Prej orës 7:00 të mëngjesit të sotëm, qytetarët italianë mbi 18 vjeç janë thirrur në votë në Itali për referendumin e 22–23 marsit 2026 mbi reformën e drejtësisë. Në total, 50 milionë qytetarë do të vendosin ditën e sotme për miratimin ose refuzimin e ndryshimeve kushtetuese. Votimet u hapën sot në mëngjes në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 23:00, ndërsa qytetarët do të mund të votojnë edhe nesër deri në orën 15:00.
Ky referendum kushtetues nuk parashikon kuorum, sepse bëhet fjalë për një referendum konfirmues, që i jep mundësinë qytetarëve të shprehen mbi vlefshmërinë e një ligji kushtetues tashmë miratuar nga Parlamenti. Kjo do të thotë se rezultati varet ekskluzivisht nga shumica e votave të vlefshme, pavarësisht nga numri i votuesve që marrin pjesë. Çdo votues kontribuon drejtpërdrejt në rezultat, pa pasur prag minimal pjesëmarrjeje, duke bërë çdo votë vendimtare. Edhe një pjesëmarrje jo shumë e lartë mund të ketë pasoja të rëndësishme për të ardhmen institucionale të vendit.
Qytetarët janë thirrur të vendosin për një reformë kushtetuese që synon të ndryshojë rrënjësisht sistemin gjyqësor italian. Reforma parashikon ndryshimin në shtatë nene të Kushtetutës, ndarjen e karrierave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, krijimin e dy Këshillave të Larta të Magjistraturës të veçanta (një për gjyqtarët dhe një për prokurorët) si dhe një Gjykatë të re të Lartë disiplinore për magjistratët e zakonshëm (e përbërë nga 15 gjyqtarë, ndër të cilët profesorë, avokatë dhe magjistratë të zgjedhur me short), e cila përqendron kompetencën disiplinore që aktualisht i takon Këshillit të Lartë të Magjistraturës.
Reforma kushtetuese, e cila u miratua nga Parlamenti me më pak se dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve dhe senatorëve, parashikon heqjen, për gjyqtarët, të mundësisë për të ndryshuar karrierën profesionale dhe për të kaluar në rolin e prokurorit, si dhe anasjelltas. Në të njëjtën kohë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili ndër të tjera vendos për ngritjet në detyrë dhe transferimet e anëtarëve të degës, ndahet në dy këshilla më të vegjël dhe privohet nga kompetenca për të vendosur sanksione ndaj gjyqtarëve që bëjnë gabime gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Për këtë qëllim është paraparë ngritja e një Këshilli Disiplinor të posaçëm.
Edhe pse teknikisht referendumi ka të bëjë me strukturën e drejtësisë, ai është kthyer në një përballje të hapur politike. Nuk është vetëm një votim teknik mbi organizimin e magjistraturës, por një provë e fortë politike për qeverinë si dhe opozitën.
Qeveria e drejtuar nga Giorgia Meloni, lider e Fratelli d’Italia, ka mbështetur fuqishëm votën “PO”, duke paraqitur reformën si një hap drejt një drejtësie më të paanshme dhe më moderne. Nga ana tjetër, opozita, përfshirë Partia Demokratike e Italisë dhe Lëvizja 5 Yje, ka bërë fushatë për “JO”, duke paralajmëruar se ndryshimet mund të dobësojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe të prishin balancat kushtetuese.
Mbështetësit e reformës argumentojnë se ndarja mes gjyqtarëve dhe prokurorëve është një standard i përhapur në shumë vende europiane dhe garanton një proces më të drejtë. Kundërshtarët, përkundrazi, theksojnë se sistemi aktual italian ka siguruar për dekada një ekuilibër të rëndësishëm dhe se ndryshimet mund të hapin rrugë për ndërhyrje politike.
Rezultati i këtij referendumi shihet gjithashtu si një test politik për qeverinë e Giorgia Melonit. Një fitore e “PO”-s do të forconte pozitat e saj dhe do të legjitimonte agjendën e reformave, ndërsa një fitore e “JO”-s do të interpretohej si një sinjal i pakënaqësisë së qytetarëve dhe një goditje për shumicën qeverisëse.
Ky referendum tregon se edhe çështjet më teknike mund të kthehen në beteja të forta politike, dhe vota e qytetarëve nuk vendos vetëm për strukturën e sistemit gjyqësor, por edhe për drejtimin politik të vendit në vitet që vijnë./Nga Alba Kepi
© SYRI.net