Ajri brenda apartamentit të Ashley-t në Portland ishte i mbushur me gaz lotsjellës nga granatat e hedhura poshtë në rrugë.
Duke u kollitur, ajo vuri një maskë në fytyrë, mori dy fëmijët dhe qenin e familjes dhe u largua me nxitim drejt korridorit, ku tymi rrethonte muret.
Jashtë, në rrugët e Portlandit, protestues të maskuar të Antifa-s përballeshin me oficerët e Shërbimit të Imigracionit dhe Zbatimit të Doganave (ICE) që mbronin qendrën e ndalimit të emigrantëve të qytetit.
Kjo skenë është pothuajse e përnatshme dhe tërhoqi vëmendjen e Donald Trump-it, i cili ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që e shpall lëvizjen antifashiste si organizatë terroriste.

Me 27 shtator, Trump njoftoi se planifikonte të dërgonte trupa të Gardës Kombëtare "për të mbrojtur Portlandin e shkatërruar nga lufta dhe çdo objekt të ICE-s që është nën sulm nga Antifa dhe terroristë të tjerë vendas."
Megjithëse Ashley, nënë 43-vjeçare e dy fëmijëve, është mirënjohëse për zotimin e presidentit amerikan për të rikthyer rendin dhe paqen në lagjen e saj, ajo shpreson që trupat t'u kushtojnë vëmendje më shumë epidemisë së drogës dhe të pastrehëve në Portland, sesa përleshjeve jashtë dritares së saj.
Dikur e vlerësuar nga demokratët si një utopi liberale për politikat progresive dhe fokusin mjedisor, Portlandi është goditur nga rritja e krimit dhe e të pastrehëve, pasoja të ligjeve të buta për drogat.
Në vitin 2021, Oregoni u bë shteti i parë në SHBA që dekriminalizoi posedimin e sasisë së vogël të të gjitha drogave, përfshirë metamfetaminën dhe heroinën, në një plan që synonte ta trajtonte varësinë si çështje shëndetësore publike.

Vdekjet nga mbidoza u rritën me 1000 për qind
Qindra biznese braktisën qytetin, duke e kthyer pjesën qendrore të tij në tregje të hapura droge dhe duke bërë që vdekjet nga mbidoza me fentanil, një opioid sintetik 50 herë më i fortë se heroina, të shpërthenin me një rritje prej 1000 për qind.
Nga viti 2018-2019 deri në 2022, vdekjet nga fentanili në qarkun Multnomah (që përfshin shumicën e Portlandit dhe disa qytete të tjera) u rritën nga 2 në 22 në muaj. Deri në vitin 2023, ky numër kishte arritur në 36 vdekje çdo muaj.
"Asgjë nuk po funksionon. Ka një krizë droge dhe shëndeti mendor që po e shton varësinë dhe të pastrehët dhe ky është një problem i madh," i tha Ashley gazetës The Telegraph.
"Nuk është siç tha Trump. Portlandi nuk është zonë lufte, por do ta mirëprisja Gardën Kombëtare nëse kjo do ta ndihmonte pastrimin e qytetit."

Duke ecur nëpër rrugët e qytetit, trotuaret janë të mbushura me gjilpëra dhe fletë alumini, që përdoren për të ngrohur fentanilin.
Edhe pse ligjet për drogat në Oregon janë rishikuar, fëmijët ende përpiqen të shmangin trupat e shtrirë pa jetë në qoshet e rrugëve. Ata që përdorin fentanil, që besohet se vret rreth 75,000 amerikanë në vit, shihen kudo, të përkulur në pozicione të çuditshme që njihen si "përkulja e fentanilit".
Agjencia Amerikane e Zbatimit të Ligjit për Drogat (DEA) ka akuzuar Kinën si "burimin kryesor të të gjitha substancave të lidhura me fentanilin" që kontrabandohen në vend dhe ka nisur një fushatë për goditjen e zinxhirëve të furnizimit.
Në një natë të ftohtë tetori, në prag të vjeshtës, The Telegraph pa nga afër një nga përplasjet midis protestuesve dhe agjentëve të ICE-s pranë qendrës së ndalimit afër shtëpisë së Ashley-t.
Të rritur të veshur si kafshë, të njohur si "furries", mbërritën pas rënies së natës me skutera elektrikë, ndërsa një burrë me flokë rozë rrëshqiste me skejtbord nëpër rrugë para oficerëve të hutuar.
Disa protestues kishin veshur kostume fëmijësh, të ngjashme me personazhe lojërash elektronike apo kafshë të fryra, për të fshehur identitetin e tyre.
Ata nuk ishin të armatosur me tulla apo shishe qelqi, por me rosakë gome, të cilët i shtrydhnin pa pushim deri në orët e para të mëngjesit. Skena i ngjante më shumë një shakaje të jetës reale në internet sesa "kryengritjeve" që përshkruan Trump.
Përplasja e vetme ndodhi mes vetë protestuesve të maskuar. Kaosin e kanë amplifikuar kohët e fundit transmetuesit e djathtë në internet që grumbullohen në protesta për t'u përballur me ata që kundërshtojnë fushatën e Trump-it për shtypjen e emigracionit të paligjshëm.
Disa nga këto përplasje janë bërë të dhunshme. Të mërkurën e kaluar, influencues konservatorë u ftuan në Shtëpinë e Bardhë për t'i treguar Trump-it se si ishin ngacmuar, dhe në rastin e gazetares së djathtë Katie Daviscourt, madje ishte goditur në fytyrë me një shufër metalike.
Nick Sortor, një influencer pro-Trump me 1.2 milion ndjekës, u arrestua kohët e fundit nga policia e Portlandit dhe u akuzua për sjellje të çrregullt, akuza që më vonë u hodhën poshtë.
Herë pas here, pamje të përleshjeve dhe spërkatjes me gaz lotsjellës në fytyrat e protestuesve janë transmetuar në lajme, ndërsa në sfond dëgjohen tingujt e largët të një helikopteri Black Hawk.
Vëmendja ka tërhequr, në raste të tjera, edhe figura të errëta që kërkojnë përleshje. Banorët i thanë The Telegraph se këta njerëz qëndrojnë në periferi të protestave, të veshur tërësisht me të zeza dhe në pritje të përforcimeve.

Por pika më e lartë e "dramës" atë mbrëmje ndodhi kur një nga influencuesit arriti një rekord të ri fame në internet.
"Mora 27,000 shikime në vetëm transmetimin tim të dytë të drejtpërdrejtë në X," tha ai me entuziazëm, pasi i futi kamerën mes përplasjes së vogël midis protestuesve.
Të pastrehët ikin nga qendra e dalë nga kontrolli
Grupi i çrregullt i të margjinalizuarve dukej shumë larg nga kriza e vërtetë që ka përfshirë Portlandin.
Në zonat ku të pastrehët kanë ngritur kampe të improvizuara, mizat grumbullohen mbi plaçka të zverdhura që tërhiqen me karroca të vjedhura supermarketesh.
Pastaj është era, një përzierje marramendëse djerse dhe fekalesh, që përhapet në "qytetet me tenda" që kanë kthyer rrugicat anësore në tualete të hapura.
Qendra e qytetit është bërë aq e dalë nga kontrolli sa disa prej atyre që flenë rrugëve thonë se janë larguar për të kërkuar siguri në parqet piktoreske, kilometra larg qytetit.
Sunshine, 32 vjeç, ishte menaxhere biznesi në Kaliforni para se një sërë fatkeqësish dhe vdekjesh familjare ta çonin të jetonte në rrugë për gati një dekadë. Duke pasur frikë për jetën e saj në qendër, ajo tani fshihet në mes të bimësisë së dendur buzë lumit Columbia.
"Qendra është bërë si xhungël. Ka shumë probleme me shëndetin mendor dhe pak mbështetje për ata që duan të pastrohen nga droga, prandaj ndodhem këtu. Është shumë e rrezikshme. Është përkeqësuar," tha ajo.

"Shumë njerëz kanë kaluar nga grushtet në përdorimin e armëve."
Kur The Telegraph vizitoi zonën, një rresht njerëzish, disa që bërtisnin pa kuptim, të tjerë që kërkonin copa fentanili në tokë, prisnin në radhë për një nga qendrat e ndihmës së qytetit.
Disa lypnin para, ndërsa të tjerë zhvillonin biseda të zjarrta me veten.
Courtney Dodds, drejtoreshë komunikimi e organizatës Love Union Gospel Mission, tha se skenat aktuale janë në fakt të përmirësuara krahasuar me vitet e mëparshme.
"Dekriminalizimi i drogave vërtet ndikoi për një periudhë. Kishte shumë më tepër përdorim droge në rrugë," i tha ajo The Telegraph.

Megjithatë, banorët ndihen të pasigurt duke ecur nëpër qendrën e qytetit dhe shpresojnë që, nëse trupat vijnë, të përqendrohen në problemin e drogës në Portland.
"Ka qenë një makth të jetosh këtu. Kush do të donte të dilte nga dera e shtëpisë dhe të përballej me këtë?" tha një banore, që nuk donte të identifikohej. "Nuk ndalon, na duhen trupat."

Ndërsa Portlandi është rasti më i fundit i përpjekjeve të Trump-it për të dërguar Gardën Kombëtare në qytete të majta që ai i përshkruan si të pushtuara nga krimi dhe kaosi, duket se, të paktën hëpërhë, problemi i vërtetë mbetet ende i pazgjidhur. / The Telegraph - Syri.net
© SYRI.net