Anketa e KI/ Korrupsioni dhe taksat e larta nxitën informalitetin

Anketa e KI/ Korrupsioni dhe taksat e larta nxitën informalitetin

21:45, 09/12/2018
A+ Aa A-

Korrupsioni masiv i zyrtarëve dhe barra e rëndë e taksave po shtyn biznesin në informalitet. Alarmi është dhënë nga Këshilli i Investimeve, një platformë e ngritur nga qeveria shqiptare me mbështetjen e BERZH-it për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat si dhe për të përmirësuar klimën e biznesit në vend.

Përmes një anketë të zhvilluar me mijëra biznese në të gjithë vendin, Këshilli i Investimeve ka gjetur se gati gjysma e bizneseve që kanë aktivitet informal janë detyruar nga korrupsioni i tatimorëve apo inspektorëve të tjerë të agjencive shtetërore, ndërkohë që pjesa tjetër detyrohet të punojë në të zezë pasi nuk mund të përballojnë dot taksat e larta. Sipas anketës, së bashke me konkurrencën e pandershme, këto dy faktorë janë arsyet kryesore se pse bizneset fshehin taksat.

Kjo është hera e parë që një anketë tenton të masë shkaqet e informalitetit. Sipas anketës të kryer nga një institucion qeveritar, përgjegjësi kryesor për nivelin e lartë të informalitetit në vend është vetë qeveria, për shkak korrupsionit të lartë, por edhe rritjes së taksave.

Sipas Transparency International, Shqipëria është një nga vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit në Europë duke u renditur e 91-ta nga 180 vende të botës. Madje për vitin e kaluar, që është dhe treguesi më i fundit i publikuar, niveli i korrupsionit në Shqipëri u përkeqësua krahasuar me 2016-ën.

Gangrena e hershme e korrupsionit është një pengesë e fortë për biznesin që të zbatojë ligjet, por jo e vetmja. Një tjetër faktor është barra e lartë fiskale, e cila është rënduar së tepërmi edhe nga taksat dhe tarifat vendore.

Veçanërisht në qytetet kryesore të vendit, aty ku është përqëndruar edhe numri më i madh i bizneseve taksat dhe tarifat vendore kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit. Në Tiranë, disa nga taksat apo tarifat e bashkisë janë rritur deri në tre herë duke e bërë të pamundur për shumë biznese, veçanërisht ato të vogla, që të përballojnë detyrimet. Ndaj kjo i shtyn ata zhvillojnë mënyra të tjera të gjetjes së fondeve, që janë huamarrjet me interesa të larta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco