‘The Telegraph’: Asnjë diktator në botë nuk do e bëjë më gjumin e qetë

‘The Telegraph’: Asnjë diktator në botë nuk do e bëjë më gjumin e qetë

09:43, 05/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Hamish de Bretton-Gordon, THE TELEGRAPH

Operacioni “Absolute Resolve”, kapja e guximshme nga qeveria amerikane e presidentit venezuelian Nicolás Maduro, është një kujtesë e fortë e fuqisë së jashtëzakonshme dhe unike ushtarake që ka në dispozicion Presidenti Trump kur vendos ta përdorë. Çdo diktator, despot dhe regjim i dalë nga kontrolli, e ka marrë mesazhin: asnjë tiran nuk është i paarritshëm nëse SHBA vendos të veprojë.

Ky veprim vjen menjëherë pas operacionit të vitit të kaluar për çmontimin e programit bërthamor iranian, i cili po avanconte drejt armëve bërthamore – një veprim që ende po jehon si në Teheran, ashtu edhe në Moskë. Në atë fushatë, avionë amerikanë dhe izraelitë depërtuan pa vështirësi në hapësirën ajrore iraniane, duke shmangur ose shkatërruar sistemet e mbrojtjes ajrore S-300 të furnizuara nga Rusia, të cilat supozohej se do t’ua ndalonin hyrjen. Objektivi nuk ishte thjesht infrastruktura, por ambicia strategjike e Iranit për t’u rikthyer si fuqi dominuese rajonale – ambicie tashmë e goditur rëndë nga shkatërrimi që Izraeli i bëri forcave proxy të Teheranit: Hezbollahut, Hamasit dhe Huthëve.

Me Iranin, që tani përballet me trazira të brendshme gjithnjë e më të mëdha, të nxitura nga kolapsi ekonomik dhe dekada represioni, kërcënimet publike të Trump për të mbështetur protestuesit do të jenë thellësisht shqetësuese për ajatollahët. Shumë vëzhgues me përvojë besojnë se regjimi po jeton me “kohë të huazuar”. Dhe me Trump të inkurajuar nga suksesi i operacionit në Venezuelë, do të ishte e pamatur të mendohej se Irani nuk është më në shënjestër.

Edhe Moska do t’i ndjekë këto zhvillime me shqetësim në rritje. Trump e ka bërë të qartë se një marrëveshje paqeje për Ukrainën është praktikisht gati dhe se vetëm Rusia – dhe personalisht Putini – qëndrojnë në rrugën e përfundimit të saj. Reagimi gjithnjë e më nervoz i Kremlinit në internet sugjeron se ky mesazh ka goditur në shenjë. Ashtu si në Iran, edhe popullsia ruse po bëhet gjithnjë e më e pakënaqur, me besimin ndaj një tiranie të korruptuar dhe shkatërruese ekonomikisht që po gërryhet gradualisht.

A kanë të drejtë ajatollahët, Putini dhe autokratët e tjerë të shqetësohen? Pa asnjë dyshim, po. Shkalla, saktësia dhe guximi i operacionit “Absolute Resolve” janë pothuajse pa precedent. Bota pa me mosbesim se si forcat speciale amerikane praktikisht hynë në dhomën e gjumit të Maduros dhe e dërguan atë në një sallë gjyqi amerikane brenda 24 orësh. Mesazhi është i qartë: nëse Uashingtoni mund ta bëjë këtë në Karakas, atëherë Moska dhe Teherani nuk mund të supozojnë se janë të paprekshëm.

Ky operacion ishte përgatitur për muaj, në mos për vite. Ai kërkoi një gamë të gjerë kapacitetesh ushtarake amerikane – detare, ajrore, kibernetike dhe inteligjence – të zbatuara me siguri operative të jashtëzakonshme. Një prani e madhe detare u dislokua në Karaibet jugore, e mbështetur nga një përpjekje inteligjence që përfshinte përgjim elektronik, burime njerëzore dhe, me shumë gjasë, depërtim të thellë në aparatin shtetëror venezuelas. Rreth 150 avionë – luftarakë, bombardues dhe transportues – formuan shtyllën kurrizore të operacionit, duke dërguar forcat Delta, ekuivalentin amerikan të SAS-it britanik, drejtpërdrejt mbi objektiv. Disa nyje kyçe ushtarake u neutralizuan njëkohësisht për të garantuar suksesin, duke pasqyruar kompleksitetin dhe koordinimin e goditjes ndaj objekteve bërthamore iraniane.

Delta Force u modelua sipas SAS-it kur u krijua dhe me shumë gjasë është e vërtetë të thuhet se ushtarët e SAS-it janë po aq të aftë sa ata të Delta Force. Madje, mund të thuhet se shumë vende kanë njësi elitare të operacioneve speciale të nivelit të parë, po aq të mira ose afërsisht të tilla.

Ajo që vende të tjera, si Britania, nuk e kanë, është fuqia ajrore e dislokueshme, asetet e inteligjencës, infrastruktura strategjike dhe kapacitetet e transportit dhe futjes në terren që e çojnë Delta Force drejt e në “kështjellën” e Maduros pothuajse pa paralajmërim. Delta Force ishte vetëm maja e një heshtje masive amerikane; dhe pikërisht kjo heshtë është unike, më shumë sesa vetë Deltat, sado jashtëzakonisht të aftë që janë.

Maduro nuk ishte i pakujdesshëm. Me një shpërblim prej 50 milionë dollarësh të ofruar nga SHBA për kapjen e tij, me siguri personale të shtuar dhe një ushtri të konsiderueshme në dispozicion, ai megjithatë rezultoi plotësisht i pafuqishëm.

Duke pasur përvojë personale në këtë rajon të Amerikës së Jugut dhe me familje ende atje, mund të dëshmoj se sa jashtëzakonisht e vështirë do të ishte planifikimi dhe zbatimi i një operacioni të tillë mes rrjeteve kriminale, korrupsionit dhe pasigurisë së përhapur. Fakti që SHBA ia doli kaq pastër, vetëm sa e përforcon mesazhin.

Efektet zinxhir tashmë po ndihen në të gjithë Evropën Lindore dhe Lindjen e Mesme. Kjo është fuqi ushtarake në një shkallë që edhe Kina do ta kishte të vështirë ta barazonte, dhe shumë përtej asaj që Putini mund të shpresojë realisht të arrijë.

Pra, çfarë do të thotë kjo? Shpresa duhet të jetë që Presidenti Trump tani ta përdorë këtë peshë për ta detyruar Moskën të pranojë një paqe të vërtetë në Ukrainë. Dobësimi i ndikimit dashakeq të Iranit dhe çlirimi i popullit të tij nga tirania janë gjithashtu objektiva të denja, por për Evropën, ndalimi i agresionit rus duhet të jetë përparësia kryesore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco