Vivian Jenna Wilson, vajza e Elon Musk-ut, ka folur hapur për marrëdhënien e saj të ftohtë me të atin.
Në një intervistë për Cosmopolitan, 21-vjeçarja tregoi se duket se e ka pranuar situatën, duke thënë se nuk ka ç'të bëjë më shumë për këtë situatë.
“Nuk kam ç'të bëj më shumë, kështu që kujt i intereson?” tha ajo për mënyrën si është të jesh vajza e Musk-ut. “Është pjesë e historisë sime, por nuk është e ardhmja e historisë sime.”
Musk u bë baba për herë të parë në vitin 2002, kur ish-bashkëshortja e tij, Justine Wilson, solli në jetë djalin e tyre Nevada Alexander, i cili fatkeqësisht ndërroi jetë në moshën 10 javëshe. Më pas, çifti pati edhe pesë fëmijë të tjerë: binjakët Vivian dhe Griffin, si dhe trenjakët Kai, Saxon dhe Damian.
Në vitin 2020, dy vite pasi Musk dhe këngëtarja Grimes u lidhën për herë të parë, ata njoftuan lindjen e fëmijës së tyre të parë, X Æ A-12. Ish-çifti ka edhe dy fëmijë të tjerë: vajzën Exa Dark Sideræl dhe djalin Techno Mechanicus.
Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara nga Business Insider, pak javë para lindjes së fëmijës së dytë me Grimes, Musk u bë fshehurazi baba i dy fëmijëve të tjerë, Strider dhe Azure, me Shivon Zilis, një drejtuese në kompaninë e tij Neuralink, në nëntor 2021. Çifti më pas pati edhe një vajzë, Arcadia, në shkurt 2024.
Në shkurt 2025, Ashley St. Clair zbuloi se kishte sjellë në jetë një fëmijë me Musk-un, i quajtur më vonë Romulus. Më pas, Zilis njoftoi se ajo dhe Musk kishin mirëpritur në fshehtësi edhe fëmijën e tyre të katërt, djalin Seldon Lycurgus, megjithëse nuk është e qartë kur ka lindur.
Në intervistën për Cosmopolitan, Vivian foli edhe për jetën e saj duke u rritur me shumë para. Ajo e përshkroi atë si një përvojë “shumë të çuditshme” dhe “shumë izoluese”, duke theksuar se shtresa e pasur ka botën e saj të veçantë, me shkolla dhe rrethe shoqërore të mbyllura.
“Kam ç’mësuar shumë gjëra që i kisha mësuar gabim, por edhe si fëmijë mendoja: ‘Kjo është pak pa shije’,” tha ajo. “Më kujtohet që isha shumë e vogël dhe shihja njerëz të pastrehë dhe më vinte për të vjellë. Disa më thoshin se isha dramatike, por jo, kisha të drejtë të reagoja ashtu.”
Gjatë bisedës, ajo pranoi se është rritur si “fëmijë i pasur” dhe se ka parë nga afër se si paratë mund të ndryshojnë njerëzit.
“Absolutisht po. E kam parë vetë,” tha ajo. “Të ndryshon, dhe dëshira për pushtet i prish njerëzit nga brenda.”
“Është e ekzagjeruar,” shtoi Vivian. “Arrin diçka dhe do gjithmonë më shumë, është një cikël i pafund lakmie dhe teprimi, ku asgjë nuk mjafton dhe fillon të humbasësh arsyen. Të kthen në një person tjetër, dhe kjo është një nga frikërat e mia më të mëdha.” /People – Syri.net
© SYRI.net