Themeluesja e Armed Queers SLC, një grup LGBTQ pro-armëve që po hetohet nga FBI-ja për lidhje të mundshme me vrasësin e dyshuar të Charlie Kirk-ut, Tyler Robinson, është identifikuar si një organizatore politike transgjinore radikale me lidhje me politikën komuniste.
Armed Queers SLC zhduku në heshtje praninë e saj online pas vrasjes së Kirk-ut, por një burim nga forcat e rendit i tha The Post se i gjithë informacioni i disponueshëm publikisht mbi grupin u shkarkua dhe iu dorëzua FBI-së.
Paketa e të dhënave përfshin postime të Ermiya Fanaeian-it, bijë emigrantësh iranianë e cila në biografinë e saj në Instagram bën thirrje për "Revolucion + Çlirim transësh gjatë jetës sonë!".
Ajo gjithashtu ka mbështetur përdorimin e dhunës për të arritur qëllimet e grupeve LGBTQ, duke përmendur Revoltat e Stonewall-it si shembull në një intervistë televizive në kampusin e Universitetit të Utahut.
"Ndonjëherë dhuna, protestat dhe rebelimet e zhurmshme duhet të ndodhin për ndryshime të prekshme," tha ajo.

Autoritetet federale ende po vendosin nëse do të ngrenë akuza ndaj Robinsonit dhe po përpiqen të përcaktojnë nëse dikush tjetër ishte i përfshirë në vrasjen e Kirk-ut.
Megjithatë, Fanaeian dhe Armed Queers SLC janë në radarin e hetuesve pasi FBI-ja ka zgjeruar hetimin për të përfshirë një "rrjet të zgjeruar" të mundshëm që mund të ketë ndihmuar Robinsonin në sulmin me snajper me 10 shtator në Universitetin e Luginës së Utahut (UVU).
Pavarësisht pikëpamjeve të saj radikale të majta, Fanaeian herë pas here është mirëpritur nga politikanët dhe madje është shpërblyer për aktivizmin e saj.

Në vitin 2022, Fanaeian mori një çmim "7 for 17" për "barazi gjinore" nga Utah Global Diplomacy, një organizatë jofitimprurëse që bashkëpunonte me Departamentin e Shtetit për të "promovuar diplomacinë qytetare dhe shkëmbimin ndërkombëtar në Utah."
Fanaeian gjithashtu iu bashkua në skenë kandidates presidenciale së atëhershme, senatores Elizabeth Warren (D-Mass.), gjatë një tubimi në prill 2019 në Salt Lake City, siç tregon një foto e arkivuar nga faqja e saj e fshirë në Facebook.
Një zëdhënës i Warren nuk iu përgjigj një kërkese për koment të mërkurën.

Në vitin 2020, Fanaeian, atëherë 25 vjeçe, themeloi degën e Salt Lake City të Pink Pistols, një organizatë kombëtare "misioni i së cilës është të armatosë personat LGBTQ", shkroi atë vit radioja KUER e Utah në një artikull lavdërues që promovonte angazhimin e Fanaeian në grup.
"Dikur mendoja se armët ishin diçka e frikshme," tha Fanaeian për mediat. "Në atë kohë do të isha pajtuar me deklaratën e Joe Biden-it për t'ua marrë të gjithëve pushkët AR-15. Ndërsa tani unë kam një të tillë."
Ishte një kthesë e fortë, vetëm një vit më herët, ajo kishte themeluar degën lokale të March for Our Lives, grupi i David Hogg-ut, që bën fushatë për kufizimin e të drejtave për armë.

Megjithatë, periudha e saj me Pink Pistols nuk zgjati shumë; Fanaeian, atëherë studente në Universitetin e Utahut, dhe grupi u ndanë vetëm një vit më vonë. Sot, Pink Pistols mohon çdo lidhje me ish-drejtoreshën e degës.
"Edhe pse fillimisht u mirëprit, ajo filloi të përdorte emrin Pink Pistols për të promovuar çështje më të gjera politike, duke shkelur rregullin tonë se jemi një organizatë me një qëllim të vetëm, të përkushtuar vetëm për përdorimin e sigurt, ligjor dhe të përgjegjshëm të armëve nga komuniteti queer," shkroi Pink Pistols në një deklaratë këtë javë.
Fanaeian themeloi Armed Queers SLC, e cila organizoi një leksion mbi "rezistencën queer" në Universitetin e Utahut në shtator 2023, rreth 72 km larg nga UVU, ku themeluesi 31-vjeçar i Turning Point USA u vra.
Fletëpalosjet që promovonin ngjarjen, të organizuar në bashkëpunim me një organizatë studentore të vetëpërshkruar si "e majtë", Mecha de U of U, paraqisnin një grua të re të veshur me dy breza fishekësh dhe duke mbajtur një AK-47 me gishtin mbi këmbëz.
Fanaeian gjithashtu ndihmoi në nisjen e një grupi studimor studentor për Partinë për Socializëm dhe Çlirim (PSL), me një program që përfshin emra si Karl Marx dhe Vladimir Lenin.
Inspirimi i Fanaeian-it për të formuar grupin erdhi nga "revolucionarë komunistë dhe socialistë historikë të mesit të viteve 1900", përfshirë Fidel Castron dhe Partinë e Panterës së Zezë, sipas gazetës studentore të universitetit, Daily Utah Chronicle.
"Partia për Socializëm dhe Çlirim nuk është një lëvizje liberale, ne jemi një lëvizje e majtë," i tha ajo medias. "Ne jemi një lëvizje antikapitaliste. Ne jemi një lëvizje revolucionare e klasës punëtore."
Mbështetësi kryesor i PSL është Neville Singham, një milioner amerikan i teknologjisë me lidhje të gjera me Partinë Komuniste të Kinës (PKK), i cili financon organizata të tjera radikale duke përfshirë National Students for Justice in Palestine, International People's Assembly, Code Pink dhe ANSWER Coalition.
Çmimi që Fanaeian mori nga Utah Global Diplomacy "njofton të rinjtë e Utahut që punojnë për të arritur 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, duke mishëruar vlerat kryesore të diplomacisë globale të Utahut për respekt, përgjegjësi shoqërore dhe dialog të hapur," sipas një arkive të faqes së organizatës.

Themeluesja e Armed Queers SLC përshkruhet si, "një organizatore politike për çlirimin e transëve dhe feministe, puna e së cilës ka përfshirë organizimin rreth çështjes së abortit, bashkëpunimin me ACLU për të siguruar të drejtat e të rinjve trans në sistemin arsimor, përpjekjet për kriminalizimin e terapisë së konvertimit në Utah, punën në fushata elektorale dhe krijimin e studimeve mbi kushtet e njerëzve të shtypur nga aspekti gjinor nga institucionet shtetërore."
Një zëdhënëse e Utah Global Diplomacy, e cila ka bllokuar faqen e saj dhe ka hequr çdo referencë publike për dhënien e çmimit Fanaeian-it, nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga The Post.
Sipas një analize zyrtare të të ardhurave të Utah Global Diplomacy, e shpërndarë nga hulumtuesi i njohur online DataRepublican, 445 mijë dollarë nga të ardhurat e saj prej 727,800 dollarësh vijnë nga grante qeveritare.

Nuk ishte e qartë nëse çmimi i dhënë Fanaeian-it përfshinte një shpërblim financiar.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit konfirmoi për The Post të mërkurën se lidhjet me organizatën, të cilat ishin të tërthorta përmes "një implementuesi të jashtëm", po "shkëputen plotësisht."

"Ne po ndërmarrim veprime të forta për t'u siguruar që çdo implementues që ka ndonjë lidhje çfarëdo me këtë organizatë radikale t'i ndërpritet plotësisht çdo angazhim me Departamentin e Shtetit," tha zyrtari. / New York Post - Syri.net

© SYRI.net