Akuzat për spiunazh kundër akademikut Christopher Berry dhe studiuesit parlamentar Christopher Cash u rrëzuan pasi zyrtarët qeveritarë refuzuan të dëshmonin nën betim se Kina përbënte një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Drejtori i MI5, Ken McCallum, konfirmoi të enjten se Kina përbën një kërcënim të përditshëm për Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë spiunazh kibernetik, vjedhje të sekreteve teknologjike dhe përpjekje për të ndikuar fshehurazi në jetën publike. Ai shtoi se agjentët e MI5 monitorojnë aktivitetet që kërcënojnë sigurinë kombëtare, por vendimet për ndjekjen penale janë jashtë duarve të tij.
Prokurorët thanë muajin e kaluar se akuzat ndaj Berry dhe Cash po hidheshin poshtë, pasi zyrtarët qeveritarë refuzuan të deklaroheshin mbi kërcënimin nga Kina gjatë periudhës 2021–2023. Kryeministri Keir Starmer mohoi ndërhyrjen e qeverisë, ndërsa deklaratat e dëshmitarëve në gjykatë e përshkruan Kinën si “kërcënimin më të madh shtetëror për sigurinë ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar”.
Berry dhe Cash mohojnë çdo shkelje dhe Ambasada Kineze i ka quajtur akuzat “shpifje dashakeqe”. Qeveria britanike ka tentuar të rivendosë marrëdhëniet me Pekinin, pas viteve të tensionuara për shkak të spiunazhit, të drejtave të njeriut dhe mbështetjes së Kinës ndaj pushtimit rus të Ukrainës.
McCallum gjithashtu paralajmëroi për kërcënime të tjera, duke përfshirë Rusinë dhe Iranin, dhe tha se numri i rasteve të spiunazhit ka rritur me 35% vitin e kaluar, duke përfshirë sulme ndaj parlamentit, universiteteve dhe infrastrukturës kritike britanike.
© SYRI.net