Për më shumë se një dekadë, Rojava kurde ka qenë strehë dhe avangardë demokratike në një Siri të shkatërruar nga lufta, torturat e regjimit të Assadit dhe dhuna xhihadiste. Roli vendimtar i kurdëve në çlirimin e Raqas nga ISIS-i, me mbështetjen amerikane, si edhe rezistenca simbolike e Kobanes, janë rrëfyer në libra, filma dhe dokumentarë. Sot, ky eksperiment i vetëqeverisjes në verilindje të Sirisë, i bazuar në konfederalizmin demokratik, rrezikon të zhduket.
Gjatë fundjavës, me një ofensivë rrufe, forcat e Ahmed al Sharaa, presidenti sirian i pa zgjedhur dhe me të kaluar xhihadiste sunite, kanë marrë nën kontroll territore strategjike në lindje dhe perëndim të Eufratit, që më parë administroheshin nga SDF (Forcat Demokratike Siriane). Këto forca, të lindura nga një aleancë anti-Assad mes kurdëve dhe fiseve arabe, kanë humbur pa rezistencë të fortë lagjet që kontrollonin në lindje të Alepos, më pas qytetin strategjik të Taqbas me digën që furnizon centralin kryesor hidroelektrik të vendit, si edhe pothuajse tërësisht Raqan dhe Deir el-Zorin, zonë kyçe ku ndodhen puset e naftës të Conoco dhe al-Omar, për vite me radhë bazë amerikane.
Në Raqqa dhe Deir el-Zor, kurdët administronin territore me shumicë arabe. Pikërisht rebelimi i fiseve arabe kundër administratës kurde ka bërë të mundur avancimin e shpejtë të forcave qeveritare. Në qytetin që u çlirua nga ISIS-i me një kosto të lartë njerëzore për YPG-në, grupe të rinjsh arabë rrëzuan posterat e Abdullah Ocalan-it, liderit kurd të burgosur në Turqi, dhe monumentet kushtuar luftëtarëve të rënë kundër xhihadistëve.
Pas orësh tensioni, në mbrëmje al Sharaa shpalli armëpushim dhe publikoi një marrëveshje me dhjetë pika për përfundimin e armiqësive. Marrëveshja ende nuk është firmosur nga Mazloum Abdi, komandanti i SDF-së, zyrtarisht për shkak të motit të keq që e pengoi të udhëtonte drejt Damaskut. “Administrata autonome e SDF-së ka përfunduar, shteti sirian është i centralizuar”, deklaroi al Sharaa.
Vetëm tre ditë më parë, nën presionin amerikan, ish-xhihadisti kishte nënshkruar një dekret që njeh gjuhën kurde si gjuhë kombëtare, rikthen shtetësinë për mijëra kurdë të privuar nga regjimi Assad dhe shpall Nowruz-in, Vitin e Ri kurd, festë kombëtare. Një hap i rëndësishëm, por i pamjaftueshëm sipas kurdëve, të cilët kërkojnë që këto garanci të përfshihen në Kushtetutën siriane.
Sipas marrëveshjes, SDF-ja do të integrohet në ushtrinë siriane në mënyrë individuale, jo si njësi të veçanta; do të dorëzojë kontrollin e pikave kufitare dhe administrimin e Raqas, Deir el-Zorit dhe Hasakas, duke iu nënshtruar autoritetit të Damaskut. Gjithashtu, kurdët duhet të dëbojnë elementët jo-sirianë të lidhur me PKK-në, një zhvillim që konsiderohet sukses për presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. Në këmbim, kurdëve mund t’u lejohet një polici lokale në Kobane dhe ndoshta drejtimi i qytetit Hasaka.
Kthesa në verilindje të Sirisë lidhet me ndryshimin e strategjisë së Uashingtonit, i cili po mbështet al Sharaa për të ardhmen e vendit. Ish-aleatët kurdë, vendimtarë në luftën kundër ISIS-it, do të duhet të kënaqen me koncesione të kufizuara. Burgjet ku mbahen mijëra luftëtarë të ISIS-it do të kalojnë nën kontrollin e Damaskut, siç i kishte premtuar al Sharaa, Donald Trump-it në këmbim të heqjes së sanksioneve.
Sot, al Sharaa pritej të udhëtonte drejt Gjermanisë për një vizitë shtetërore, mes protestave të aktivistëve për masakrat e kryera nga milicitë pro-qeveritare kundër pakicave alavite dhe druze, por udhëtimi është shtyrë.
© SYRI.net