Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se angazhimi i mëtejshëm diplomatik mund të pasojë së shpejti përpjekjet e udhëhequra nga Moska dhe Uashingtoni, duke shprehur optimizëm në lidhje me perspektivat për paqe në Ukrainë, pas bisedimeve me presidentin rus, Vladimir Putin.
Duke folur me gazetarët në bordin e fluturimit të kthimit nga Turkmenistani të premten, Erdogan tha se Ankaraja shpreson të angazhohet gjithashtu me Presidentin e SHBA-së Donald Trump për të vlerësuar një plan të mundshëm paqeje.
“Pas këtij takimi me Putinin, shpresojmë të kemi mundësinë të diskutojmë planin e paqes edhe me Presidentin e SHBA-së Trump. Paqja nuk është larg; mund ta shohim”, tha Erdogan, duke iu referuar takimit të tij dypalësh me udhëheqësin rus në Turkmenistan të shtunën.
Erdogan vuri në dukje se takimi i tij me Putinin u përqendrua në konfliktet e vazhdueshme dhe iniciativat diplomatike të nisura me përfshirjen e Trump.
“Ne vlerësuam kontributet që vendi ynë mund të japë në përpjekjet për paqe”, tha ai, duke vënë në dukje, “Ne e shohim pozitivisht dialogun e nisur nëpërmjet përpjekjeve të z. Trump.”
Ai theksoi se qëndrimi i Ankarasë kuptohet qartë nga të gjitha palët e përfshira në procesin e paqes në Ukrainë. “Ne folëm kryesisht për luftën dhe përpjekjet për paqe. Z. Putin, si të gjithë aktorët e tjerë, e di shumë mirë se ku qëndron Turqia në këtë çështje”, shtoi Erdogan.
Duke iu drejtuar sigurisë rajonale, Erdogan paralajmëroi kundër shndërrimit të Detit të Zi në një zonë konfrontimi. “Deti i Zi nuk duhet të shihet si një arenë rivaliteti. Kjo nuk do t’i sillte dobi Rusisë apo Ukrainës. Të gjithë kanë nevojë për liri lundrimi dhe siguri në Detin e Zi”, tha ai.
Lidhur me Sirinë, Erdogan theksoi rëndësinë e marrëveshjes së 10 marsit, duke e quajtur atë kritike për të ardhmen e vendit.
“Marrëveshja e 10 marsit është një proces që ka të bëjë ngushtë me të ardhmen e rajonit. Arritja e qëllimeve të parashikuara nga marrëveshja do të jetë rezultati më i dobishëm për Sirinë”, tha ai, duke shtuar se Turqia kërkon prosperitet për të gjithë sirianët pavarësisht nga etnia apo sekti.
Duke iu referuar Gazës, Erdogan tha se Izraeli duhet t'i përmbahet plotësisht angazhimeve të tij. "Është thelbësore që Izraeli të përmbushë premtimet e tij, të përmbahet plotësisht armëpushimit dhe të lejojë që jeta në Gaza të kthehet në normalitet", tha ai, duke shtuar: "Problemi i sigurisë i krijuar nga Izraeli duhet të eliminohet. Turqia nuk i shmanget kurrë përgjegjësive serioze".
Erdogan foli gjithashtu për përpjekjen e Turqisë për anëtarësim në BE, duke i kërkuar bllokut të miratojë një qasje strategjike. “Do të ishte gjithashtu një fitim për Evropën të shikonte marrëdhëniet tona me një vizion strategjik. Hapat që vijnë nga Evropa do të formësojnë fazën tjetër të procesit”, tha ai.
Presidenti Erdogan ishte në kryeqytetin e Turkmenistanit, Ashgabat, për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Paqes dhe Besimit./ AA.
© SYRI.net