Ja pse kapja e Maduros ishte operacioni më i guximshëm dhe më efektiv i forcave speciale në histori

Ja pse kapja e Maduros ishte operacioni më i guximshëm dhe më efektiv i forcave speciale në histori

13:54, 05/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Gavin Mortimer, SPECTATOR

Në këtë rast, askush nuk mund ta akuzojë Donald Trumpin për hiperbolë. Presidenti amerikan e lavdëroi ekipin e “Delta Force”, që arrestoi presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, si “të jashtëzakonshëm”.

Operacioni për kapjen e Maduros – me emrin e koduar “Absolute Resolve” – ishte përgatitur për muaj të tërë, dhe Trump e ndoqi zhvillimin e tij në kohë reale.

“Ata hynë në vende ku realisht nuk mund të hyhej,” tha ai. “Nuk kam parë kurrë diçka të tillë”.

Sipas New York Times, operacioni nisi që në gushtin e kaluar, kur oficerë të CIA-s u infiltruan në Venezuelë dhe nisën të mbledhin informacione mbi zakonet dhe lëvizjet e Maduros. Ata u ndihmuan nga dronë të padukshëm që fluturonin lart në qiell, dhe të dhënat e mbledhura u përdorën për të ndërtuar një model në përmasa reale të kompleksit presidencial, në shtetin amerikan Kentucky. Komandot e “Delta Force” u stërvitën vazhdimisht për operacionin, ndërsa prisnin urdhrin përfundimtar nga Shtëpia e Bardhë.

Trump dha dritën jeshile të premten në mbrëmje. Edhe ai vetë duhet të ketë pasur shqetësime. Në vitin 1980, një operacion i “Delta Force” për të liruar pengjet amerikane në Iran përfundoi në katastrofë; 13 vite më vonë, një mision për të kapur një lord lufte në Somali dështoi dhe forcat speciale amerikane pësuan humbje të mëdha – një ngjarje e përjetësuar në librin dhe filmin “Black Hawk Down”.

Një nga mësimet kryesore të nxjerra nga Somalia ishte rëndësia e “sistemeve të armëve të kombinuara” – pra, mbështetja e komandove në terren me aviacion, tanke dhe pajisje të rënda ushtarake.

Më shumë se 150 avionë ushtarakë morën pjesë në operacionin “Absolute Resolve”, duke neutralizuar mbrojtjen ajrore të Venezuelës, në mënyrë që helikopterët me komandot e “Delta Force” të mund të arrinin objektivin. Një helikopter u godit dhe gjashtë ushtarë u plagosën, megjithatë misioni ishte një sukses spektakolar dhe, sipas shumëkujt, operacioni më i guximshëm dhe më efektiv i forcave speciale në histori.

Në vitin 2011, një ekip i Navy SEALs vrau Osama bin Ladenin në strehën e tij në Pakistan. Objektivi u eliminua. Por është shumë më e lehtë të vrasësh një objektiv në territor neutral sesa ta kapësh atë në kryeqytetin e tij, të fortifikuar dhe të mbrojtur.

Në vitin 1944, dy oficerë britanikë të SOE, Patrick Leigh Fermor dhe Billy Moss, me ndihmën e partizanëve vendas, rrëmbyen gjeneralin gjerman Heinrich Kreipe në Kretë dhe e nxorën fshehurazi nga ishulli me një anije të Marinës Mbretërore.

Një vit më parë, kapiteni i SS, Otto Skorzeny, dhe një njësi elitare gjermane kishin liruar diktatorin italian Benito Mussolini nga një hotel i izoluar në malet Apenine. Me dhjetë avionë, gjermanët sulmuan hotelin, neutralizuan rojet italiane dhe e larguan Mussolinin me një avion të vogël që u ul mjeshtërisht në një shpat mali.

Dallimi kryesor mes Mussolinit dhe Maduros? I pari donte të shpëtohej, i dyti jo.

Kapja e presidentit venezuelas është një triumf jo vetëm për Trump, por edhe për “Delta Force”. Edhe pse krahasimet janë gjithmonë të vështira, “Delta Force” tani kanë tejkaluar njësinë britanike SAS si forca speciale më elitare në botë.

Trajnimi i tyre nuk ndryshon shumë, por amerikanët kanë avantazh material për shkak të madhësisë dhe fuqisë së ushtrisë së SHBA. Ushtria britanike nuk është e aftë të kryejë një operacion në shkallën e “Absolute Resolve”.

Për më tepër, morali i “Delta Force” nuk është minuar nga politikanët, ashtu siç ka ndodhur me SAS-in. Vetëm javën e kaluar, ish-oficerë të lartë të SAS paralajmëruan se “lufta ligjore” e qeverisë laburiste kundër regjimentit mund t’i bëjë ushtarët tepër të kujdesshëm dhe të paralizuar në vendimmarrje.

Ata thanë: “Mbroni mbrojtësit tanë në mënyrë të drejtë dhe të vendosur, me sy hapur ndaj kaosit moral të luftës – ose vazhdoni t’i bëni punën armikut, një rrjedhje informacioni, një hetim, një ushtar të thyer çdo herë. Një demokraci që nuk i mbështet luftëtarët e saj, nuk zgjat shumë”.

“Delta Force” u krijua nga Charles Beckwith, një amerikan që shërbeu si oficer shkëmbimi në SAS në fillim të viteve ’60. I impresionuar nga SAS-i (i themeluar më 1941), Beckwith propozoi krijimin e një njësie të ngjashme amerikane – dhe kështu lindi “Delta Force” në vitet ’70.

Beckwith udhëhoqi misionin e parë fatkeq të “Delta Force” në Iran në vitin 1980, dy javë para se SAS-i të sulmonte ambasadën iraniane në Londër. Ai operacion, i filmuar, e bëri SAS-in të famshëm dhe të frikshëm në mbarë botën.

“Delta Force” sapo ka arritur diçka të ngjashme – duke marrë me vete Nicolás Maduron.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco