Tetë murgj budistë u vranë dhe më shumë se 20 persona u plagosën kur një kamionçinë e drejtuar nga një djalë 11-vjeçar u përplas me ta gjatë një pelegrinazhi në provincën verilindore tajlandeze të Mukdahan, thanë sot autoritetet lokale.
Viktimat ishin pjesë e një grupi prej 34 murgjsh budistë dhe pesë besimtarësh laikë që po ecnin nga një tempull në provincën Mukdahan në një tjetër në provincën fqinje Ubon Ratchathani, tha guvernatori i Mukdahanit, Worayan Bunarat, në një konferencë për shtyp, sipas Reuters.
Sipas tij, pesë murgj vdiqën në vend, ndërsa tre të tjerë ndërruan jetë më vonë nga plagët e marra në spital.
22 murgj të tjerë dhe një civil u plagosën në aksident, dhe katër prej të plagosurve janë në gjendje kritike.
Shefi i policisë provinciale të Mukdahanit, gjeneralmajor Pairoj Tajputra, tha se djali 11-vjeçar me nevoja të veçanta mori një kamionçinë nga shtëpia e familjes dhe ngau rreth 10 kilometra përpara se të përplasej me grupin e murgjve.
Policia ende nuk ka ngritur akuza, pasi hetuesit ende po përcaktojnë rrethanat e aksidentit, tha Tajputra. Ai shtoi se policia nuk mundi të fliste ende me djalin sepse ai është ende në gjendje shoku dhe nuk është në gjendje të japë një deklaratë.
© SYRI.net