Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët në ditën e 53 të protestës, kërkojnë dorëheqjen e Ramës

'Një hap gjigant'/ SHBA-ja dhe Ukraina arrijnë një marrëveshje të rëndësishme për dronët

'Një hap gjigant'/ SHBA-ja dhe Ukraina arrijnë një marrëveshje të rëndësishme për dronët

18:31, 22/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një letër dypalëshe të qëllimit që shtron rrugën për një partneritet në fushën e mbrojtjes, duke lejuar eksportimin e dronëve luftarakë ukrainas në SHBA për testime.

Kështu thanë për Radion Evropa e Lirë (REL) dy burime që kanë njohuri për këtë çështje.

“Marrëveshja është arritur”, tha një zyrtar për REL-in, teksa burimi i dytë konfirmoi se dokumenti është “nënshkruar nga të dyja palët”.

Letra e qëllimit krijon kornizën për bashkëpunimin në të ardhmen në fushën e dronëve dhe paraqet marrëveshjen e parë të këtij lloji mes dy vendeve, thanë burimet që folën në kushte anonimiteti.

Ky zhvillim shënon një përparim të rëndësishëm pas muajsh negociatash për një bashkëpunim më të thellë në industrinë e mbrojtjes, teksa Pentagoni kërkon qasje të shpejtë në inovacionet ukrainase të fushëbetejës të zhvilluara gjatë më shumë se katër vjetëve të luftës në shkallë të plotë me Rusinë.

Marrëveshja pritet të krijojë një rrugë zyrtare për eksportimin e dronëve tokësorë, ajrorë dhe detarë të Ukrainës në Shtetet e Bashkuara për testime dhe vlerësime ushtarake, duke ndikuar potencialisht në kërkesat e ardhshme të Pentagonit për blerje.

Edhe pse letra e qëllimit nuk është kontratë për prodhim, ajo shihet si hapi i parë konkret drejt një bashkëpunimi më të gjerë, i cili në të ardhmen mund të përfshijë prodhimin e përbashkët të dronëve luftarakë, të projektuar nga Ukraina në territorin amerikan.

Kjo marrëveshje vjen në një kohë kur Pentagoni po intensifikon përpjekjet për të forcuar kapacitetet e tij pa pilot, në kuadër të nismës së re të quajtur Dominimi me Dronë.

Sipas informacioneve të siguruara nga REL-i, korniza e planifikuar do t’i mundësonte ushtrisë amerikane të kërkojë platforma të caktuara ukrainase të dronëve për testime dhe vlerësime, dhe jo për përdorim gjatë operacioneve.

“Një hap gjigant”

Kjo nismë vjen pas më shumë se katër vjetësh novacion të shpejtë gjatë luftës, i cili e ka shndërruar Ukrainën në një nga zhvillueset kryesore në botë të sistemeve pa pilot, me kosto të ulët dhe të testuara në fushëbetejë, përfshirë dronë pengues, pajisje elektronike për pengimin e dronëve dhe dronë detarë sulmues.

Analistët thanë se marrëveshja mund të zgjerojë lidhjet në industrinë ushtarake mes dy vendeve.

“Ky është një hap gjigant përpara për mbrojtjen amerikane”, tha për Radion Evropa e Lirë Dan Rice, president i Universitetit Amerikan të Kievit, i cili njëherësh është ish-këshilltar i posaçëm i komandantit të përgjithshëm të ushtrisë ukrainase.

“Për pesë vjet kam thënë se SHBA-ja duhet të bëjë një ndryshim kulturor për të mësuar nga Ukraina. Ky është hapi i parë”.

Daniel Balson, drejtor në organizatën jofitimprurëse Razom for Ukraine, tha se teknologjia ukrainase e dronëve është bërë një nga eksportet më të vlefshme ushtarake të shtetit.

“Dronët ukrainas janë ndër më të mirët në botë. Ata janë testuar në fushëbetejë, janë të dëshmuar në luftime dhe janë produkt i disa prej mendjeve më novatore në luftën moderne”, tha ai për REL-in.

Prodhuesi ukrainas i dronëve detarë, edhe në SHBA

Nënshkrimi i letrës së qëllimit vjen në një kohë kur bashkëpunimi në fushën e industrisë së mbrojtjes mes SHBA-së dhe Ukrainës po merr hov.

Më 21 korrik, Ambasada e Ukrainës në Uashington njoftoi për nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi mes zhvilluesit ukrainas të sistemeve autonome, UFORCE, dhe prodhuesit amerikan të anijeve, ReconCraft.

Marrëveshja do të sjellë në SHBA dronët autonomë detarë, MAGURA, që janë të testuar në fushëbetejë, teksa do të zgjerojë bashkëpunimin në sistemet pa pilot, detare dhe tokësore.

Ambasadorja e Ukrainës në SHBA, Olha Stefanishyna, tha se ishte e bindur se marrëveshja do të “inkurajojë shumë kompani të tjera që të ndjekin këtë shembull dhe të thellojnë bashkëpunimin mes SHBA-së dhe Ukrainës në industrinë e mbrojtjes”.

Partneriteti mes UFORCE dhe ReconCraft vjen pasi forcat amerikane përdorën mjete detare pa pilot në luftime për herë të parë në fillim të këtij muaji, gjatë sulmeve ndaj caqeve detare iraniane.

Sipas marrëveshjes, kompania ReconCraft, me bazë në Oregon, do të bashkëpunojë me UFORCE për prodhimin në SHBA të dronëve detarë MAGURA.

Prodhimi pritet që fillimisht të arrijë në qindra dhe më pas në mijëra dronë, të cilët më pas do të mund të bliheshin nga Marina amerikane.

Sean Plankey, drejtues ekzekutiv i operacioneve në SHBA të kompanisë UFORCE, e përshkroi projektin si një model që kombinon përvojën luftarake të Ukrainës me kapacitetet industriale amerikane, gjë që, sipas tij, do të “ndihmojë në sigurimin që këto kapacitete të dëshmuara autonome të bëhen të qasshme për SHBA-në”.

Për Uashingtonin, marrëveshja ofron qasje në teknologji të dronëve që po zhvillohen me shpejtësi dhe që kanë kosto të ulët, në një kohë kur Pentagoni po kërkon më shumë kapacitete pa pilot, përballë shqetësimeve në rritje lidhur me kërcënimet nga Rusia, Kina dhe Irani.

Për Ukrainën, kjo paraqet një tjetër hap drejt integrimit të industrisë së saj të mbrojtjes në rrjetet perëndimore të prokurimit dhe prodhimit, teksa hap mundësi të reja që prodhuesit ukrainas të hyjnë në zinxhirë afatgjatë të furnizimit./ REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco