një numër markash të preferuara për shqiptarët dhe që synon grupmosha të ndryshme, është Fashion Group Albania.

Importet, në 2017 arritën 34 mld lekë

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në total, vitin e shkuar në Shqipëri janë importuar veshje të gatshme me vlerë totale prej thuajse 34 mld lekë. Të dy zërat e importuar, nën emërtimet sipas nomenklaturës së Doganave, përkatësisht ‘artikuj veshjesh dhe plotësues veshjesh jo të thurura’, si dhe ‘artikuj veshjesh dhe rroba plotësuese të thurura’ përbëjnë në total 33.7 mld lekë.

Krahasuar me një vit më parë, totali i të cilave është 30.2 mld lekë, dëshmon një tendencë të lehtë në rritje të importeve të veshjeve, me thuajse 11%. Sipas tregtarëve të vjetër të dyqaneve me pakicë në kryeqytet, këtë vit ‘guxuan’ të merrnin më tepër furnizime, kryesisht nga Turqia, për shkak të rënies së lirës turke në verë. Ata deklarojnë se kjo rënie u reflektua me porosi më të shpeshta, duke qenë se leverdia e blerjes së mallrave ishte e lartë.

Treg i vogël, marka ndërkombëtare

Ndonëse Shqipëria është një treg i vogël, edhe në sektorin e veshjeve, prej vitesh ka përfaqësi të firmave botërore. Lidhur me këtë, me kalimin e viteve, qendrat tregtare, jo vetëm që konkurrojnë mes tyre për markat që sjellin në Shqipëri, por kanë rritur edhe formatet e dyqaneve, me standardin ndërkombëtar. Dyqanet me ecuri më të mirë në Shqipëri janë ata që targetojnë shtresën e mesme.

Sipas burimeve të ndryshme nga qendrat tregtare, kjo ka ndodhur për disa arsye. E para, sepse shtresa më e ulët me fuqi më të dobët blerëse se ajo e mesme, nuk zgjedh të blejë në qendra tregtare, por në dyqane më të vogla me shitje me pakicë.

Madje ata janë më të orientuar të shkojnë drejt dyqaneve informale që tërheqin konsumatorin me çmimin më të ulët. Arsyeja e dytë lidhet me faktin se shtresat më të pasura, me fuqi më të madhe blerëse se sa ajo e mesme, konsiderohen blerës potencialë jashtë Shqipërisë. Kjo shpjegon faktin pse markat luksoze nuk kanë sukses në tregun shqiptar. Sipas burimeve, në qendrën tregtare Ring Center, markat Lindex (dhe Lindex Kids), si dhe La Halle, të dyja europiane që synojnë shtresën e mesme, kanë më tepër shitje.

Ndërsa sipas burimeve pranë Balfin, janë në negociata për të sjellë zyrtarisht “H&M” në Shqipëri, një nga firmat që shqiptarët parapëlqejnë të blejnë, duke u bazuar edhe në dyqanet e vogla në kryeqytet që tregtojnë veshje të tilla, por jo zyrtarisht. Balfin pohon se New Yorker, Mango Men, Alccot dhe TAFF janë markat e tjera europiane që kanë hyrë në QTU, të cilat segmentojnë shtresën e mesme.

 

A është ‘gabi’ i preferuari i shqiptarëve?

Sipas të dhënave nga INSTAT, importet e veshjeve të përdorura arritën në 3.15 mld lekë në 2017-n në Doganë, duke u dyfishuar në krahasim me 5 vjet më parë. Ndërsa vlera e shtuar e këtij biznesi vlerësohet më e lartë, prej leverdisë së tregtarëve në rishitje. Që prej vitit 2013, importet e veshjeve të përdorura janë rritur me ritme dyshifrore. Kjo është e dukshme dhe në numrin e madh të dyqaneve që janë hapur në kryeqytet, që u shtuan dhe më shumë pas mbylljes së tregjeve masive. Thuajse të gjitha dyqanet e vogla të tregtimit të veshjeve të përdorura (kryesisht veshje, më pak këpucë) janë të formalizuara. Tirana, kryeqyteti i çudirave, ofron alternativa të shumta të varianteve moderne të “gabit”, të cilat i gjen në çdo lagje (madje edhe më shumë se dy dyqane në një lagje).

Rritja e kërkesës nga konsumatorët për veshje të përdorura ka shtuar numrin e operatorëve të vegjël në treg, duke sjellë edhe shtrenjtimin e çmimit me shumicë të tyre. Sigurisht, që edhe çmimet në pakicë kanë shënuar rritje krahasuar me vite më parë. Sipas një vëzhgimi në një lagje të Tiranës, duke nisur nga kryqëzimi i rrugës ‘Sulejman Delvina’ me atë të Komunës së Parisit, dyqanet e tregtimit të veshjeve të përdorura, vetëm në rrugën kryesore, numërohen 10.

Janë kryesisht ngjitur me njëri-tjetrin, artikujt kryesorë që tregtojnë janë veshje trupi, më pak për këmbët. Mallrat që qarkullojnë dhe që shiten më tepër, sipas tyre, janë ato për fëmijë, duke qenë se përmasat e trupit ndryshojnë çdo muaj. Tregtarët e veshjeve të përdorura kanë zbuluar prej vitesh tashmë një ‘hile’. Ndonëse një pjesë e mirë e tyre furnizohen me artikuj me peshë, që do të thotë që përmbajtja është thuajse surprizë për tregtarin, ata tashmë i njohin mirë firmat. “Kërkesat për një xhup Mango, Zara, apo një xhaketë Benetton janë më të larta, ndaj ne i ndajmë veç dhe i reklamojmë në hyrje të dyqanit”- pohon një tregtare e veshjeve me pakicë prej dhjetë vjetësh në rrugën Komuna e Parisit, çmimet në artikujt e së cilës ishin ‘të kripura’.

Sipas tregtarëve, pavarësisht dyqaneve të shumta, dhe mbylljes së disa tregjeve të përbashkëta, dyqanet e vogla kanë rezultuar fitimprurëse, sidomos pranë lagjeve me përqendrim të lartë popullsie, si Komuna e Parisit. Destinacioni kryesor nga vijnë veshjet e përdorura është Italia. Më pas renditet Kina, me 15%, e ndjekur nga Turqia me 14% dhe më pak nga Gjermania, Greqia, Anglia, Franca, Serbia. Veshje të përdorura vijnë madje dhe nga India e Pakistani. Sipas tregtarëve, këpucët importohen kryesisht nga Gjermania, ndërsa veshjet me mbi 50% nga Italia.

 

Më të shtrenjtët për veshje

Dëshironi të blini një veshje të re? Mendohuni disa herë përpara se ta blini në Shqipëri. Sipas statistikave të përditësuara të Numbeos, për 2018, për të njëjtin artikull: një fustan veror i një zinxhiri dyqanesh si Zara, H&M etj., në Shqipëri kushton rreth 30% më shtrenjtë se sa në shtetin fqinj të Kosovës. Përkatësisht, në vendin tonë një fustan me të tillë kritere kushton mesatarisht 30.02 euro, ndërsa në Kosovë, që është më e lira e Ballkanit, kushton 21.39 euro. Për një kampion studimi më të gjerë, Turqia rezulton më e lira, me mesatarisht 19.59 euro/fustani. Veshja e marrë në shqyrtim është relativisht pjesë e zinxhirëve të konsideruar të lirë në Europë dhe botë. Më pak e lirë se sa Shqipëria, rezultojnë të gjithë shtetet e Ballkanit. E dyta, Greqia, pjesë edhe e BE-së, ku një fustan i këtyre zinxhirëve të dyqaneve kushton mesatarisht 29.96 euro, ndjekur nga Rumania me 29.04 euro, Bosnjë dhe Hercegovina 28.98 euro, Maqedonia 27.46 euro dhe Serbia 26.35 euro.

 

Tendencë

Rënia e lirës turke në verën e këtij viti nxiti furnizime më të shpeshta të tregtarëve të vegjël të kryeqytetit. Destinacioni i tyre kryesor mbetet Turqia, por edhe Greqia ka pasur zgjerim. Në shtetin fqinj, tregtarët furnizohen me çmime po aq ekonomike dhe kursejnë hotelin, duke udhëtuar natën me autobus nga Tirana.

 

Blerjet online

Në gusht të vitit 2016, hyri në fuqi një vendim me të cilin blerjet online mbi 22 euro paguajnë TVSH dhe taksë doganore. Nëse kalohet kufiri i taksueshëm, atëherë blerësi paguan gjithsej si taksa 22.4% të vlerës së mallit (20% TVSH, 2.4% taksë doganore).

Sipas të dhënave të ofruara për blerjet online, vihet re një tkurrje e aktivitetit të tyre pas periudhës së vendosur të taksimit. Sipas INSTAT, vitin e shkuar transporti i mallrave me postë ra lehtë krahasuar me 2015, para se të niste taksimi. Pesha e mallrave të transportuara përmes postës në 2015 ishte 463 tonë, ndërsa vitin e shkuar 455 tonë mallra.

Një rënie e blerjeve online ishte parashikuar të ndodhte që në momentin e vendosjes së taksimit 22.4% për blerjet që kalojnë 22 euro. Në këtë taksë shtesë përfshihet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, si dhe detyrime të tjera doganore. Më parë, dërgesat online deri në 145 euro nuk kishin nevojë për zhdoganim dhe posta e sillte mallin direkt në shtëpi.

Nisma e qeverisë erdhi në kushtet kur blerjet online kishin kohë që marshonin drejt rekordeve të reja muaj pas muaji, çka solli edhe një rritje të të ardhurave te Posta Shqiptare. Ky veprim, sipas Financave, u bë për të shmangur konkurrencën e pandershme të subjekteve tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend, duke paguar të gjitha taksat dhe tatimet në import.

Me kinezët bëhet pazar

Ulja e kufirit për blerjet online ka shkaktuar pakënaqësi e reagime të shumta te konsumatorët, të cilët gjithnjë e më shumë i ishin drejtuar kësaj alternative, si një zgjidhje për të blerë mallra cilësore me çmime të pranueshme. Kufizimit për blerjet online duket se ju nënshtrua vetëm pjesa e atyre që kanë si vend origjine një nga shtetet evropiane, ndërkohë që në lulëzim ka mbetur ajo e blerjeve nga Kina, duke qenë se kanë çmime më të favorshme. Sipas një pjese të konsumatorëve të rregullt të blerjeve online, janë disfavorizuar më tepër blerjet nga Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, kryesisht për marka më të njohura dhe të shtrenjta, produktet e të cilave e kalojnë pragun e 22 eurove. (Një fustan në Asos në Britani kushton mesatarisht 20 paund).

Blerjet nga Aliexpress kanë qenë një nga mënyrat më të përdorura, edhe pas hyrjes në fuqi të taksimit, ndërkohë që në shumicën e rasteve, nuk bëhet dot verifikim për çmimin, sepse shitësit e shënojnë atë si “dhuratë”, çka nuk taksohet ose nuk bihet dakord paraprakisht me blerësin për të vendosur çmime fiktive mbi paketim. Një formë e përdorur shpesh është shënimi prej 3 dollarësh i çmimit të produktit, pavarësisht vlerës reale.

Informaliteti në shitjet online

Janë të shumta faqet në rrjetet sociale, të cilat pa nevojën e një website, reklamojnë dhe shesin veshje, shpërndarjen e të cilave e kryejnë vetë individët. Në këtë mënyrë, informaliteti i tyre konstatohet me vështirësi kur nuk përdorin një burim formal shpërndarje si postat. Vetëm në Instagram numërohen me qindra profile të tilla, të cilat kryejnë aktivitet të mirëfilltë tregtar.

Lidhur me këtë, Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes ka sjellë një risi të shqyrtuar në dokumentin e fundit të ankesave të bizneseve. Si nismë e vetë këtij institucioni, deleguar Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, mësohet se ka qenë adresimi i problematikës së informalitetit dhe pamundësinë e taksimit për persona të cilët nuk regjistrohen në QKB dhe që kryejnë shërbime të shitjes online përmes rrjeteve sociale.

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, në përmbushje të misionit të ndërmarrë për përmirësimin e klimës së biznesit në vend, përmes kësaj nisme deklaron se do t’i vijë në ndihmë të gjithë subjekteve formale dhe taksapagues të rregullt, për t’i garantuar tregti të ndershme./Monitor

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco