Një ukrainas i arrestuar në Tajlandë dhe i ekstraduar në Indonezi pas shtatë muajsh arratisjeje, u dënua të enjten për prodhim droge të paligjshme në ishullin turistik indonezian të Balit.
Roman Nazarenko, 40 vjeç, u bë i dyshuar pasi policia bastisi një vilë në Bali në maj 2024 dhe gjeti një laborator në bodrum për të rritur marijuanë dhe për të prodhuar një pararendës të drogës sintetike, ekstazi.

Si një i arratisur i listuar nga Interpoli, ai u arrestua në dhjetor në aeroportin ndërkombëtar të Bangkokut, ndërsa përpiqej të ikte për në Dubai.
Nazarenko, i cili argumentoi gjatë gjyqit se ishte mashtruar për t'u bashkuar me rrjetin e drogës, por që prokurorët thanë se ishte një nga ‘trutë’ e organizatorëve, qëndroi ulur në heshtje, ndërsa një panel prej tre gjyqtarësh në Gjykatën e Distriktit të Denpasarit dha vendimin.
"Nuk ka asnjë arsye për ta falur ose justifikuar të pandehurin, ai meriton të ndëshkohet në përputhje me atë që ka bërë", tha gjyqtarja kryesuese Eni Martiningrum.
"Krimi i tij mund të dëmtojë gjendjen mendore të brezit të ri."
Një burrë rus i identifikuar nga prokurorët si ‘truri’ i përgjithshëm i rrjetit të drogës, Oleg Tkachuck, mbetet i lirë.
E njëjta gjykatë në janar dënoi dy vëllezër ukrainas, Mykyta Volovod dhe Ivan Volovod, dhe një rus, Konstantin Krutz, me nga 20 vjet burg secili.
Ata ishin arrestuar gjatë bastisjes në vilë. Vëllezërit Volovod u akuzuan si prodhues droge dhe Krutz u akuzua për shitjen e drogës.
Vëllezërit Volovod pranuan gjatë gjyqit të tyre se Tkachuck u kishte paguar atyre 30,000 dollarë (25,467 euro) në shtator 2023 për të instaluar pajisje në vilë për të prodhuar marijuanë hidroponike dhe mefedron, i cili përdoret për të bërë pilula ekstazie.
Tkachuck u pagoi gjithashtu atyre 3,000 dollarë (2,546 euro) për 10 kilogramë marijuanë të tharë dhe 10,000 dollarë (8,489 euro) për 1 kilogram mefedron, që ata e kishin prodhuar për t'ua shitur përdoruesve nëpërmjet korrierëve dhe shërbimeve të transportit me makinë.
Të gjitha transaksionet u kryen përmes aplikacionit të mesazheve Telegram, dhe pagesa u krye duke përdorur kriptomonedhë.
Prokurorët thanë se Nazarenko kishte rekrutuar të tjerët për Tkachuck, kishte siguruar pajisje, kishte sjellë fara marijuane nga jashtë dhe kishte mbikëqyrur operacionet e laboratorit të drogës.
Nazarenko shprehu keqardhje gjatë gjyqit dhe argumentoi se ishte mashtruar nga Tkachuck, që të siguronte pajisjet e nevojshme dhe se nuk kishte idenë se si funksiononte laboratori.
Bali ka qenë prej kohësh popullor me rusët dhe ukrainasit, por që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, ai është bërë një magnet për mijëra njerëz nga të dy vendet që kërkojnë të shpëtojnë nga lufta.
Të dhënat qeveritare tregojnë se numri i turistëve rusë që vizituan idilin e Azisë Juglindore në vitin 2022 ishte 57,860. Shifra u rrit ndjeshëm çdo vit, duke arritur në 180,215 deri në fund të vitit 2024.
Pavarësisht se vendet e tyre të origjinës janë në luftë, rusët dhe ukrainasit kanë bashkëpunuar në bandat kriminale në ishullin më të famshëm të pushimeve në Indonezi, tha Marthinus Hukom, kreu i Agjencisë Kombëtare të Narkotikëve të Indonezisë.
"Ky është një fenomen shumë unik," tha Hukom, "Dy vende që janë në luftë, por këtu në Bali, qytetarët e tyre janë partnerë në krim, duke u përfshirë në trafikun e paligjshëm të drogës."/ Euronews.
© SYRI.net