Roberto Vannacci largohet nga Lega, nis rrugëtimin e pavarur dhe del nga Grupi i Patriotëve në PE
Roberto Vannacci, eurodeputet dhe ish-nënkryetar i Partisë Lega për Matteo Salvini, ka njoftuar sot largimin e tij nga kjo forcë politike dhe themelimin e një partie të re të djathtë me emrin “Futuro Nazionale” (E Ardhmja Kombëtare).
Në një deklaratë për mediat dhe rrjetet sociale, Vannacci tha se synon të ndryshojë Italinë, duke e shndërruar atë në një vend sovran, të sigurt, të lirë, të zhvilluar dhe të begatë.
“Vazhdoj në rrugën time së bashku me ata që ndjekin ëndrrën për t’u lënë fëmijëve një Itali më të mirë se ajo që morëm nga prindërit tanë. Futuro Nazionale është tashmë një realitet,” u shpreh ai.
Vannacci është një ish-gjeneral dhe figurë e njohur në skenën politike italiane. Ai ka shërbyer si komandant i Reggimentit elitë “Col Moschin”, i Brigadës “Folgore”, si dhe ka marrë pjesë në misione ushtarake italiane në Irak dhe Afganistan. Në vitin 2024 u zgjodh eurodeputet duke kandiduar si i pavarur në listat e Lega-s dhe më pas u emërua nënsekretar i kësaj partie.
Në vitin 2023, publikimi i librit të tij “Il mondo al contrario” e vendosi në qendër të debatit publik për shkak të qëndrimeve të forta dhe të kontestuara mbi emigracionin, të drejtat e komunitetit LGBTQ+, feminizmin dhe çështjet mjedisore, çka çoi edhe në një pezullim të përkohshëm nga shërbimi ushtarak, raporton për Syri TV gazetaria Alba Kepi.
Në njoftimin e sotëm, Vannacci deklaroi se largimi nga Lega vjen si pasojë e refuzimit të kompromiseve dhe marrëveshjeve të brendshme politike, duke synuar ndërtimin e një projekti të ri politik të bazuar mbi parimet e sovranitetit, sigurisë dhe zhvillimit kombëtar.
Si pasojë e këtij largimi, Roberto Vannacci nuk është më anëtar i Grupit të Patriotëve (PfE) në Parlamentin Evropian. Grupi i Patriotëve bëri të ditur se vendimi lidhet drejtpërdrejt me largimin e tij nga Lega, duke e bërë qëndrimin e tij të papajtueshëm me strukturën politike të grupit.
Në të njëjtën deklaratë, Grupi i Patriotëve theksoi se Lega mbetet një parti partnere me të drejta të plota brenda familjes politike të Patriotëve në nivel evropian, ndërsa bashkëpunimi me këtë forcë politike vijon i pandryshuar. Sipas PfE, grupi mbetet i përkushtuar për të garantuar një përputhshmëri të qartë politike dhe një anëtarësi koherente, të bazuar në përkatësinë politike.
Partia e re Futuro Nazionale pozicionohet si një forcë e djathtë nacionaliste dhe euroskeptike. Analistët vlerësojnë se kjo lëvizje mund të ndikojë ndjeshëm në balancat e krahut të djathtë italian, duke krijuar si sfida ashtu edhe mundësi të reja bashkëpunimi me partitë ekzistuese.
Nga ana e tij, drejtuesi i Lega-s, Matteo Salvini, ka shprehur zhgënjimin për largimin e Vannaccit, duke e cilësuar atë si të papritur dhe të hidhur për partinë. Eksponentë të tjerë të Lega-s kanë komentuar se largimi nga partia mund të sjellë rishikim edhe të pozicionit të tij në Parlamentin Evropian.
© SYRI.net