Nga Alba Kepi/
Nga fillimi i vitit 2025 në këtë port janë sekuestruar mbi 4.5 tonë kokainë në këtë port.
Një operacion i rëndësishëm antidrogë është finalizuar në Portin e Gioia Tauro, në Kalabri, ku autoritetet italiane kanë sekuestruar 113 kilogramë kokainë të pastër, e ardhur nga Amerika e Jugut.
Sipas Guardia di Finanza, lënda narkotike ishte fshehur në një kontejner të deklaruar se transportonte materiale druri për prodhim industrial. Ngarkesa u identifikua pas një analize të riskut dhe monitorimit të lëvizjeve të kontejnerëve që hyjnë në port, një nga më të mëdhenjtë dhe më strategjikët në Mesdhe.
Kontrolli u krye me skanerë të teknologjisë së lartë dhe me ndihmën e njësive speciale me qen antidrogë. Gjatë inspektimit, efektivët zbuluan paketat me kokainë, të cilat u sekuestruan menjëherë.
Sipas autoriteteve italiane, droga e sekuestruar do të kishte sjellë fitime prej rreth 20 milionë eurosh në tregun e paligjshëm, duke përbërë një burim të rëndësishëm financimi për organizatat kriminale që veprojnë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.
Porti i Gioia Tauro mbetet një nga pikat më të ndjeshme në luftën kundër trafikut të kokainës drejt Evropës. Pozicioni i tij strategjik dhe fluksi i lartë i kontejnerëve e kanë bërë shpesh objektiv të rrjeteve kriminale që transportojnë drogë nga Amerika Latine.
Sipas statistikave zyrtare, që nga fillimi i vitit 2025 në këtë port janë sekuestruar mbi 4.5 tonë kokainë, në sajë të kontrolleve të përbashkëta të Guardia di Finanza dhe autoriteteve doganore italiane.
Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të zbuluar destinacionin përfundimtar të ngarkesës, si edhe personat dhe organizatat kriminale të përfshira në këtë rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës.

© SYRI.net