BBC: Temperaturat rekord tregojnë verë gjithnjë e më ekstreme në kontinentin Evropian

BBC: Temperaturat rekord tregojnë verë gjithnjë e më ekstreme në kontinentin Evropian

10:34, 05/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sipas një analize të BBC, Evropa po përjeton një rritje të ndjeshme të temperaturave, me rekorde të reja të regjistruara gjatë muajit qershor në disa shtete të kontinentit.

Në shumë vende evropiane temperaturat kanë kaluar mbi 40 gradë Celsius, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar është shënuar niveli 37.7°C, duke thyer rekorde që kishin mbetur të pandryshuara për dekada.

Sipas ekspertëve, rritja e temperaturave lidhet me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, të cilat po ndikojnë në shpeshtësinë dhe intensitetin e valëve të të nxehtit.

Përveç ditëve më të nxehta, edhe temperaturat gjatë natës po rriten, duke e bërë më të vështirë freskimin e trupit.

Shkencëtarët vlerësojnë se Evropa po ngrohet më shpejt se çdo kontinent tjetër në botë. Shkrirja e akullnajave, ulja e grimcave ndotëse në atmosferë dhe ngrohja e ujërave detare po kontribuojnë në këtë proces.

Temperaturat e larta të deteve përreth Evropës pritet të ndikojnë në forcimin e valëve të ardhshme të të nxehtit, pasi uji i ngrohtë ruan më gjatë nxehtësinë dhe redukton efektin ftohës të erërave detare.

Sipas shkencëtarëve, nëse emetimet e gazeve serrë nuk ulen, valët e të nxehtit do të bëhen më të shpeshta dhe më intensive në të ardhmen. Edhe pse çdo vit nuk do të jetë domosdoshmërisht më i nxehtë se tjetri, tendenca afatgjatë tregon rritje të vazhdueshme të temperaturave mesatare në Evropë.

Valët ekstreme të të nxehtit që kanë prekur Evropën dhe Mbretërinë e Bashkuar gjatë majit dhe qershorit konsiderohen një tjetër sinjal i qartë i ndikimit të ndryshimeve klimatike në kontinent.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco