Koalicioni ka paraqitur detaje të planeve të tij të reformës: Njerëzit me të ardhura të mesme dhe të ulëta do të marrin lehtësim tatimor. Do të ketë edhe reforma të tjera.
Rezultatet e konsultimeve në nivelin më të lartë i paraqitën vetë krerët e Partive CDU, CSUdhe SPD. U trajtuan disa nga temat më të rëndësishme, siç janë pensionet, rritja ekonomike, tatimet…
Krerët e partive në koalicionin qeverisës në Gjermani ranë dakord për një reformë të taksës mbi të ardhurat që do të duhej të hynte në fuqi më 1 janar 2027. Lehtësimi tatimor do të jetë rreth dhjetë miliardë euro në vit. Fokusi i lehtësimeve është tek punonjësit me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
“Lehtësimi tatimor është hartuar për të pasur ndikimin më të madh te familjet me fëmijë. Kështu koalicioni po lehtëson posaçërisht barrën e përditshme që bie mbi familjet”, thuhet në “Programin për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe Punësimin”.
Programi parashikohet të zbatohet plotësisht në vitin 2028. Një familje të punësuarish me dy fëmijë dhe me të ardhura totale të tatueshme prej 60,000 eurosh në vit, parashikohet të ketë një ulje tatimore prej më shumë se 600 eurosh në vit krahasuar me sot.
Ndryshime në “Tatimin mbi pasurinë”
Kompensimi financiar do të arrihet kryesisht përmes ndryshimeve në “tatimin mbi pasurinë”. Tatimet do të rriten në nivel 45 përqind për të ardhurat e tatueshme mbi 250,000 €, ndërsa në 47 përqind për të ardhurat e tatueshme mbi 280,000 €.
Aktualisht, norma maksimale e taksës është 45 përqind, e cila zbatohet për të ardhurat e tatueshme mbi 277,826 €. Sipas dokumentit, planet përfshijnë edhe ndryshime të tjerta. Ndihma shtesë për fëmijë do të rriten në dy faza në 272 € deri në vitin 2028. Aktualisht, ato janë 259 € në muaj për fëmij, pavarësisht nga të ardhurat. Përveç kësaj, parashikohen edhe zbritje nga taksat për shërbimet e zanateve të kualifikuara. Ato do të ulen nga 20 përqind në 15 përqind. Ndërsa shkalla e taksës për mini-job do të rritet nga dy në pesë përqind.
Merz: “Ta rimëkëmbim Gjermaninë”
“Sot është një ditë e mirë”, tha Kancelari Friedrich Merz në një konferencë për shtyp të mbajtur nga udhëheqësit e partive. Ligjet shërbejnë vetëm për një qëllim: “Ne duam ta rimëkëmbim Gjermaninë dhe tani është e qartë se kjo është e mundur”, tha kreu i CDU-së.
Merz vlerësoi shprehimisht masat e darkordësuara për lehtësime të taksave. Me këto reforma, “qendra politike, këtu dhe tani”, po demonstron forcën e saj për të formësuar dhe modernizuar vendin.
Drejtuesit e koalicionit janë këshilluar rreth shtatë orë e gjysmë në Kancelari të mërkurën (01.07.2026). Bashkëkryetarja e SPD-së, Ministrja e Punës, Bärbel Bas, tha se ata kanë “rënë dakord së bashku për një program vërtet gjithëpërfshirës për rimëkëmbjen ekonomike dhe punësimin”.
Kjo përfshin 34 masa “të hartuara në mënyrë të veçantë për të siguruar që ne të menaxhojmë transformimin e tregut të punës që forcon punonjësit dhe bizneset, nxit rajone të forta ekonomike dhe në këtë mënyrë krijon vende të mira pune”.
Raportet mjekësore
Raportet mjekësore në raste të sëmundjeve do të ndryshojnë. Raporti mjekësor do të kërkohet nga punëdhënësi që në ditën e parë të sëmundjes, për shkak se në Gjermani jepen mesatarisht shumë raporte mjekësore për shkak të sëmundjeve. Do të hiqet edhe mundësia e marrjes së pushimit mjekësor përmes kontaktit me telefon.
Merz tha, se në Gjermani ka pasur një “rritje të tepruar të normave të raporteve mjekësore” pas pandemisë.
Koalicioni ka rënë dakord edhe për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Pensioneve. Legjislacioni duhet të finalizohet deri në fund të vitit, tha Merz. Me këtë plan parashikohen ndryshime edhe për kontratat e punës me afat të caktuar.
Kontratat me afat të caktuar do të jenë të mundshme deri në 48 muaj për punonjësit e punësuar deri në fund të vitit 2030 dhe mund të zgjaten gjashtë herë. Merz tha, se kjo ëshët veçanërisht e dobishme për kompanitë e reja dhe në zgjerim. /DW/
© SYRI.net