Nga Alba Kepi
Një zhvillim i rëndësishëm po trondit mediat italiane: grupi grek Antenna 1, i kontrolluar nga familja Kyriakou, ka shfaqur interes për blerjen e disa prej të përditshmeve më të rëndësishme të vendit, duke përfshirë la Repubblica, La Stampa dhe rrjetin radiofonik të grupit Gedi.
Vlera e mundshme është mbi 140 milionë euro.
Burimet tregojnë se grupi grek synon kryesisht la Repubblica dhe radio, Radio DeeJay e radio Capital, ndërsa pjesa tjetër e asetet, përfshirë La Stampa, mund të shitet më vonë, në një proces të quajtur “copëtim” i grupit.

Ky skenar ka shkaktuar reagim të fortë në redaksi. Gazetarët e la Repubblica, La Stampa dhe mediave të tjera të Gedi-t kanë shpallur greva dhe protesta, duke ndaluar publikimet në letër dhe online. Sindikatat kërkojnë garanci për vendet e punës, pavarësinë editoriale dhe mbrojtjen e identitetit historik të gazetave.

Qeveria italiane po ndjek situatën nga afër. Nënsekretari i Kryeministrisë për informacionin dhe botimin, Alberto Barachini, ka thirrur drejtuesit e Gedi-t dhe përfaqësuesit e gazetarëve për të diskutuar pasojat e mundshme të shitjes dhe për të garantuar mbrojtjen e interesit publik.
Debati politik dhe sindikal po ashpërsohet, ndërsa pyetja mbi rolin e pronësisë së huaj në mediat strategjike italiane mbetet qendrore.
© SYRI.net