Projekti ‘Të pandashmit’/ Sorosi nxiti mbylljen e qeverisë amerikane

Projekti ‘Të pandashmit’/ Sorosi nxiti mbylljen e qeverisë amerikane

10:57, 01/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Mia Cathell, Washington Examiner

Si një sfidë ndaj administratës së Presidentit Donald Trump, grupi aktivist i mbështetur nga George Soros, që qëndron pas protestave kombëtare “No Kings”, po udhëheq tani një fushatë presioni për të nxitur senatorët demokratë drejt detyrimit të një mbylljeje të qeverisë.

‘Indivisible Project’ (‘Të pandashmit’), organizata 501(c)(4) përgjegjëse për organizimin e pjesës më të madhe të “rezistencës” ndaj Trump, po drejton ushtrinë e saj të aktivistëve që të mbushin linjat e telefonit të senatorëve të tyre demokratë dhe të kërkojnë që ata të bllokojnë propozimet e financimit të qeverisë të sponsorizuara nga republikanët gjatë votimit këtë javë, duke detyruar kështu një mbyllje të pjesshme.

Për të shmangur një mbyllje të qeverisë, e cila pritet të hyjë në fuqi gjatë natës në mungesë të veprimeve nga Kongresi, ligjvënësit duhet të miratojnë një rezolutë vazhduese (CR) për të financuar qeverinë federale. Mbështetja dy-partiake është e nevojshme për të thyer ngërçin në Senat.

“Republikanët kanë nevojë për votat e demokratëve për të kaluar ngërcin,” pranon ‘Indivisible Project’ në thirrjen e tyre për veprim në fushatën “Call Now”.

“Demokratët kanë një pozicion të fortë për të luajtur. Ata duhet ta përdorin për t’i mohuar Donald Trump çekun e bardhë që republikanët duan t’i japin!”

Pasuesit e ‘Indivisible’ udhëzohen që t’u thonë senatorëve të tyre përpara votimit të CR-së se ata “besojnë” tek ata për të “qëndruar në luftën kundër mbylljes së qeverisë.”

Për t’u lidhur me senatorët e duhur, pjesëmarrësit plotësojnë një formular adresash që i lejon të “targetojnë” personat e duhur.

Faqja e internetit e organizatës jep një dialog të shkruar gati.

“Pres që senatori të VAZHDOJË të luftojë fort deri sa të arrijmë një marrëveshje që na mbron nga shkurtimet e Trump në shëndetësi dhe paligjshmëria e tij,” thotë skripti. “Nuk mund të lejojmë një përsëritje të fundit të luftës për financimin e qeverisë – kur lideri Schumer dhe disa demokratë të Senatit u dorëzuan dhe lejuan Trump ta vazhdojë përdorimin e parave tona tatimore si armë!”

Kryetari i pakicës në Senat, Chuck Schumer, dhe nëntë anëtarë të tjerë të Grupit Demokratik u kritikuan nga linjat e ashpra të partisë për bashkëpunimin me republikanët për të miratuar një legjislacion të ngjashëm shpenzimesh në mars, një ligj buxhetor gjashtëmujor për fonde të mëtejshme deri më 30 shtator.

Si përgjigje ndaj “dorëzimit” nga Schumer, ‘Indivisible’ nisi një fushatë për ta larguar nga pozicioni i tij udhëheqës në parti.

Drejtori bashkë-ekzekutiv i ‘Indivisible’, Ezra Levin, publikoi një deklaratë duke thënë: “Senatori Schumer duhet të japë dorëheqjen si lider. Çdo demokrat në Senat duhet ta kërkojë këtë dhe të fillojë menjëherë të bëjë plane për udhëheqje të re”.

Si pjesë e fushatës së presionit, ‘Indivisible’ gjithashtu organizoi një aktivitet ku pjesëmarrësit shkruanin kartolina lamtumire të adresuara ndaj demokratit nga Nju Jorku, “sepse kemi humbur çdo besim tek ai si lider dhe ai duhet të largohet.”

‘Indivisible’, e cila figuron si një “organizatë për mirëqenie sociale,” financohet kryesisht nga Open Society Foundations, qendra e granteve të George Soros. Midis viteve 2017 dhe 2023, kjo organizatë mori më shumë se 7.6 milionë dollarë fonde nga fondacioni.

Grupi jofitimprurës, me seli në kryeqytetin e vendit, mbikëqyr 1.600 degë të lokalizuara në gjithë vendin brenda rrjetit të tij kombëtar dhe vazhdon të rekrutojë anëtarë të rinj për t’u bashkuar me “rezistencën”.

Në korrik, ‘Indivisible’ nisi një program rekrutimi aktivistësh me qëllim trajnimin e 1 milion protestuesve anti-Trump “për të kundërshtuar” dhe për të lehtësuar fazën tjetër të lëvizjes.

I promovuar si “One Million Rising,” programi, i kompletuar me paketa veglash për protesta, mëson “bazat e organizimit komunitar”, “mosbashkëpunimin strategjik,” dhe mobilizimin masiv. “Le të organizohemi. Le të ndalojmë Trump,” thotë portali i regjistrimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco