Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm gjatë orëve të fundit, pasi Irani ndërmori një sulm me raketa ndaj Izraelit në përgjigje të bombardimeve izraelite në Bejrut të Libanit.
Autoritetet ushtarake izraelite njoftuan se kishin identifikuar lëshimin e raketave nga territori iranian drejt Izraelit, duke aktivizuar menjëherë sistemet e mbrojtjes ajrore. Në disa zona të vendit u dëgjuan sirenat paralajmëruese, ndërsa ushtria deklaroi më vonë se të gjitha raketat ishin neutralizuar para se të shkaktonin dëme.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, një zyrtar izraelit ka bërë të ditur se Tel Avivi po përgatit një kundërpërgjigje ndaj veprimit iranian. Ndërkohë, faqja Axios raportoi se presidenti amerikan, Donald Trump, është informuar mbi zhvillimet e fundit.
Pas sulmit, Garda Revolucionare iraniane paralajmëroi Izraelin të ndalojë operacionet ushtarake në Liban, duke theksuar se çdo zgjerim i mëtejshëm i ofensivës ose një reagim ndaj Iranit do të përballej me goditje edhe më të ashpra.
Më herët, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Ghalibaf, deklaroi se bazat amerikane dhe objektivat izraelite konsiderohen tashmë objektiva legjitime, duke akuzuar kundërshtarët për veprime armiqësore dhe shkelje të marrëveshjeve që lidhen me Libanin.
Në të njëjtën linjë, deputeti konservator iranian Ebrahim Rezaei paralajmëroi një përgjigje “vendimtare dhe të dhimbshme” ndaj sulmeve izraelite të ditëve të fundit, duke lënë të kuptohet se veprimet ushtarake mund të intensifikohen.
Në sfondin e këtyre zhvillimeve, përpjekjet diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit për t’i dhënë fund konfliktit të nisur pas operacioneve ushtarake të përbashkëta amerikano-izraelite kundër Iranit kanë mbetur pa rezultat konkret. Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes vazhdon të jetë çështja e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit, e cila po pengon arritjen e një marrëveshjeje mes palëve.
© SYRI.net