Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka kritikuar ashpër kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu pas sulmit të fundit ndaj ekipit negociator të Hamasit në Katar.
“Ideologjikisht, Netanyahu është si një i afërm i Hitlerit“, tha Erdogan.
Ai shtoi se, ashtu si Hitler nuk mundi të parashikonte humbjen që e priste, edhe Netanyahu do të përballet me të njëjtin fat përfundimtar.
Erdogan e përshkroi sulmin mbi negociatorët e Hamasit si “një sfidë të hapur ndaj rendit dhe ligjit ndërkombëtar”, duke shtuar se udhëheqja izraelite ka kthyer “mentalitetin radikal në një rrjet vrasësish të bazuar mbi ideologjinë fashiste.”
Deklarata e OKB-së për dy shtete
Erdogan vuri në dukje rëndësinë e Deklaratës së New York-ut mbi zgjidhjen me dy shtete, të miratuar nga 142 vende, duke e konsideruar si një “ndryshim të madh në peizazhin diplomatik mbi çështjen palestineze”.
Ai theksoi se kjo reflekton mbështetjen e gjatë të Turqisë për zgjidhjen me dy shtete dhe tani pasqyron vullnetin e shumicës globale.
Duke folur për vendet perëndimore që njoftuan njohjen e Palestinës, presidenti tha se kjo do të rrisë presionin mbi Izraelin dhe premtoi të ngrejë çështjen përsëri në OKB.
Turqia nuk mund të braktisë Sirinë
Presidenti turk gjithashtu theksoi rëndësinë e integrimit të SDF-së me qeverinë e Damaskut për ruajtjen e integritetit territorial të Sirisë. Ai shtoi se Siria po përballet me një proces kompleks, ku diplomacia ndërkombëtare dhe dinamika lokale janë të lidhura ngushtë, dhe se Turqia “nuk mund ta braktisë Sirinë”.
Po Libia?
Erdogan foli edhe për përpjekjet diplomatike të Turqisë në Libi, duke theksuar mbrojtjen e sovranitetit dhe unitetit të vendit.
“Jemi të përkushtuar për të mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin politik të Libisë, dhe të gjitha veprimet tona janë të udhëhequra nga këto objektiva,” tha ai.
© SYRI.net