Sot në Itali është thirrur një grevë e përgjithshme mbarëkombëtare, organizuar nga sindikatat CGIL dhe USB, për të kundërshtuar ndërhyrjen izraelite në flotiljen e “Global Sumud Flotilla“. Siç raporton Corriere Della Sera, greva ka shkaktuar ndërprerje masive në sektorin e transportit, në shkolla dhe në shërbime publike e private në të gjithë vendin.
Autoriteti mbikëqyrës për grevat në shërbimet publike ka deklaruar se greva është e paligjshme, pasi u njoftua pa paralajmërim. Megjithatë, sindikatat kanë vazhduar thirrjen për grevë, duke akuzuar qeverinë italiane se nuk mbrojti shtetasit italianë të përfshirë në flotën ndërkombëtare humanitare.
Protesta ka patur edhe mbrëmjen e kaluar, që kanë prekur rrjetin hekurudhor kombëtar dhe transportin lokal. Trenitalia ka njoftuar vonesa mbi 60 minuta dhe ndryshime në itinerarë për disa trena të natës. Megjithatë, pasagjerët kanë të drejtën për rimbursim të plotë ose riprogramim të udhëtimit në kushte të ngjashme, sipas politikave të Trenitalia.
Transporti urban është prekur në shumicën e qyteteve të mëdha si Roma, Milano, Napoli, Torino dhe Bologna, me pezullime dhe shkurtime të linjave të autobusëve, tramvajve dhe metrove. Gjithashtu, greva në sektorin e aviacionit ka shkaktuar anulime dhe vonesa në disa fluturime.
Mbrëmjen e djeshme, rreth 50 mijë persona marshuan në Romë, përreth Koloseut, duke protestuar kundër ndërhyrjes izraelite dhe duke akuzuar qeverinë Meloni për “mosmbrojtje të shtetasve italianë në flotë”.
Në Bolonjë pati përplasje mes policisë dhe protestuesve, ndërsa në Torino, demonstrues të maskuar shkatërruan ndërtesën OGR (Officine Grandi Riparazioni), ku sot priten figura të rëndësishme si Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, John Elkann dhe Jeff Bezos.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Infrastrukturës dhe Transporteve, Matteo Salvini, reagoi ashpër për situatën.
“Ky është paralajmërimi i fundit. Deri në fund të vitit janë shpallur edhe 40 greva të tjera. Nëse mbizotëron arsyeja, do të sillemi siç duhet. Por nëse mbizotërojnë arroganca, dhuna dhe shkelja e rendit, do të dimë si të reagojmë”, deklaroi ai përmes një videoje në rrjetet sociale.
Sipas organizatorëve, sot janë planifikuar mbi 100 protesta në qytete të ndryshme të Italisë, çka pritet të sjellë bllokime rrugësh, ndërprerje të qarkullimit dhe tensione në trafik. Ndërkohë, në autostrada ka pengesa për shkak të grevës së personelit të mirëmbajtjes dhe kontrolleve të shtuara.
Greva do të vazhdojë përgjatë gjithë ditës së premte, 3 tetor, me sektorë të ndryshëm që do t’i bashkohen në orare të ndryshme.
© SYRI.net