Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar me shumicë dërrmuese 48 nga të nominuarit e Presidentit Donald Trump për poste të ndryshme ekzekutive, në grupin e parë të miratimeve që pasoi ndryshimin e rregullave nga republikanët për të përshpejtuar procesin e shqyrtimit.
Mes emërimeve të konfirmuara janë Kimberly Guilfoyle si ambasadore në Greqi, Christine Toretti si ambasadore në Suedi, Calista Gingrich si ambasadore në Zvicër dhe Lihtenshtajn, si dhe ish-kongresmeni republikan Brandon Williams, i cili mori postin e nënsekretarit për sigurinë bërthamore, raporton CNN.
Ky hap u mundësua pasi senatorët republikanë votuan javën e kaluar për të lejuar shqyrtimin e kandidatëve në grupe, duke anashkaluar procedurat individuale.
Demokratët kanë kritikuar ashpër këtë praktikë, duke e cilësuar si një mënyrë për të shmangur kontrollin e nevojshëm mbi kandidatët me kualifikime të diskutueshme.
Ndryshimi i rregullit aplikohet vetëm për kandidatët civilë të degës ekzekutive, ndërsa anëtarët e kabinetit dhe gjyqtarët do të vazhdojnë të kalojnë nëpër procedura të veçanta.
© SYRI.net