Bahreini u dërgoi sot shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së një projektrezolutë mbi mbrojtjen e transportit detar tregtar në dhe përreth Ngushticës së Hormuzit, raportoi Reuters.
Sipas draftit, të parë nga Reuters, shtetet që veprojnë vetëm ose në koalicione vullnetare detare do të autorizohen të përdorin "të gjitha mjetet e nevojshme sipas rrethanave" në Ngushticën e Hormuzit, Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit për të siguruar kalimin dhe për të lehtësuar lundrimin ndërkombëtar.
Shtetet që mbështeten në rrugët e transportit tregtar përmes ngushticës nxiten të koordinojnë përpjekjet mbrojtëse, duke përfshirë shoqërimin e anijeve tregtare.
Burime diplomatike i thanë Reuters se negociatat ishin ende në vazhdim dhe se kishte një qëllim paraprak për ta hedhur tekstin në votim të enjten.
Bahreini paraqiti një projekt-rezolutë të rishikuar.Drafti origjinal, i mbështetur nga shtetet e tjera arabe të Gjirit dhe SHBA-të, i referohej në mënyrë të qartë Kapitullit Shtatë të Kartës së OKB-së, i cili i lejon Këshillit të Sigurimit të autorizojë masa që variojnë nga sanksionet deri te përdorimi i forcës ushtarake.
Në draftin e rishikuar, Bahreini ruajti formulimin se "të gjitha mjetet e nevojshme" duhet të përdoren për të hapur Homruzin, por hoqi formulimin e qartë që do ta kishte bërë rezolutën detyruese.
Diplomatët thanë se miratimi i draftit origjinal do të ishte i pamundur, pasi partnerët e Iranit, Rusia dhe Kina, pritej ta vinin veton nëse do të ishte e nevojshme.
Miratimi i rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së kërkon të paktën nëntë vota “po” dhe që pesë anëtarët e përhershëm, SHBA-të, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca, të mos e ushtrojnë të drejtën e tyre të vetos.
Rreth 20 përqind e furnizimeve globale të naftës kalojnë nëpër Hormuz dhe ky është themeli i ekonomisë së vendeve në Gjirin Persik.
Trafiku përmes ngushticës u ndal pothuajse plotësisht pasi Irani sulmoi anijet në të gjatë konfliktit me SHBA-në dhe Izraelin.
© SYRI.net