Rrezik në hapësirë, Rusia përgjon dhe bllokon satelitët ushtarakë britanikë

Rrezik në hapësirë, Rusia përgjon dhe bllokon satelitët ushtarakë britanikë

09:12, 03/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rusia po ndërmerr veprime të qëndrueshme për të ndjekur dhe penguar satelitët ushtarakë britanikë, ka bërë të ditur gjeneralmajor Paul Tedman, komandant i Komandës Hapësinore të Britanisë së Madhe.

Në një intervistë për BBC, Tedman tha se satelitët rusë po lëvizin afër atyre britanikë dhe po përpiqen të mbledhin informacion. Sipas tij, Rusia po përdor sisteme tokësore për të bllokuar komunikimet satelitore britanike, dhe këto ndërhyrje ndodhin pothuajse çdo javë.

Ai paralajmëroi se rreziku nga Rusia në hapësirë është real dhe në rritje, sidomos pas pushtimit të Ukrainës. Edhe Kina përmendet si një fuqi me kapacitete të avancuara në hapësirë, por Rusia konsiderohet si kërcënimi më i menjëhershëm për shkak të gatishmërisë për të përdorur teknologjinë ushtarake hapësinore.

Britania e Madhe ka aktualisht rreth gjashtë satelitë ushtarakë, ndërsa SHBA, Kina dhe Rusia kanë secila mbi 100. Megjithatë, Mbretëria e Bashkuar shpenzon vetëm 1% të buxhetit të saj të mbrojtjes për hapësirën  shumë më pak se aleatët e saj.

Gjatë një vizite në bazën RAF Fylingdales në North Yorkshire, që monitoron raketat balistike dhe objektet në orbitë gjenerali shprehu shqetësim edhe për mbingarkesën në hapësirë dhe rritjen e numrit të objekteve në orbitë.

Qeveria britanike ka premtuar investime të reja për të forcuar mbrojtjen hapësinore dhe për të zhvilluar teknologji kundër kërcënimeve si lazerët e avancuar që mund të dëmtojnë satelitët.

Sipas gjeneralit Tedman, rreth 450 miliardë paund të ekonomisë britanike varen nga hapësira, ndërsa forcat e armatosura mbështeten gjithnjë e më shumë tek ajo për navigim, komunikim dhe goditje me precizion.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco