Zyrtarët amerikanë të inteligjencës pezulluan përkohësisht ndarjen e disa informacioneve kyçe me Izraelin gjatë administratës Biden, për shkak të shqetësimeve mbi mënyrën si po zhvillohej lufta në Gaza, thanë gjashtë persona që ishin në dijeni të çështjes.
Në gjysmën e dytë të vitit 2024, SHBA-ja ndërpreu transmetimin e një videoje “live” nga një dron amerikan mbi Gazë, e cila po përdorej nga qeveria izraelite në operacionet për gjetjen e pengjeve dhe militantëve të Hamasit. Pesë nga burimet që Reuters citon thanë se pezullimi zgjati të paktën disa ditë.
Shtetet e Bashkuara, po ashtu, kufizuan mënyrën se si Izraeli mund të përdorte një pjesë të inteligjencës për goditjen e objektivave të rëndësishëm ushtarakë në Gaza, sipas dy prej burimeve, të cilët nuk pranuan të specifikonin datën e saktë të marrjes së këtij vendimi.
Të gjitha burimet e Reuters folën në kushtet e anonimatit.
Vendimi u mor ndërsa brenda komunitetit amerikan të inteligjencës po rriteshin shqetësimet për numrin e lartë të civilëve të vrarë nga operacionet ushtarake izraelite në Gaza. Zyrtarët ishin, gjithashtu, të shqetësuar se Shërbimi i Sigurisë së Brendshme izraelite, Shin Bet, po keqtrajtonte të burgosurit palestinezë, thanë burimet.
Sipas tre prej burimeve, zyrtarët amerikanë vlerësuan se Izraeli nuk kishte dhënë garanci të mjaftueshme se do të respektonte ligjin e luftës gjatë përdorimit të inteligjencës amerikane. Ligji amerikan e detyron inteligjencën që të marrë garanci të tilla para se të ndajë informacion me një vend të huaj.
Edhe pse administrata Biden vijoi politikën e mbështetjes së pandërprerë të Izraelit me inteligjencë dhe armë, vendimi brenda agjencive të inteligjencës për të mbajtur pezull një pjesë të informacionit ishte i kufizuar dhe taktik, thanë dy nga burimet. Qëllimi ishte të sigurohej se Izraeli po e përdorte inteligjencën amerikane në përputhje me ligjin e luftës.
Një person në dijeni të çështjes tha se zyrtarët e inteligjencës kanë hapësirë për të marrë disa vendime të tilla në kohë reale, pa patur nevojë për një urdhër të drejtpërdrejtë nga Shtëpia e Bardhë. Një tjetër tha se çdo kërkesë e Izraelit për të ndryshuar mënyrën e përdorimit të inteligjencës amerikane kërkonte garanci të reja nga ana e tyre.
Reuters nuk arriti të përcaktojë datat e sakta të vendimeve dhe nëse Presidenti Joe Biden ishte i informuar për to. Zëdhënësi i tij nuk komentoi.
Ndërprerja u hoq pasi Izraeli dha garanci se do të respektonte rregullat amerikane.
Edhe pse shqetësimet e administratës Biden për veprimet e Izraelit në Gaza janë raportuar gjerësisht më parë, shumë pak dihet se si inteligjenca amerikane e menaxhoi bashkëpunimin me homologët izraelitë. Raportimi i Reuters tregon nivelin e lartë të shqetësimit brenda inteligjencës amerikane mbi mënyrën se si Izraeli po përdorte informacionin e SHBA-së.
Pas sulmit të 7 tetorit, Biden nënshkroi një memorandum që urdhëronte zgjerimin e shkëmbimit të informacionit të inteligjencës me Izraelin, thanë dy burime.
Ditët në vijim, SHBA caktoi një grup të përbashkët zyrtarësh dhe analistësh nga Pentagoni dhe CIA që fluturonin dronë MQ-9 Reaper mbi Gazë dhe i jepnin Izraelit pamje të drejtpërdrejta për të ndihmuar në lokalizimin dhe kapjen e luftëtarëve të Hamasit, sipas tre personave të njohur me rastin. Ky transmetim ndihmoi edhe në operacionet për shpëtimin e pengjeve.
Reuters nuk arriti të përcaktojë se çfarë informacioni i veçantë siguronte ky transmetim që Izraeli nuk mund ta merrte vetë.
Nga fundi i vitit 2024, zyrtarët amerikanë të inteligjencës morën të dhëna që ngritën dyshime mbi trajtimin e të burgosurve palestinezë nga Izraeli, thanë katër burime, të cilat nuk dhanë detaje për keqtrajtimet e supozuara.
Organizatat e të drejtave të njeriut kanë raportuar abuzime të rënda ndaj palestinezëve në paraburgim gjatë luftës. Ushtria izraelite thotë se abuzimet po hetohen rast pas rasti, por nuk janë sistematike.
Shërbimi i Sigurisë së Brendshme I Izraelit, Shin Bet, nuk dha garanci të mjaftueshme se nuk po keqtrajtonte të burgosurit, gjë që bëri që zyrtarët amerikanë të ndërprisnin qasjen e tyre në transmetimin e dronit, thanë dy nga burimet.
Vendimi erdhi pasi administrata Biden kishte përcaktuar se, ligjërisht, se SHBA mund të vazhdonte dërgimin e armëve dhe inteligjencës në Izrael, pavarësisht frikës në rritje tek disa zyrtarë se operacionet izraelite mund të kishin shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Lufta e Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 70,000 palestinezë, shumica civilë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.
Zyra e kryeministrit izraelit, që mbikëqyr Shin Bet-in, nuk komentoi. As CIA dhe as Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në SHBA. /Reuters/
© SYRI.net