Një gjykatë në Kinë ka dënuar me vdekje 11 anëtarë të familjes famëkeqe Ming, e cila drejtonte një rrjet të gjerë qendrash mashtrimi në Mianmar. Lajmi është konfirmuar nga mediat shtetërore kineze.
Në total, 39 persona të lidhur me familjen Ming u shpallën fajtorë të hënën për përfshirje në një sërë aktivitetesh kriminale, përfshirë mashtrime me call center, kazino të paligjshme, trafik droge dhe prostitucion. Sipas autoriteteve, rrjeti kriminal kishte gjeneruar mbi 1.4 miliardë dollarë të ardhura të paligjshme.
Familja Ming ka qenë një nga katër klanet që kontrollonin qytetin kufitar Laukai në Mianmar, një zonë e njohur për krim të organizuar, bixhoz, drogë dhe aktivitete mashtruese.
Në vitin 2023, autoritetet në Mianmar, në bashkëpunim me ato kineze, arrestuan dhjetëra anëtarë të këtyre bandave dhe i dorëzuan për ndjekje penale në Kinë.
Ky është një nga operacionet më të mëdha ndërkombëtare kundër rrjeteve të krimit të organizuar në rajon, dhe autoritetet kineze e kanë cilësuar si një mesazh të fortë ndaj mafies ndërkufitare.
© SYRI.net