Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Kina, nafta dhe ekonomia ndërkombëtare

Kina, nafta dhe ekonomia ndërkombëtare

10:17, 11/08/2018
A+ Aa A-

Nga Shpëtim Shushku

Konfrontimi i ashpër tregtar mes Uashingtonit dhe Pekinit, e kanë vënë botën në një pozitë të vështirë, pasi shumë vende duhet të gjejnë patjetër një mënyrë për të dalë me dëmin më të vogël të mundshëm nga ky konflikt mes dy superfuqive ekonomike me prani tregtare anembanë globit.

Kina ka kaluar një periudhë të gjatë retroversioni, kohë kur ishte e kujdesshme në qasjet e saj politike globale veçanërisht rreth çështjeve sensitive, për ti dhënë prioritet marrëdhënieve ekonomike me botën. Por me fundin e Luftës së Ftohtë dhe rënien e Bashkimit Sovjetik në vjeshtën e 1989, një fazë e re ka filluar në arenën ndërkombëtare. Kina pa një mundësi për tu hapur më shumë me jashtë në funksion të realizimit të qëllimeve të saj ambicioze. Një rend i ri ndërkombëtar i bazuar mbi polaritetin e njëanshëm dobëson rolin e disa vendeve, por paraqet mundësi të pashembullta për vende të tjera në zhvillim.

Kina, fuqia në rritje dhe nevoja e saj për naftë në mbështetje të industrisë

'Kina është luan i fjetur, lëreni të flejë, sepse kur të zgjohet bota do të dridhet'

Napoleon Bonaparti

Image

Në Lindjen e Mesme, politika e jashtme kineze është peng i realiteteve gjeopolitike dhe strategjike që i diktojnë asaj përcaktim rregullash të veçanta veprimi nisur nga interesat specifike në rajon. Nga njëra anë, vizioni i Kinës synon të mbrojë arritjet e saj ekonomike në rajon që pas fillimit të revolucionit industrial dhe zgjerimit tregtar si në aspektin e sigurimit të 60% të importeve të naftës ashtu dhe për mbarëvajtjen e tregtisë me vendet e rajonit. Nga ana tjetër, të paktën për ca kohë, Kina nuk dëshiron përplasje me Shtetet e Bashkuara në rajonin e pasur me naftë, që është zonë e rëndësishme për interesat amerikane.

Në periudhën e "Revolucionit Kulturor", e cila vazhdoi një dekadë të tërë 1966 – 1976, marrëdhëniet kineze me vendet arabe (ku janë rezervat më të mëdha të naftës në botë) patën një fazë tensionuar për shkak të dallimeve ideologjike midis dy krahëve, por me largimin e Mao Tse Tung në 1976, Kina përjetoi një tranzicion themelor dhe dimensioni ekonomik e kapërceu atë ideologjik. Pekini zgjodhi hapjen ekonomike dhe zbuti dukshëm diskursin ideologjik.

Udhëheqësi kinez Deng Xiaoping i cili erdhi në pushtet më 1978, ndoqi një politikë të dyfishtë: reformën ekonomike në vend dhe hapjen me pjesën tjetër të botës. Kina mori një udhë ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, duke i paraqitur botës një version të veçantë të modelit të saj komunist, sidomos nga ana ekonomike. Në një periudhë rekord, ajo u bë një fuqi ekonomike globale me ritme të pashoqe rritjeje, duke arritur në vitin 1993 një rritje prej 12%.

Kina renditet e dyta në ekonominë botërore për momentin dhe është kandidat për të zënë vendin e parë në një të ardhme jo fort të largët. Suksesi i reformave ekonomike në Kinë bëri që nga 2% e PBB-së në vitin 1980, rritja të kapë nivelin e 7.6% në vitin 2001 dhe rreth 15% në 2017.

Aktualisht, Kina është importuesi dytë më i madh i naftës në botë pas Shteteve të Bashkuara, e cila është duke u kthyer në prodhuesin më të madh të naftës në botë. Në vitin 2015, konsumi ditor amerikan i naftës ishte 19.396 milionë fuçi, ndërsa konsumi i Kinës 11.968 milionë.

Sipas raportit të BP (British Petroleum) të dalë më qershor 2018, Shtetet e Bashkuara regjistruan normën më të lartë të konsumit të naftës me 19.880 milionë fuçi në ditë, e ndjekur nga Kina me 12.799 milionë fuçi. Nga statistikat e prillit 2018, rezulton që Rusia zë vendin e parë për nga eksporti i naftës në Kinë, e ndjekur nga Arabia Saudite me 12.6% gjatë 2017.

Varësia e Kinës për naftë ndaj Arabisë Saudite u rrit në mënyrë të konsiderueshme nga një sasi e vogël në vitin 1998, në pothuajse 1.1 milion fuçi në ditë gjatë 2013. Paralelisht, varësia amerikane për naftën saudite u ul nga 5.1 milionë fuçi në ditë në 3.1 fuçi gjatë të njëjtës periudhë.

Në tërësi, Kina vazhdon hovin e saj për në krye të ekonomive globale gjatë dekadës së ardhshme, çka e bën atë një destinacion model investimi për shumë vende në botë.

Nëse thënia "Kina është një luan i fjetur" që i atribuohet Napoléon Bonaparte është e vërtetë, pas pothuajse dy shekujsh nga kjo thënie, ky luan jo vetëm që është zgjuar, por edhe hungërin.

Brenda pak vitesh, ekonomia kineze u ngrit pas recesionit që pasoi masakrën "Tiananmen Square", pasi lideri suprem Deng Xiaoping ia doli të riaktivizojë reformën e Pekinit për hapjen me jashtë. Kompanitë e huaja në Azi dhe fabrikat në Afrikë, madje edhe në fshatrat e Italisë dhe në rrugët e Francës janë mësyer nga biznesmenët kinezë. Kina është fabrika prodhuese me koston më të ulët në botë dhe kreditori më i madh i Shteteve të Bashkuara. Një qendër kërkimore në Uashington parashikon që Yuan-i kinez t'ia kalojë dollarit si rezervë valutore globale kryesore brenda një dekade.

Natyrisht, rritja e rolit të Pekinit ekonomikisht dhe strategjikisht në skenën ndërkombëtare, si dhe nevoja për të shuar etjen e industrisë së saj për naftë, e ka atë bërë ti kushtojë një vëmendje të madhe Lindjes së Mesme, sidomos Arabisë Saudite që është një nga faktorët kyç në tregun e arit të zi. Në mars të vitit 2014, Xi Jinping i tha vizitorit të tij Selman bin Abdul Aziz (monarku aktual saudit) "Të dy palët tona duhet të fokusohen në bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe të zgjerojnë gamën e partneritetit".

Gjatë vizitës së ish-Presidentit të Kinës Jiang Zemin në Arabi Saudite më 1999, dy qeveritë nënshkruan një marrëveshje që autorizonte kompanitë saudite të investojnë në rafineritë e naftës kineze në këmbim të lejes që kompanitë kineze të shfrytëzojnë rezervat saudite të energjisë dhe të zhvillojnë projekte të tjera investimi. Si rezultat, kompania Sinopec ndërtoi gjatë dekadës së parë të këtij shekulli – në partneritet me kompaninë saudite Aramco – një rafineri pranë portit verior Qingdao në provincën Shandong, pastaj një rafineri shtesë në provincën Fujian në 2008, si sipërmarrje e përbashkët midis Exxon Mobil, Saudi Aramco dhe Sinopec.

Konsulli kinez komercial dhe ekonomik në Riad Wang Yu, njoftoi në shtator 2012 se investimet kineze në Arabinë Saudite arritën vlerën e 64 miliardë dollarëve, duke shtuar se Mbretëria Saudite është partneri më i fuqishëm i Kinës me 100 kompani të licencuara kineze. Ky vit përbën dhe një dallim në vëllimin e shkëmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve si pasojë e projekteve të përbashkëta në fushën e naftës dhe rafinimit.

Eksportet e naftës saudite në Kinë janë ndër shkëmbimet më të rëndësishme tregtare mes dy vendeve. Sipas statistikave të 18 shkurtit 2018, Kina prodhon rreth 3.789 milion naftë fuçi në ditë. Niveli maksimal i prodhimit të naftës në Kinë arriti në qershor 2015 një normë ditore prej 4.408 milionë fuçi. Në të njëjtën kohë, konsumi i naftës në rritje, i lind Kinës nevojën për të mbuluar defiçitin nga vendet eksportuese të udhëhequr nga Rusia, Arabia Saudite dhe Irani.

Në bazë të këtyre të dhënave, kinezët kërkuan më 18 janar 2018 përmes ambasadorit kinez në Riad Li Hua Chen, më shumë integrim mes ekonomive saudite dhe kineze nëpërmjet iniciativës "Belt and Road Initiative".

Nisma kineze "Një Rrip, Një Rrugë" (One Belt One Road) ose e shkurtuar në OBOR përfshin 60 shtete që lidhen me Kinën, duke qenë korridori më i madh ekonomik në botë që lidh Kinën me Europën nëpërmjet porteve, autostradave, urave, tuneleve, dhe hekurudhave përgjatë dy linjave që kalojnë në shumë rajone. "Rripi Ekonomik" (Economic Belt) zgjatet nga Kina perëndimore për në Europë, përmes Azisë Qendrore, ndërsa "Rruga e Mëndafshit" (Silk Road) lidh Kinën me Europën nëpërmjet Detit të Kinës Jugore, Oqeanit Indian dhe Detit të Kuq.

Në forumin "Belt and Road for International Cooperation" më 14-15 maj 2017 në Pekin morën pjesë 100 vende, përfshirë liderët e 29 shteteve, çka e bëri takimin më të madh në historinë e Kinës moderne. Nga këndvështrimi kinez, projekti do të jetë "një motor i madh për rimëkëmbje të qëndrueshme në ekonominë botërore, tregtinë e lirë dhe investime". Nga ana tjetër, disa vende perëndimore e konsiderojnë iniciativën kineze se fsheh nga pas objektiva gjeopolitike, në orvatje për të zgjeruar më tej influencën e saj dhe për t'u përballur me ndikimin e Shteteve të Bashkuara në ekonominë globale.

Sipas mediave kineze shtetërore, OBOR ka thithur investime me vlerë rreth 1 trilion dollarë dhe do të pasohet nga disa triliona të tjera gjatë dekadës së ardhshme. Nëse rast suksesi të iniciativës, kjo gjë do të nxisë tregtinë si dhe ndikimin ekonomik dhe politik të Kinës në dhjetra shtete. Disa nga kundërshtarët gjeopolitikë të Kinës, si Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe India i druhen efekteve strategjike të këtij projekti.

Edhe pse vendet e Këshillit të Gjirit për Bashkëpunim (GCC) nuk janë të vendosura direkt përgjatë rrugëve komerciale të OBOR, ato kanë shance të larta ekonomike dhe gjeopolitike në korridorin ekonomik të Kinës. Përpjekja kineze për të siguruar rezerva nafte dhe gazi nga sa më shumë burime të ndryshme të mundshme, e ka bërë Pekinin të afrohet së tepërmi me gadishullin arab. Ndërkohë, edhe shtetet e Gjirit kanë përfituar nga tregtia dhe investimet kineze në shekullin e 21. Gjashtë vendet e GCC-së do të mund të realizojnë edhe më shumë përfitime nëse i luajnë letrat siç duhet. Nisma kineze ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe diplomatike midis Pekinit dhe vendeve që e shikojnë me pozitivitet rritjen kineze në ekonominë dhe politikën globale, sidomos ato që e furnizojnë me lëndë djegëse.

Nga ana tjetër, hartuesit e politikave në Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuar se rritja e pranisë ekonomike kineze në rajonin e Gjirit dhe tregun saudit në veçanti, është projektuar për të dobësuar hegjemoninë amerikane mbi tregjet financiare globale.

Image

Deklarata e Mohammed Al Tuwaijri, zëvendësministri saudit i Ekonomisë dhe Planifikimit, gjatë një konference të përbashkët me kinezët në Jeddah më 24 gusht 2017, ishte një shkundje e papritur për Uashingtonin. Ai njoftoi se Arabia Saudite është e gatshme të studiojë mundësinë e financimit të nevojave të veta valutore me Yuan-in kinez duke i dhënë vendit një fleksibilitet më të madh financiar. Në anën tjetër të medaljes, kjo gjë paraqet edhe një sukses për Kinën që synon të transformojë Yuan-in në një monedhë kryesore globale krahas dollarit amerikan. Vendimi i Riadit për të marrë hua në Yuan kinez, edhe pse nuk ka hyrë në fuqi, krijon një situatë shqetësuese për Uashingtonin, pasi i hap derën shumë vendeve të tjera për të kaluar nga petrodollari për petroyuan. Kjo do ta dobësonte dollarin si monedhë rezervë globale dhe si valutë preferencë nga vendet prodhuese të naftës.

Dihet që Kina synon të jetë një investitor kryesor kudo në botë. Përshpejtimi i rritjes ekonomike e bën Kinën një konkurrent të fuqishëm global dhe ka gjasa të spostojë Shtetet e Bashkuara nga maja e listës së ekonomive më të fuqishme në botë në të ardhmen.

Edhe pse Kina ka nevoja të larta për naftë importi, ajo nuk ka ndenjur duarkryq përballë sfidës së rritjes së çmimeve të naftës. Në maj 2018, Kina vendosi të reduktojë importet e naftës nga Arabia Saudite me 40%, pasi Aramco vendosi çmime më të larta nga sa pritej. Në të njëjtën kohë, u raportua zbulimi i fushave të reja të naftës në Qinghai Plateau, Xinjiang dhe Inner Mongolia. Alternativa për naftë më të lirë erdhën edhe nga Rusia, Irani, Venezuela dhe Angola.

Problemi i madh me të cilin do të përballet jo vetëm Arabia Saudite por dhe i gjithë rajoni i Gjirit në të ardhmen, nuk është vetëm fakti që Kina është blerësi më i madh i naftës së papërpunuar globalisht, por edhe se Amerika mund të kthehet së afërmi në një konkurrent të fortë për vendet eksportuese të naftës. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon që vëllimi i importeve të naftës së papërpunuar nga Kina do të rritet deri 2023 në rreth 10 milionë fuçi në ditë. Në atë periudhë, vëllimi i importeve amerikane do të jetë vetëm 5 milionë fuçi.

Edhe pse Kina ka rritur prodhimin e gazit shist argjilor duke përfituar nga rezervat më të larta argjilore në botë, ajo është ende larg bumit që ka Amerika në këtë fushë. Analistët mendojnë se Kina nuk mund t'i realizojë – bile me një diferencë të madhe – qëllimet e saj të prodhimit të naftës argjilore për 2020-ën.

Në raportin e 17 prill 2018 të firmës konsulente "Wood Mackenzie" theksohet se industria e naftës argjilore në Kinë arriti në rreth 600 puse dhe 9 miliardë metra kub prodhim gjatë 2017, ndërsa prodhimi pritet të dyfishohet me gati 17 miliardë metra kub në vitin 2020.

Gjithashtu, parashikohet që Kina të nisë punën në rreth 700 puse të reja deri në fund të dekadës aktuale përmes tre projekteve të reja në pellgun jug-perëndimor Sichuan, me një investim total prej 5.5 miliardë $.

Por pavarësisht progresit të Kinës, deficiti në 2020 pritet të jetë rreth 30 miliardë metra kub. Ky deficit u pohua në planin e 13 pesëvjeçar të Kinës për sektorin e energjisë. Për krahasim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës prodhuan 474.6 miliard metra kub gaz nga shisti argjilor vetëm në vitin 2017.

Kompanitë kombëtare të naftës në Kinë kanë arritur të ulin kostot duke përmirësuar teknikat e shpimit, studimet gjeologjike dhe ekspertizën teknike. Vlerësimet e Wood Mackenzie tregojnë se kjo gjë ka ulur koston në puset e eksplorimit me 40% në krahasim me nivelet e vitit 2010, si dhe me një rënie prej 25% në puset komerciale në krahasim me 2014-ën.

Megjithatë, kostot e prodhimit në Kinë mbeten shumë më të larta se në Shtetet e Bashkuara, e cila revolucionin e saj në këtë fushë e ka ngritur mbi përvojën e tregjeve konkurruese dhe të hapura, ekploruesit aktivë, infrastrukturën e avancuar dhe ekspertizën që ka në dispozicion. "Asnjë nga këta faktorë nuk vlen për Kinën", theksoi Wood Mackenzie.

Krahas kësaj, shumica e operacioneve të naftës argjilore në Kinë (si Projekti Fallingwater e kompanisë Sinopec dhe dy projektet e PetroChina në Changjiang-Yiyuan dhe Zhaotong) janë të vendosura në terrene malore të thepisura. Kjo do të thotë që operatorët duhet të përballet me sfidën e zhvendosjes së sipërfaqeve të mëdha malore për rehabilitimin e vendit, së bashku me ndërtimin e infrastrukturës, transferimin e ekuipazheve dhe pajisjeve të shpimit me distanca të mëdha, natyrisht edhe me vështirësitë logjistike, natyrore dhe gjeologjike.

Për të ulur deficitin mes prodhimit dhe konsumit, Kina synon të plotësojë nevojat e saj me naftë dhe gaz importi me çmim të ulët. Në këtë drejtim, kompania PetroChina nisi (në gusht 2018) një fazë të avancuar negociatash me Katarin si eksportuesi më i madh i gazit në botë, për të blerë gaz të lëngshëm natyror mbi baza marrëveshjesh afatshkurtra dhe afatgjata.

Në perspektivë të gjatë, Kina do të mbetet importuesi më i madh i naftës në botë, prandaj rënia e çmimeve është një kërkesë e domosdoshme për të. Rritja me një dollar e çmimit të naftës i privon aktivitetit ekonomik të Kinës miliarda dollarë. Vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar në janar 2016, konkludojnë se nafta dhe Kina kontrollojnë rritjen ekonomike globale.

Sipas studimit të grupit kinez "Anbang" mbi ndikimin e çmimeve të naftës në ekonominë kineze për lart ose poshtë, Kina është përfituesi më i madh nga çmimet e ulëta, ku çdo vit kursehen qindra miliarda dollarë. Në bazë të statistikave të Goldman Sachs, rënia e çmimit të mallrave në një vit mund t'i kursejë Kinës një total prej 460 miliard $, nga të cilat 320 miliardë prej çmimeve më të ulëta të naftës, ndërsa pjesa tjetër nga burime të tjera të energjisë, çelikut, qymyrit dhe produkteve bujqësore.

Sergei Pikin, drejtori i Korporatës Ruse për Zhvillimin e Energjisë, beson se nga rënia e çmimeve të naftës në vitin 2015, vendet konsumatore kanë kursyer 1.6 trilion dollarë në krahasim me 1.7 trilion dollarë gjatë vitit 2014. Pikin mendon se Kina ka përfituar nga ulja e çmimeve jo vetëm si importues i naftës së papërpunuar, por edhe si vend rafinues, pasi rritja e çmimit të produkteve të naftës reflektohet në treg më shpejt se rritja e vetë naftës, çka i zgjeron diferencat në shitje.

Raporti i FMN-së në prill 2018 parashikon një rënie të çmimeve të naftës gjatë viteteve të ardhshme. "Ndërsa furnizimi rimëkëmbet, çmimet e naftës pritet të bien në 58.2 dollarë për fuçi në 2019 dhe në 53.6 dollarë për fuçi në 2023" – shkruan raporti.

Për Kinën, klima e saj është një dhuratë nga qielli, pasi mund ta shfrytëzojë këtë avantazh për prodhimin e energjisë diellore. Në 2016, Kina u bë prodhuesi më i madh i energjisë diellore në botë, duke arritur 77.42 gigawatt, ose 66.2 miliard kwh energji. Edhe pse kjo sasi nuk përbën veçse 1% të prodhimit total të energjisë në vend duke patur parasysh numrin e stërmadh të popullsisë dhe duke qenë vendi më i madh industrial në botë, ky fakt e nxit në një masë të madhe Kinën të përdorë energji të rinovueshme dhe të promovojë rritjen e prodhimit të energjisë diellore gjatë viteve të ardhshme.

Image

Lufta Tregtare Globale

Al Jazeera: Bota mban frymën në pritje të asaj që do të sjellë lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës

Në vitin 2018, nisën shenjat e një lufte tregtare globale me nënshkrimin e Trump të memorandumit presidencial 23 marsin e kaluar, që impononte një paketë të re tarifash dhe taksash doganore për importet nga Kina, sidomos hekurit dhe çelikut, të cilat kapin vlerën e rreth 60 miliardë $, si dhe përcaktimin e investimeve në përgjigje të asaj që Uashingtoni e gjykon prej vitesh si shkelje të pronësisë intelektuale dhe vjedhjes së teknologjisë amerikane.

Më 2 prill, Kina iu përgjigj vendimit të SHBA-së me vendosjen e tarifave doganore shtesë prej 25% mbi 128 lloje importi nga SHBA, mes tyre edhe produktet e mishit të derrit dhe verës. Në reagim ndaj vendimit të Trump në fund të qershorit 2018 për vendosjen e tarifave mbi mallrat kineze, Ministria e Tregtisë në Pekin njoftoi më 6 korrik 2018 hyrjen në fuqi të tarifave për mallrat amerikane, duke theksuar se Uashingtoni ndezi "luftën më të madhe tregtare në historinë ekonomike". Agjencia e lajmeve Xinhua, citoi zëdhënësin e Ministrisë Kineze të Tregtisë të thotë: "Me vendosjen e tarifave shtesë prej 25% mbi produktet kineze që kap vlerën e 340 miliardë $, Shtetet e Bashkuara nga sot kanë nxitur luftën më të madhe tregtare në historinë ekonomike".

Pa dyshim, sjellja amerikane dikton një tranformim të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke skicuar një skenë të panjohur për të ardhmen e ekonomisë globale. Kina tashmë po rishikon strategjinë e saj ekonomike kombëtare të miratuar që prej 1970 për lehtësimin e hyrjes së kompanive perëndimore industriale në tregun kinez, në kuadër të ri-integrimit ndërkombëtar. Ajo që nuk e priste Perëndimi e në veçanti Shtetet e Bashkuara në atë kohë, ishte që ritmi kinez do të vërshonte me shpejtësi dhe në një mënyrë që nuk kontrollohej dot. Brenda 40 viteve (1978 - 2018) Kina prenotoi susksesshëm një vend të avancuar në ciklin ekonomik global, duke i bërë Shtetet e Bashkuara t'i deklarojnë luftë tregtare për ta ndaluar atë (Kinën) të kalojë në pararojë, pasi u rreshtua në vendin e dytë në rang global.

Joseph E. Stiglitz thekson se në opsionin më të mirë të politikës së Trump kundrejt Kinës do të ishte përmirësimi i deficitit tregtar bilateral (mes SHBA dhe Kinës), por kjo do të çojë detyrimisht në rritjen e deficitit me të njëjtën masë me disa vende të tjera, plus rritjen e çmimeve të mallrave kineze në tregjet amerikane. Shkurt dhe qartë, rezultati më i mirë në këtë luftë do të thotë se në fund, SHBA-të do të jenë më keq sesa janë sot.

Lufta komerciale e shpallur nga Shtetet e Bashkuara nuk do të ndalojë në ndonjë cak, apo me një paketë. Kjo është një luftë që rrokulliset, filloi me tarifa 60 miliardë dollarë, paketa e dytë vlerësohet të shkojë 200 miliardë $ dhe e treta po ashtu me të njëjtën vlerë, çka mund të çojë në fillimin e fundit të rendit botëror që njohim sot dhe krijimin e një sistemi global multipolar.

Tërheqjet njëpasnjëshme të Shteteve të Bashkuara nga konventat dhe organizmat ndërkombëtare (Marrëveshja e Partneritetit Tregtar Përtej Paqësorit më 23 Janar 2017; Marrëveshja e Parisit për Ndryshimet Klimatike në qershor 2017; UNESCO më 12 tetor 2017; dhe nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara më 20 qershor 2018) bënë që analisti politik i CNN-it Fareed Zakaria, ta komentojë situatën globale në këtë mënyrë "Ky është fundi i udhëheqjes amerikane të botës së lirë".

Thënë ndryshe, masat ndëshkuese kundër shteteve të tjera dhe tërheqja nga organizatat dhe konventat ndërkombëtare, jo vetëm që nuk e ndihmojnë ekonominë amerikane, por promovojnë së tepërmi politikat proteksioniste dhe izolacioniste ndërmjet shteteve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco