Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara ka sekuestruar mbi 127,000 bitcoin, të cilat kapin vlerën rreth 15 miliardë dollarë, si pjesë e një operacioni kundër rrjetit ndërkombëtar të biznesit të Chen Zhi nga Kamboxhia. Autoritetet kanë vendosur sanksione dhe ngrirje të aseteve për të goditur aktivitetet e tij në shumë vende.
Prokurorët federalë në Brooklyn kanë ngritur akuza ndaj Chen Zhi për mashtrim dhe komplot për pastrim parash. Sipas tyre, pasuria me vlerë rreth 15 miliardë dollarë ishte ruajtur në portofolet e paprekura, të kontrolluara nga Chen dhe bashkëpunëtorët e tij. Grupi dyshohet se përdorte kompani fiktive, lojëra fati online dhe miniera kriptomonedhash për të fshehur origjinën e fondeve.
Dosjet gjyqësore zbulojnë se punëtorët ishin trafikuar dhe mbaheshin në komplekse banimi në Kamboxhia, ku ata menaxhonin mijëra profile të rreme në rrjetet sociale për të joshur investitorët. Prokurorët raportojnë se Chen kishte autorizuar masa të dhunshme për të kontrolluar punëtorët.
Një nga komplekset e lidhura me operacionet e kazinove të Prince Group strehonte ‘ferma telefonike’ të përdorura për fushata mashtruese me mesazhe.
Chen, i njohur edhe si Vincent, mbetet në arrati dhe përballet me deri në 40 vjet burg nëse gjykohet dhe dënohet.
© SYRI.net