Sot, ekipet e kërkimit gjetën kutitë e zeza nga kabina e avionit në të cilin u vra kreu i ushtrisë libiane dhe oficerë të tjerë të lartë, ndërsa kërkimi për mbetjet e viktimave është ende duke vazhduar, njoftoi Ministria e Brendshme Turke.
Një aeroplan privat që transportonte gjeneralin Muhammad Ali Ahmad al-Hadad, katër oficerë të tjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit u rrëzua në Turqi të martën, pasi u ngrit nga Ankaraja. Të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit vdiqën në aksident.
Zyrtarët libianë thanë se shkaku i rrëzimit ishte një defekt teknik i aeroplanit.
Një delegacion i nivelit të lartë libian ishte duke u kthyer në Tripoli, pasi zhvilloi bisedime për mbrojtjen në Ankara, të cilat synonin forcimin e bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve.
Ministri i Brendshëm Ali Jerlikaya u tha gazetarëve në vendin e rrëzimit se mbetjet e aeroplanit ishin të shpërndara në një sipërfaqe prej tre kilometrash katrorë, duke i komplikuar përpjekjet për të gjetur mbetjet e viktimave.
Një delegacion prej 22 personash, përfshirë pesë anëtarë të familjeve, mbërriti nga Libia herët këtë mëngjes për të ndihmuar me hetimin, tha ai.
Kryeministri libian Abdul Hamid Dbeibah konfirmoi vdekjen e gjeneralit të martën, duke e përshkruar aksidentin si një "humbje të madhe" për Libinë.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi një bisedë telefonike me Dbeibahun, gjatë së cilës shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen e njerëzve, tha zyra e tij.
Al-Hadad ishte komandanti më i lartë ushtarak në Libinë perëndimore dhe luajti një rol kyç në përpjekjet e vazhdueshme të ndërmjetësuara nga OKB-ja për të bashkuar ushtrinë libiane, e cila është e përçarë, ashtu si edhe institucionet e tjera libiane.
Katër oficerët e tjerë që vdiqën në përplasje ishin Gjenerali Al-Fituri Ghraibil, Komandanti i Forcave Tokësore Libiane, Gjenerali i Brigadës Mahmoud Al Qatawi, i cili drejtonte Drejtorinë e Prodhimit Ushtarak, Mohamed Al-Assawi Diab, Këshilltar i Shefit të Shtabit, dhe Mohamed Omar Ahmed Mahjoub, një fotograf ushtarak në Zyrën e Shefit të Shtabit.
Qeveria libiane shpalli tre ditë zie kombëtare. Flamujt do të ulen në gjysmë shtizë në të gjitha institucionet shtetërore, sipas një deklarate qeveritare në Facebook.
Mbetjet e aeroplanit u gjetën pranë fshatit Kesikavak, në Haymana, një distrikt rreth 70 kilometra në jug të Ankarasë.
Në vendin e rrëzimit, ekipet e kërkim-shpëtimit intensifikuan operacionet e tyre të mërkurën pas një nate me shi të rrëmbyeshëm dhe mjegull, raportoi agjencia shtetërore Anadolu.
Xhandarmëria rrethoi zonën, ndërsa agjencia turke për menaxhimin e fatkeqësive ngriti një qendër koordinimi mobile.
Mjete të specializuara, të tilla si ambulancat me zinxhirë, janë vendosur në dispozicion për shkak të terrenit me baltë.
Turqia ka emëruar katër prokurorë për të udhëhequr hetimin, dhe Jerlikaya tha se ekipet e kërkim-shpëtimit të Turqisë kanë 408 persona.
Ndërsa ndodhej në Ankara, El Haddad u takua me ministrin turk të Mbrojtjes, Yashar Guler, dhe zyrtarë të tjerë.
Libia u zhyt në kaos pas një kryengritjeje të vitit 2011 që rrëzoi dhe vrau diktatorin e hershëm Muamar Gadafi. Vendi është ndarë, me qeveri rivale në lindje dhe perëndim, të mbështetura nga një sërë milicish të papërgjegjshme dhe qeveri të huaja.
Turqia ka qenë një aleate e qeverisë libiane në perëndim, por kohët e fundit ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar lidhjet edhe me qeverinë me seli në lindje.
Vizita e delegacionit libian të martën erdhi një ditë pasi parlamenti i Turqisë miratoi një zgjatje dyvjeçare të mandatit të forcave turke që shërbejnë në Libi.
Turqia i vendosi forcat pas një marrëveshjeje të vitit 2019 për bashkëpunim sigurie dhe ushtarak të arritur midis Ankarasë dhe qeverisë me seli në Tripoli.
© SYRI.net