Një oficer policie kenian, i vendosur në njërën nga hyrjet e rezidencës zyrtare të presidentit në kryeqytetin Nairobi, ka ndërruar jetë pasi u qëllua me shigjetë, kanë njoftuar autoritetet.
Sipas policisë, të hënën në mëngjes një 56-vjeçar i armatosur me hark dhe shigjeta iu afrua forcave të sigurisë në hyrjen e “State House” dhe u urdhërua të dorëzohej. Por ai nuk iu bind urdhrit dhe qëlloi efektivin Ramadhan Matanka në brinjë.
Polici u transportua menjëherë në spital, por humbi jetën gjatë trajtimit mjekësor. Sulmi ka ngjallur shqetësime për mundësinë e dështimeve në masat e sigurisë, pasi “State House” konsiderohet një nga ambientet më të mbrojtura në vend. Trupi i oficerit ndodhet aktualisht në morg dhe pritet t’i nënshtrohet autopsisë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar motivin e sulmit. Mediat vendase raportojnë se polici i vrarë ishte ndër oficerët që kontrollonin automjetet në hyrje të rezidencës presidenciale.
Autori i dyshuar i sulmit, që sipas raportimeve ishte maskuar si person i pastrehë dhe mbante një thes ku kishte fshehur armët, është arrestuar pas ngjarjes.
Pamjet e publikuara nga televizioni kenian NTV, të hënën pasdite, tregojnë një person të lidhur me pranga dhe me plagë të dukshme, i cili ndodhej në një automjet policie dhe po dërgohej për trajtim në spital.
Mediat raportojnë se i dyshuari pritet të dalë para gjykatës ditën e martë. Zëdhënësi i Policisë Kombëtare, Muchiri Nyaga, e dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar si “akt të shëmtuar” dhe vlerësoi reagimin e shpejtë të efektivëve që shmangën dëme të tjera.
Ai shprehu ngushëllimet për familjen e oficerit të rënë në detyrë, duke theksuar se ai “sakurifikoi jetën në shërbim të vendit”.
© SYRI.net