Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi për televizionin francez LCI se “Irani dëshiron vërtet një marrëveshje” dhe se “pret që shumë shpejt të ketë lajme”, ndërsa Teherani po shqyrton një propozim amerikan. Ndërkohë Komanda qendrore amerikane, CENTCOM deklaroi se bllokada detare kundër Iranit në ngushticën e Hormuzit mbetet plotësisht aktive dhe po zbatohet pa ndërprerje.
Në deklaratë theksohet se operacioni vazhdon si pjesë e bllokadës detare ndaj Iranit dhe po monitorohet vazhdimisht trafiku detar në zonë.
Zyrtarë të lartë amerikanë, nga presidenti Donald Trump deri te sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, thanë më 8 maj se përgjigjja e Iranit ndaj një propozimi amerikan për përfundimin e konfliktit – që vjen në kohën kur po vazhdonin përpjekjet e brishta për armëpushim krahas incidenteve të reja ushtarake në dhe rreth Ngushticës së Hormuzit – pritej brenda pak orësh. Por, deri më 9 maj, nuk kishte asnjë njoftim nga Teherani për përgjigjen e tij, përveç një deklarate të shkurtër ku vihej në pikëpyetje serioziteti i Uashingtonit në bisedime.
Nga ana tjetër Irani ka dhënë për herë të parë detaje mbi plagët e marra nga Mojtaba Khamenei, udhëheqësi aktual suprem i vendit, gjatë sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit, të cilat në fillim të konfliktit shkaktuan vdekjen e babait të tij, Ali Khamenei.
Një zyrtar iranian ka konfirmuar se Khamenei ka pësuar dëmtime në gju dhe në shpinë, por ka theksuar se ai gëzon shëndet të mirë. Sipas The Wall Street Journal, lajmi del nga një video e publikuar në rrjetet sociale nga Nour, agjenci lajmesh e lidhur me Këshillin Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit.Një ditë më parë, CNN raportoi se inteligjenca amerikane e konsideron Khamenein një figurë kyçe në strategjitë e Iranit.
Ndërkohë sipas The New York Times, Rusia po dërgon pjesë për dronë drejtpërdrejt në Iran përmes Detit Kaspik, çka shihet si një tjetër dëshmi e mbështetjes ushtarake të Moskës për Teheranin.
Gjatë konfliktit, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë goditur portin e Bandar Anzali në veri të Iranit, me qëllim ndërprerjen e dërgesave ruse të pajisjeve ushtarake, përfshirë dronët Shahed, municione artilerie dhe furnizime të tjera.
Po ashtu, Teherani po shfrytëzon armëpushimin aktual për të rindërtuar kapacitetet e tij të raketave dhe dronëve, në pritje të një rifillimi të mundshëm të përplasjeve me SHBA-në dhe Izraelin.
© SYRI.net