Autoritetet indoneziane po kërkojnë një avion të vogël pasagjerësh, pasi të shtunën humbi kontakti me mjetin ajror që transportonte 11 persona, kanë bërë të ditur zyrtarët e shpëtimit për AFP.
Avioni turboprop i kompanisë Indonesia Air Transport ishte nisur nga Yogyakarta dhe po udhëtonte drejt qytetit Makassar, në ishullin Sulawesi. Në bord ndodheshin tre pasagjerë dhe tetë anëtarë të ekuipazhit, sipas agjencisë së kërkim-shpëtimit në Makassar.
Kontakti me avionin u humb pak pas orës 13:00 me orën lokale (06:00 GMT).
Muhammad Arif Anwar, kreu i agjencisë lokale të kërkim-shpëtimit, tha se ekipet janë dislokuar në një zonë malore të rrethit Maros, i cili kufizohet me Makassarin, pranë vendndodhjes së fundit të njohur të avionit.
Kërkimet në tokë dhe nga ajri po kryhen me pjesëmarrjen e forcave ajrore, policisë dhe vullnetarëve, shtoi ai.
Ndërkohë, Andi Sultan, shefi i operacioneve në agjencinë e kërkim-shpëtimit të Makassar-it, bëri të ditur se po përdoren dronë dhe një helikopter për të gjetur avionin.
Prodhuesi i avionit, kompania franceze ATR, njoftoi se ishte informuar për “një aksident” që përfshin një nga avionët e saj.
“Specialistët e ATR janë plotësisht të angazhuar për të mbështetur si hetimin e drejtuar nga autoritetet indoneziane, ashtu edhe operatorin,” thuhet në një deklaratë të kompanisë.
Indonezia, një arkipelag i madh në Azinë Juglindore, mbështetet shumë te transporti ajror për të lidhur mijëra ishujt e saj.
Vendi ka një bilanc të dobët të sigurisë ajrore, me disa aksidente fatale vitet e fundit.
Në shtator të vitit të kaluar, një helikopter me gjashtë pasagjerë dhe dy anëtarë ekuipazhi u rrëzua pak pasi u ngrit nga provinca e Kalimantanit Jugor, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë personave në bord.
Më pak se dy javë më vonë, katër persona humbën jetën kur një tjetër helikopter u rrëzua në distriktin e largët Ilaga, në Papua.
© SYRI.net