Sulmi me dron goditi hotelin luksoz në Dubai, turistët rrëfejnë momentin e panikut

Sulmi me dron goditi hotelin luksoz në Dubai, turistët rrëfejnë momentin e panikut

16:28, 01/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një sulm me dron goditi hotelin luksoz Fairmont The Palm në zonën e famshme Palm Jumeirah në Dubai, duke shkaktuar panik mes turistëve dhe dëme të dukshme në fasadën e ndërtesës.

Autoritetet mbyllën menjëherë zonën për siguri, ndërsa ekipet e emergjencës pastruan xhamat e thyer nga rruga. Sipas dëshmitarëve, një shpërthim i fuqishëm u dëgjua rreth orës 18:30 të së shtunës, ndërsa vizitorët ndodheshin në ambientet e hotelit.

Derek Thompson, turist nga Skocia, rrëfeu për tmerrin që përjetoi me familjen:

“Ishte një shpërthim i çmendur dhe vrapuam menjëherë për t’u strehuar. Mendonim se do të kishte një tjetër, ndaj shkuam drejt plazhit për t’u larguar nga ndërtesat, nga frika se mund të shembeshin.”

Familja u kthye më pas në dhomë, por pasi ndjeu erë tymi, vendosi të largohej më herët nga hoteli. Me hapësirën ajrore të mbyllur, largimi nga Dubai u bë i pamundur. Thompson shtoi se kishte ndjekur tensionet në rajon, por nuk kishte imagjinuar që qyteti do të goditej drejtpërdrejt. Bashkëshortja e tij, Victoria, e përshkroi përjetimin si tronditës dhe tha se nuk dihet kur do të ndihet sërish e sigurt për t’u kthyer.

Një tjetër turiste, Melissa Nicol nga Spanja, ishte nisur për në aeroport, por u detyrua të kthehej për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore. Ajo u sistemua në hotelin Five Palm Jumeirah, pranë zonës së sulmit. Pas goditjes, sirenat e alarmit u aktivizuan dhe mysafirët u evakuuan në bodrum, ku kaluan natën për arsye sigurie.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim ndërkombëtar dhe autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar autorët dhe motivet e sulmit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco