'Financial Times'
Donald Trump ka kërcënuar se do të ndalojë furnizimin me armë për Ukrainën për të ushtruar presion ndaj aleatëve evropianë që të bashkohen në një “koalicion të vullnetarëve” për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, sipas burimeve të informuara mbi diskutimet.
Ngushtica është mbyllur praktikisht nga Irani pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj republikës islamike në fund të shkurtit, duke bllokuar një rrugë nga ku zakonisht kalon rreth një e pesta e naftës botërore.
Presidenti amerikan u ka kërkuar marinave të NATO-s të ndihmojnë në rihapjen e kësaj rruge detare, por është refuzuar nga disa kryeqytete evropiane, të cilat argumentuan se kjo është e pamundur sa kohë konflikti vazhdon dhe se “nuk është lufta jonë”.
Sipas tre zyrtarëve të njohur me situatën, Trump reagoi duke kërcënuar se do të ndalojë furnizimet për PURL, një nismë e NATO-s për prokurimin e armëve për Ukrainën, e financuar nga vendet evropiane.
Si pasojë dhe me nxitjen e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, një grup shtetesh, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, publikuan më 19 mars një deklaratë të përbashkët ku shprehnin gatishmërinë për të kontribuar në përpjekjet për garantimin e kalimit të sigurt në Ngushticën e Hormuzit.
Një nga zyrtarët tha se Rutte këmbënguli për deklaratën, pasi Trump kishte kërcënuar të tërhiqej nga mbështetja për Ukrainën dhe nga PURL në përgjithësi. Deklarata u përgatit me shpejtësi dhe më pas iu bashkuan edhe vende të tjera.
Rutte zhvilloi disa telefonata me Trump dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në ditët para publikimit të deklaratës. Një tjetër zyrtar tha se ai u kishte shpjeguar vendeve evropiane se Trump ishte “mjaft i irrituar” nga refuzimi i tyre për të ndihmuar në mbrojtjen e ngushticës.
Zyrtarët britanikë konfirmuan se SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kishin diskutuar opsionet për sigurimin e ngushticës në nivel ushtarak, por nuk mohuan se Uashingtoni kishte kërcënuar të tërhiqte mbështetjen për Ukrainën.
Zëvendëszëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, deklaroi se Trump ka shprehur qartë pakënaqësinë ndaj NATO-s dhe aleatëve të tjerë, duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara do ta mbajnë mend këtë”.
Trump ka kritikuar vazhdimisht aleatët evropianë për mungesë mbështetjeje në përballjen me Iranin, ndërsa luftën në Ukrainë e ka cilësuar si problem të Evropës. Ai madje deklaroi se do të shqyrtonte “absolutisht” mundësinë e tërheqjes nga NATO.
Nga ana tjetër, NATO nuk komentoi mbi përmbajtjen e bisedave, ndërsa Rutte u shpreh i bindur se aleatët do të veprojnë në mbështetje të interesave të përbashkëta.
Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi se do të zhvillohen bisedime mes 35 vendeve nënshkruese për krijimin e një koalicioni për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit “pas përfundimit të luftimeve”.
Operacionet ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit kanë rritur konkurrencën globale për raketat mbrojtëse PAC-3, të përdorura edhe nga Ukraina për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.
Rubio deklaroi se furnizimet ushtarake për Ukrainën përmes mekanizmit PURL nuk janë ndikuar ende nga lufta në Lindjen e Mesme, por nuk përjashtoi që në të ardhmen SHBA mund të ridrejtojë armët për rezervat e saj.
“Nëse na duhet diçka për Amerikën dhe është amerikane, do ta mbajmë për Amerikën në radhë të parë”, tha ai.
© SYRI.net