Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka bërë thirrje për tërheqjen e të gjithë ushtarëve amerikanë nga vendi.
Tino Chrupalla, bashkëkryetar i partisë së djathtë ekstreme, deklaroi në një takim të shtunën se është koha të largohen trupat aleate dhe armët bërthamore nga Gjermania, në mënyrë që vendi të ndjekë një politikë të jashtme “të pavarur”.
“Le të fillojmë ta zbatojmë këtë me tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania,” u tha ai mbështetësve në Saksoni.
Gati 40,000 trupa amerikane janë të vendosura në vend, i cili strehon më shumë se një duzinë instalimesh të mëdha ushtarake të SHBA-së, përfshirë selinë e komandës amerikane për Europën.
The Telegraph raportoi të premten se Donald Trump po shqyrtonte tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania,gjë të cilën ai e ka menduar që kur u rikthye në detyrë vitin e kaluar.
Presidenti amerikan, i cili ka shprehur vazhdimisht pakënaqësi ndaj aleatëve të NATO-s, ka kërcënuar të ndëshkojë vendet që nuk përmbushin kërkesën e tij për 5 për qind të shpenzimeve për mbrojtje.
Komentet e Chrupalla-s e vendosin atë në kundërshtim me administratën Trump, veçanërisht për çështjen nëse Amerika duhet të jetë në gjendje të përdorë bazat gjermane për aktivitetet e saj ushtarake në të ardhmen.
Ai ka pohuar më parë se NATO i shërben shumë interesave të SHBA-së. Të shtunën ai theksoi gjithashtu se Gjermania nuk duhet të përfshihet në luftëra të huaja.
Duke lavdëruar vendimin e Spanjës për të mos lejuar përdorimin e bazave të saj nga SHBA për të sulmuar Iranin, Chrupalla tha: “Kjo është pikërisht gjëja e duhur për t’u bërë. Spanja nuk po ndërhyn në këtë luftë.”
Baza ajrore e Ramstein-it në Gjermani po përdoret nga forcat amerikane si qendër për koordinimin e sulmeve me dronë dhe raketa kundër Iranit, duke tërhequr kritika nga politikanë të opozitës që kanë frikë se vendi mund të bëhet objektiv i kundërpërgjigjeve.
Friedrich Merz, kancelari gjerman, është kritikuar gjithashtu për mungesë të një politike të qëndrueshme lidhur me luftën Izrael-SHBA kundër Iranit.
Javën e kaluar, ai akuzoi Trump-in për një “përshkallëzim masiv” të konfliktit, në vend që të përpiqej ta ndalte luftën. Retorika mes Uashingtonit dhe Berlinit është bërë gjithnjë e më armiqësore ditët e fundit.
Rritje e mbështetjes për AfD
Një sondazh i ri i publikuar të dielën tregoi se AfD dhe kristiandemokratët (CDU) të Merz-it janë në vendin e parë me mbështetje të barabartë nga votuesit gjermanë.
Edhe pse nuk është hera e parë që partia arrin një rezultat të tillë, kjo tregon se popullariteti i së djathtës ekstreme po qëndron i fortë. Një mbështetje e tillë do ta bëjë gjithnjë e më të vështirë për partitë tradicionale gjermane të mbajnë premtimin për të mos qeverisur në koalicion me AfD-në.
CDU dhe AfD janë të dyja me nga 26 për qind, ndërsa socialdemokratët, aktualisht partner më i vogël në qeveri, mbeten në një nivel historikisht të ulët prej 14 për qind.
Të Gjelbrit e qendrës së majtë janë në 12 për qind, ndërsa demokratët e lirë liberalë në 3 për qind, më pak se pragu elektoral për të fituar vende në parlament.
Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, sipas këtyre shifrave, do të nevojitej një koalicion i vështirë me tri parti kryesore për ta mbajtur AfD-në jashtë pushtetit në nivel federal.
Ndërkohë, një sondazh i fundit në landin Saksoni-Anhalt tregoi se e djathta ekstreme është pranë arritjes së një shumice absolute në nivel rajonal.
AfD-ja më parë është përpjekur të afrohet me administratën Trump, me Chrupalla-n që mori pjesë në inaugurimin e Trump-it vitin e kaluar.
Megjithatë, politika e jashtme e presidentit amerikan, përfshirë veprimet ushtarake kundër Venezuelës dhe Iranit, e ka larguar gjithnjë e më shumë AfD-në, e cila mbron një qasje jo-ndërhyrëse, nga Uashingtoni. / Telegraph – Syri.net
© SYRI.net