Një skandal me kremrat kundër diellit në Australi vazhdon të zgjerohet, pasi 18 produkte janë tërhequr nga tregu në këtë vend që ka një nga nivelet më të larta të kancerit të lëkurës në botë, për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë.
Një analizë e një grupi për mbrojtjen e konsumatorëve, e kryer në qershor, zbuloi se disa kremra kundër diellit të shtrenjtë dhe të njohur nuk ofronin mbrojtjen që prodhuesit e tyre pretendojnë.
Një nga produktet, Lean Screen Skinscreen i markës Ultra Violette, pretendohej të kishte SPF 50+, por testet nxorën se kishte SPF vetëm 4. Ky produkt u tërhoq vullnetarisht nga tregu në gusht.
Një hetim nga Autoriteti i Produkteve Terapeutike (TGA) ka paralajmëruar tashmë për rreth 20 kremra të tjerë nga marka të ndryshme, të cilët përdorin të njëjtën formulë bazë, ndërsa janë ngritur edhe “shqetësime të mëdha” për një laborator testimi.
“Testet paraprake tregojnë se kjo formulë bazë nuk ka gjasa të ketë SPF më të lartë se 21,” – tha TGA në një përditësim zyrtar, duke shtuar se për disa produkte, vlera e SPF mund të jetë po aq e ulët sa 4.
Nga 21 produktet e listuara nga TGA:
-8 janë tërhequr nga tregu ose ka ndalur prodhimi i tyre,
-10 të tjerëve u është pezulluar përkohësisht shitja,
-2 janë nën shqyrtim.
Një nga produktet është prodhuar në Australi por nuk është shitur në këtë vend.
Australia ka normën më të lartë të kancerit të lëkurës në botë – sipas statistikave, 2 nga 3 australianë do të kenë të paktën një heqje të kancerit të lëkurës gjatë jetës – dhe për këtë arsye, vendi ka edhe ndër rregulloret më të rrepta në botë për kremrat kundër diellit.
Ky skandal ka shkaktuar reagime të forta nga konsumatorët, por ekspertët paralajmërojnë se mund të ketë pasoja globale, pasi janë identifikuar probleme si në procesin e prodhimit, ashtu edhe në besueshmërinë e laboratorëve të testimit të SPF-së.
Prodhuesi i formulës bazë në fjalë, Wild Child Laboratories Pty Ltd, ka ndaluar prodhimin e saj pas këtyre zbulimeve, sipas TGA.
Në një deklaratë publike, drejtori i Wild Child Laboratories, Tom Curnow, tha se TGA nuk kishte gjetur probleme në fabrikën e tyre.
“Mospërputhjet në rezultatet e testimit janë pjesë e një problemi më të gjerë në nivel industrie,” – tha ai.
TGA ka bërë të ditur më herët se është duke shqyrtuar “rishikimin e standardeve ekzistuese për testimin e SPF-së”, të cilat mund të jenë “shumë subjektive”. Në përditësimin e së martës, TGA theksoi se ka shqetësime të mëdha për laboratorin amerikan “Princeton Consumer Research Corp” (PCR Corp).
“TGA është në dijeni se shumë kompani që përdorin këtë formulë bazë janë mbështetur në testimet e PCR Corp për të mbështetur pretendimet e tyre për nivelin e SPF-së.”
Z. Curnow tha gjithashtu se Wild Child ka ndërprerë bashkëpunimin me laboratorët PCR dhe ka dërguar formulat për testim në laboratorë të tjerë të pavarur dhe të akredituar.
Të gjitha kompanitë që kanë përdorur formulën bazë problematike dhe laboratorin PCR janë kontaktuara nga TGA, sipas autoritetit.
“TGA i ka dërguar gjithashtu një letër zyrtare PCR Corp, duke shprehur shqetësimet, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.”
Në një deklaratë për BBC-në, PCR Corp sugjeroi se faktorë të jashtëm mund të shpjegojnë ndryshimet në vlerësimet e SPF-së midis testimeve të tyre dhe atyre të mëvonshme.
“Performanca e një kremi kundër diellit e matur në laborator pasqyron saktësisht mostrën dhe kushtet në momentin e dorëzimit të saj,” – thuhet në deklaratë.
Ata shtuan se:
“Shumë faktorë jashtë laboratorit – si ndryshimet në përbërjen e lëndëve të para, kushtet e ruajtjes, paketimi, mosha e produktit, dhe trajtimi i tij në treg – mund të ndikojnë në vlerën e SPF-së për produktet e shitura më vonë.”
Në fund, PCR deklaroi se:
“Testimi është vetëm një pjesë e një procesi më të gjerë të kontrollit të cilësisë dhe rregulloreve, i cili përfshin kontrollet në prodhim, programet e stabilitetit dhe mbikëqyrjen pas shitjes nga markat dhe rregullatorët.”
“Ne mund të flasim vetëm për të dhënat që kemi gjeneruar në mostrat që kemi testuar; nuk mund të shprehemi për produkte të prodhuara apo të shitura më vonë që nuk i kemi testuar vetë.”/BBC
© SYRI.net