Presidenti amerikan, Donald Trump, ka zhvilluar një telefonatë në linjën e rezervuar me Vladimir Putin, që sipas palës ruse ka zgjatur rreth 1 orë e gjysmë. Ky është komunikimi i 4-ërt mes dy liderëve këtë vit.
Nga ana ruse, këshilltari i politikës së jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov, e ka cilësuar bisedën “shumë konstruktive”, duke theksuar se ajo nisi me urime nga Putin për Trump dhe popullin amerikan me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve. Sipas tij, u përmend edhe “kontributi i Rusisë në formimin e shtetit amerikan” dhe rëndësia e respektimit të historisë së përbashkët.
Ushakov ka thënë gjithashtu se të dy palët kanë folur për luftën në Ukrainë, ku Trump ka konfirmuar angazhimin e ndërmjetësuesve të tij, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje.
Moska, nga ana e saj, ka përsëritur qëndrimin se çdo marrëveshje duhet të marrë parasysh “qëndrimet e saj parimore”, duke lënë të kuptohet se kërkon kontroll mbi Donbasin.Sipas narrativës së Kremlinit, forcat ruse po përparojnë në front dhe po marrin nën kontroll zona të reja në rajonin e Donetskut, gjë që Kievi e kundërshton, duke thënë se luftimet vazhdojnë dhe sulmet po zmbrapsen.
Biseda mes Trump dhe Putin vjen në një moment të ndjeshëm diplomatik, pak para samitit të NATO-s në Ankara, ku priten diskutime të rëndësishme për luftën në Ukrainë dhe mbështetjen për Kievin.
Media ruse e ka paraqitur telefonatën si një sinjal të rëndësishëm politik, duke sugjeruar se SHBA-të mund të mos kundërshtojnë plotësisht qasjen e saj në konflikt. Ndërkohë, zëra kritikë brenda Rusisë, përfshirë ish-presidentin Dmitrij Medvedev, kanë theksuar se SHBA-të nuk duhet të marrë vendime në emër të vendeve të tjera.
Moska i sheh ende SHBA-të si një faktor vendimtar në zhvillimet e luftës në Ukrainë, veçanërisht në prag të samitit të NATO-s.
© SYRI.net