Kryeministri britanik Keir Starmer tha sot se do t'i qetësonte ata që dyshojnë në Partinë Laburiste, pasi dhjetëra deputetë laburistë kërkuan dorëheqjen e tij për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale.
Starmer tha se do të përballet me sfida të mëdha dhe do t'i rikthejë shpresën Mbretërisë së Bashkuar, gjë që përfshin afrimin me Bashkimin Evropian dhe "vendosjen e Britanisë në zemër të Evropës".
"E di që kam dyshues dhe e di që duhet t'u vërtetoj se e kanë gabim, dhe do ta bëj", tha Starmer gjatë një fjalimi në Londër.
Ai shtoi se do t’u provonte miliona njerëzve që janë të lodhur nga status quo-ja, e cila i ka zhgënjyer, se qeveria është në anën e tyre.
Ai tha se Partia Laburiste ishte në një “luftë për shpirtin e kombit” dhe se Britania do të ndiqte një “rrugë të errët” nëse partia e krahut të djathtë Reform UK, e udhëhequr nga Nigel Farage, do të vinte në pushtet.
Ish-zëvendëskryeministrja Angela Rayner, e cila shihet si një rivale e mundshme e Starmer, tha se "ajo që po bëhet aktualisht nuk po funksionon dhe duhet të ndryshojë".
Rayner nuk i bëri thirrje drejtpërdrejt Starmer të jepte dorëheqjen, por e akuzoi atë se drejtonte një "kulturë toksike të nepotizmit" dhe shtoi se qeveria duhet "të mbetet besnike ndaj vlerave të klasës punëtore dhe socialdemokrate".
"Ky mund të jetë shansi ynë i fundit," tha Rayner të dielën.
Partia Laburiste pësoi një humbje të madhe javën e kaluar në zgjedhjet lokale në Britani.
Zgjedhjet janë interpretuar si një referendum jozyrtar mbi Starmerin, popullariteti i të cilit ka rënë ndjeshëm që kur ai fitoi me shumicë dërrmuese më pak se dy vjet më parë.
© SYRI.net