Lajmi i fundit

'Atdheu thërret, diaspora përgjigjet'/ Mijëra emigrantë mbërrijnë në Tiranë, kërkohet largimi i Ramës

Oxfam: Pasuria e miliarderëve u rrit me shifra rekord, pabarazia kërcënon demokracinë

Oxfam: Pasuria e miliarderëve u rrit me shifra rekord, pabarazia kërcënon demokracinë

14:40, 19/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pasuria e miliarderëve në mbarë botën shënoi rritje rekord gjatë vitit të kaluar, duke thelluar pabarazinë ekonomike dhe duke e shndërruar atë gjithnjë e më shumë në pabarazi politike, që përbën rrezik serioz për demokracinë. Ky është përfundimi kryesor i raportit më të fundit të koalicionit ndërkombëtar të organizatave joqeveritare Oxfam, i publikuar sot.

Sipas raportit, miliarderët e botës e rritën pasurinë e tyre me rreth 2.4 trilionë euro vetëm gjatë vitit të kaluar. Oxfam thekson se kjo shumë do të mjaftonte që çdo person në planet të merrte rreth 250 dollarë, ndërsa miliarderëve do t’u mbetnin ende mbi 500 miliardë dollarë.

Raporti vëren se vendet me nivele të larta pabarazie kanë shtatë herë më shumë gjasa të përjetojnë rënie demokratike krahasuar me vendet më të barabarta ekonomikisht. Po ashtu, një miliarder ka rreth 4,000 herë më shumë gjasa të fitojë poste politike sesa një person pa pasuri të madhe.

“Kjo tregon se përqendrimi ekstrem i pasurisë përkthehet drejtpërdrejt në pushtet politik. Pabarazia ekonomike po bëhet pabarazi politike, duke çuar në erozion të sundimit të ligjit, kufizim të lirive civile dhe manipulim të proceseve zgjedhore”, thuhet në raport.

Këshilltarja e Oxfam, Chiara Putaturo, deklaroi për EUobserver se “nuk po flasim vetëm për para që blejnë mallra luksi, por për para që blejnë politikë, zgjedhje, gjyqtarë dhe ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje”.

Raporti përmend edhe zhvillimet politike në SHBA, duke theksuar se në vitin 2025 u inaugurua një president miliarder me një kabinet multimiliarderësh, të mbështetur financiarisht nga Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, i cili ka marrë rol kyç në administratë.

Sipas Oxfam, super të pasurit kanë përdorur prej kohësh pasurinë e tyre për të blerë ndikim politik dhe për të mbështetur parti e kandidatë, duke minuar parimin demokratik “një person, një votë” dhe duke e zëvendësuar atë me një sistem de facto “një dollar, një votë”.

Raporti paralajmëron gjithashtu për përqendrimin e pasurisë në sektorin e informacionit. Miliarderët zotërojnë tashmë më shumë se gjysmën e mediave më të mëdha në botë dhe shumicën e platformave kryesore sociale. Si shembuj përmenden Jeff Bezos, pronar i Washington Post, Patrick Soon-Shiong, pronar i Los Angeles Times, Elon Musk, pronar i platformës X (ish-Twitter), si dhe një konsorcium miliarderësh që ka blerë një pjesë të konsiderueshme të aksioneve në revistën Economist.

Ky trend, sipas Oxfam, nuk është i kufizuar vetëm në SHBA. Në Evropë, miliarderi francez i ekstremit të djathtë Vincent Bolloré ka transformuar kanalin CNews në atë që kritikët e quajnë “Fox News-i francez”, ndërsa në Britaninë e Madhe, rreth 75 për qind e gazetave kontrollohen nga vetëm katër familje të pasura.

Në Bashkimin Evropian, pasuria totale e miliarderëve arriti në 2.4 trilionë euro deri në fund të nëntorit të vitit të kaluar, një rritje prej 19 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Oxfam vlerëson se më pak se 3.5 për qind e kësaj pasurie, rreth 84 miliardë euro, do të mjaftonte për të zhdukur varfërinë ekstreme në nivel global.

Sipas raportit, problemi kryesor mbetet ndikimi joproporcional i të pasurve në lobimin politik brenda BE-së, ku interesat e tyre përkthehen në politika dhe vendime që favorizojnë elitën, ndërsa pjesët më të varfra të shoqërisë mbeten pa zë të barabartë në procesin vendimmarrës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco