Nga presidenti amerikan vijnë komentet e para për kryeministrin e mundshëm të ardhshëm britanik.
Donald Trump tha se kishte dëgjuar se Andy Burnham ishte "ekstremisht liberal", në komentet e para të presidentit amerikan për njeriun që mund të bëhet kryeministri i ardhshëm i Britanisë.
I pyetur se çfarë dinte për ish-kryebashkiakun e GreaterManchester, Trump u përgjigj: "Nuk di asgjë. Shoh që ka qenëkryetar bashkie i një qyteti.
"Kam dëgjuar se është ekstremisht liberal, vërtet shumë. Kjo do të thotë se ndoshta nuk do ta hapë Detin e Veriut," tha Trump të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë.
Fushata e Burnham-it për të zëvendësuar Sër Keir Starmer-in si lider i Partisë Laburiste dhe kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar është përqendruar te politika e brendshme, por menaxhimi i marrëdhënieve me presidentin e paparashikueshëm amerikan pritet të jetë një nga sfidat e tij kryesore.
Gjatë trazirave në Kapitol me 6 janar 2021, Burnham shkroi në X: "Çdo politikan britanik që i ka bërë nderime Trump-it duhet të ndihet i turpëruar në këtë moment."
Vitin e kaluar, në një intervistë për The London Economic, Burnham kritikoi presidentin amerikan se po sillte "paqëndrueshmëri në botë".
Në ditët e fundit të fushatës për zgjedhjet e pjesshme në Makerfield, Burnham shprehu shqetësimin se Britania mund të ndjekë rrugën e politikës amerikane, të cilën e përshkroi si "një politikë të polarizuar dhe helmuese, ku njerëzit në komunitete nuk bashkëpunojnë më me njëri-tjetrin". Megjithatë, ai nuk e përmendi drejtpërdrejt presidentin amerikan.
Starmer, nga ana tjetër, ka shmangur kryesisht kritikat publike ndaj Trump-it gjatë kohës që ka qenë kryeministër, ndërsa është përpjekur të negociojë një marrëveshje tregtare me Uashingtonin dhe të ruajë mbështetjen amerikane për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.
Megjithatë, Starmer u kritikua ashpër nga Trump për mosmbështetjen e luftës në Iran, ndërsa presidenti amerikan tha për të se nuk është Uinston Çërçilli".
Trump gjithashtu ka kritikuar vazhdimisht qeverinë e Starmer-it, duke pretenduar se ajo po përpiqet të shkatërrojë industrinë britanike të naftës dhe gazit. Në një postim në Truth Social fundjavën e kaluar, Trump tha se Starmer "ka dështuar rëndë" në politikën energjetike.
Në librin Head North, të botuar në vitin 2024 dhe të shkruar së bashku me kryebashkiakun laburist të rajonit të Liverpool-it, Steve Rotheram, Burnham pranoi se Trump, njësoj si lideri i Reform UK, Nigel Farage, kishte qenë "i suksesshëm në krijimin e lidhjes me njerëzit që mendojnë se politikanët e kanë lënë pas dore vendin ku jetojnë; që besojnë se politikanët merren me problemet e familjeve të tjera, por jo me të tyret".
Ata gjithashtu vunë në dukje ngjashmëritë mes votuesve në SHBA dhe Britani, të cilët ndihen të zhgënjyer nga elitat politike në Uashington dhe Uestminster që dominojnë politikën kombëtare. Burnham ka kërkuar prej kohësh një decentralizim më të thellë të pushtetit dhe po shqyrton mundësinë që një pjesë e veprimtarisë së zyrës së kryeministrit në Number 10 të zhvendoset në Manchester. / FT – Syri.net
© SYRI.net