Cikloni 'Harry' paralizon jugun e Italisë, përmbyt qytete dhe fundos automjete

Cikloni 'Harry' paralizon jugun e Italisë, përmbyt qytete dhe fundos automjete

16:22, 21/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Jugu i Italisë po përballet me ciklonin “Harry”, i cili po merr me vete çdo gjë që i del para. Stuhia ka prekur edhe Greqinë e Spanjën, duke mobilizuar autoritetet që të shpallin planet e emergjencave.

Stuhia e fuqishme, e njohur si cikloni Harry, ka goditur rëndë jugun e Italisë, duke shkaktuar përmbytje, erëra të forta dhe dallgë të rrezikshme në brigjet e Siçilisë, Sardenjës dhe Kalabrisë.

Si pasojë e motit ekstrem, zjarrfikësit italianë janë detyruar të kryejnë mbi 1 mijë e 650 operacione kërkim-shpëtimi gjatë tre ditëve të fundit, njoftuan autoritetet.

Nga pamjet shihen ekipet e shpëtimit në portin e vogël Arenella në Palermo, duke kontrolluar zonën, pasi dallgë të fuqishme tërhoqën një automjet të parkuar drejt detit. Mjeti u fundos më pas, ndërsa drejtuesi arriti të dalë nga makina dhe të shpëtojë pa lëndime.

Stuhia ka sjellë reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe rritje të nivelit të detit që prej 19 janarit, duke detyruar autoritetet të angazhojnë 1 mijë e 480 zjarrfikës në tre rajonet më të goditura.

Siçilia ka regjistruar numrin më të lartë të ndërhyrjeve, me mbi 1 mijë e 13 operacione. Në Palermo, tetë persona, mes tyre dy fëmijë, u evakuuan nga banesat, pasi uji i detit përmbyti katet e nëndheshme të ndërtesave.

Në Sardenjë, zjarrfikësit kryen mbi 360 operacione, kryesisht në pjesët lindore dhe jugore të ishullit, me forca shtesë të angazhuara për të përballuar emergjencën.

Ndërkohë, në Kalabri u përfunduan 293 operacione shpëtimi, kryesisht përgjatë bregdetit, ku përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut kanë krijuar probleme serioze në qarkullim dhe furnizim me energji.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të emergjencës.

Në Greqi, moti i keq ka përfshirë një pjesë të madhe të vendit, me shira të rrëmbyeshëm, reshje dëbore dhe erëra të forta. Kjo situatë ka shkaktuar mbylljen e shkollave dhe kufizimin e transportit publik.

E njëjta gjendje paraqitet edhe në Spanjë, ku stuhia Harry goditi bregdetin e Katalonjës, duke shkaktuar valë të mëdha që detyruan mbylljen e plazheve, ndërsa autoritetet aktivizuan planet e emergjencës.

Valët arritën deri në 2.5 metra lartësi, sipas zyrtarëve lokalë, të cilët i paralajmëruan banorët të shmangnin vijën bregdetare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco