Më shumë se 100 persona kanë vdekur si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm dhe përmbytjeve në Afrikën e Jugut, Mozambik dhe Zimbabve, dhe autoritetet kanë paralajmëruar se moti më i keq pritet në disa vende të Afrikës së Jugut.
Afrika e Jugut ka raportuar të paktën 19 vdekje në veri të vendit, ndërsa shirat e rrëmbyeshëm që filluan muajin e kaluar çuan në përmbytje masive.
Autoritetet në Mozambikun fqinj thanë se 103 persona kishin vdekur gjatë një sezoni jashtëzakonisht të rrëmbyeshëm shirash. Shkaku i vdekjes së këtyre njerëzve ndryshon - goditje rrufeje, mbytje në përmbytje, shembje infrastrukture për shkak të stuhive dhe kolerës.
Përmbytjet më të këqija në Mozambik ishin në rajonet qendrore dhe jugore, ku më shumë se 200,000 njerëz janë prekur, mijëra shtëpi janë dëmtuar dhe dhjetëra mijëra po përgatiten të evakuohen, tha Programi Botëror i Ushqimit.Në Zimbabve, autoritetet thanë se 70 persona kishin vdekur, më shumë se një mijë shtëpi ishin shkatërruar nga shirat e rrëmbyeshëm që nga fillimi i vitit, dhe infrastruktura, përfshirë shkollat, rrugët dhe urat, ishte shembur.
Përmbytjet kanë prekur edhe shtetin ishullor të Madagaskarit , ku 11 persona kanë vdekur në përmbytje që nga fundi i nëntorit, si dhe shtetet e Malavit dhe Zambisë.
Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm për Urinë në SHBA tha se përmbytje u raportuan ose priten në të paktën shtatë vende të Afrikës Jugore, ndoshta për shkak të pranisë së fenomenit klimatik La Niña, i cili mund të sjellë shira të rrëmbyeshëm në pjesë të Afrikës Juglindore.
© SYRI.net