16 persona kanë vdekur në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, përfshirë tre fëmijë për shkak të shirave të rrëmbyeshëm që goditën enklavën. Shirat kanë prishur tendat dhe strehimet e improvizuara të palestinezëve që nga e mërkura.
Shërbimet e shpëtimit u thirrën pasi 13 shtëpi u shembën për shkak të shiut dhe erërave të forta, tha Mbrojtja Civile e drejtuar nga Hamasi. Zëdhënësi, Mahmoud Bassal, tha se gjashtë persona u vranë kur një shtëpi u shemb në Bir al-Naja dhe pesë të tjerë u vranë nga shembja e mureve në incidente të ndara.
Dy trupa u gjetën në rrënojat e një shtëpie në lagjen Sheikh Radwan të qytetit të Gazës, ndërsa tre fëmijë vdiqën nga ekspozimi ndaj të ftohtit. Spitali Al-Shifa konfirmoi vdekjen e 9-vjeçares Hadil Al-Masri dhe një foshnje disa muajshe, Tayem Al-Khawaja. Në kampin Al-Mawasi të Khan Yunis, vdiq foshnja tetë muajshe Rahat Abu Jazzar.
Sipas Jonathan Kriekex, zëdhënësit të UNICEF-it, temperatura natën bie në rreth 8-9 gradë.
“Shiu është i rrëmbyeshëm dhe familjet jetojnë në tenda të improvizuara që goditen nga era, mezi të mbrojtura nga një fletë plastike”, shpjegoi ai.
Kushtet sanitare janë të tmerrshme, shtoi ai, duke shprehur frikën e përhapjes së sëmundjeve.
© SYRI.net