Danimarka ka bërë një porosi rekord për sisteme europiane të mbrojtjes ajrore në vend të alternativave amerikane, pasi marrëdhëniet e vendit skandinav me administratën Trump kanë hyrë në tension për shkak të Grenlandës.
Qeveria daneze të enjten zgjodhi sistemin franko-italian SAMP-T, një armë tokë-ajër me rreze të gjatë veprimi, në vend të alternativës amerikane Patriot, më i shituri në treg, dhe tha se do të zgjedhë një opsion norvegjez, gjerman ose francez për mbrojtje me rreze të mesme, për një total prej 58 miliardë koronash daneze (9,1 miliardë dollarë), investimi më i madh i vetëm në fushën e mbrojtjes.
"Ky nuk është refuzim i Patriotëve. Është një përzgjedhje e asaj që është më e mira," tha Per Pugholm Olsen, kreu i zyrës së prokurimeve të ministrisë së mbrojtjes së Danimarkës. Ai përmendi çmimin më të lartë dhe kohën më të gjatë të dorëzimit si arsye për moszgjedhjen e opsionit amerikan.
Mbrojtja ajrore e Europës është rikthyer në qendër të vëmendjes pasi rreth 19 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake të mërkurën, duke detyruar NATO-n të ngrejë avionë luftarakë që rrëzuan disa prej tyre, ndërveprimi i parë i drejtpërdrejtë me mjete ruse që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Moska në vitin 2022.
Por disa ekspertë kanë vënë në dyshim përdorimin e avionëve dhe sistemeve të shtrenjta të mbrojtjes ajrore kundër dronëve të lirë mashtrues dhe kanë rekomanduar zhvillimin e shpejtë të alternativave më të lira.
Marrëdhëniet danezo-amerikane janë vënë nën presion të madh që prej kohës kur presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur disa herë se dëshironte të merrte kontrollin mbi Grenlandën, ishullin e madh arktik që është pjesë e mbretërisë së Danimarkës dhe ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës.
Zv/presidenti JD Vance, djali i presidentit Donald Trump Jr, dhe influencuesi së fundmi i vrarë Charlie Kirk kanë vizituar të gjithë Grenlandën këtë vit për të shprehur interesin amerikan dhe për të kritikuar kujdesin e Kopenhagës ndaj ishullit gjeopolitikisht jetik, i cili ka vetëm 57 mijë banorë.
Qeveria qendrore e Danimarkës ka theksuar në mënyrë të përsëritur se Grenlanda nuk është në shitje, por ka thënë se dëshiron të forcojë lidhjet me SHBA-në për çështjet e sigurisë në Arktik dhe fusha të tjera.
Ministri i mbrojtjes së Danimarkës, Troels Lund Poulsen, këmbënguli se nuk ishte i shqetësuar që vendimi për mbrojtjen ajrore do të shkaktonte tensione të tjera me Uashingtonin. "E kam thënë shpesh që ne duam një lidhje më të fortë me SHBA-në, kështu që jo, nuk jam i shqetësuar," tha ai për televizionin danez TV2, duke theksuar se kishte "një kohë pritjeje shumë të gjatë për Patriotët".
Ushtria daneze është nxitur nga kryeministrja Mette Frederiksen që të "shpenzojë, shpenzojë, shpenzojë" pasi vendi kërkon të rrisë në mënyrë dramatike shpenzimet ushtarake si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës.
Danimarka ka porositur 27 avionë luftarakë F-35 nga SHBA-ja dhe ka marrë tashmë 17 prej tyre, ndërsa pjesa tjetër pritet të vijë "në vitet e ardhshme", sipas ministrisë së mbrojtjes.
Ministria daneze e mbrojtjes tha të enjten se do të blejë një ose më shumë nga tre sistemet europiane të mbrojtjes ajrore me rreze të mesme: NASAMS norvegjez, IRIS-T gjerman dhe VL MICA francez.
Vendimi i Danimarkës për të blerë katër sisteme SAMP-T NG është një lajm i mirë për Francën dhe Italinë, pasi shënon shitjen e parë të kësaj arme për një ushtri jashtë vendeve të tyre. Versioni i mëparshëm i SAMP-T kishte dështuar në disa procese ofertimi gjatë dekadës së kaluar, ndërsa vende si Zvicra dhe Suedia kishin zgjedhur Patriotët amerikanë.
Këtë herë, Parisi dhe Roma kanë bërë një fushatë aktive për të promovuar SAMP-T NG të ri tek fqinjët europianë, duke argumentuar se blerja e sistemeve europiane është thelbësore për të reduktuar varësinë nga SHBA. Ata ia kishin ofruar gjithashtu Belgjikës, por ajo ka thënë se me gjasë do të blejë Patriotë. SAMP-T NG prodhohet nga kompania europiane e raketave MBDA, e cila është në pronësi të përbashkët të Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë, ndërsa radarët prodhohen nga kompania franceze Thales.
Sipas burimeve të industrisë, vende të tjera si Greqia, Arabia Saudite dhe Brazili mund të marrin gjithashtu në konsideratë modelin franko-italian kur sistemet e tyre ekzistuese Patriot të kenë nevojë për përditësim, megjithëse kjo do të ndodhë pas disa vitesh. / Financial Times - Syri.net
© SYRI.net