‘Kush ndez zjarrin e urrejtjes politike?’/ Fratelli d’Italia publikon dosjen për dhunën ndaj së djathtës

‘Kush ndez zjarrin e urrejtjes politike?’/ Fratelli d’Italia publikon dosjen për dhunën ndaj së djathtës

15:44, 15/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi

Debat i fortë politik, parlamentar e mediatik në Itali.

Pas vdekjes së aktivistit konservator amerikan Charlie Kirk, tensionet politike janë rritur edhe në Itali, ku partia Fratelli d’Italia ka përgatitur një dossier të veçantë për të dokumentuar situatën shqetësuese. Dokumenti me titullin "Kush ndez zjarrin e urrejtjes politike" përmbledh 28 episode të dhunës politike kundër partisë së kryeministres Giorgia Meloni gjatë 36 muajve të fundit.

Dossieri është hartuar nga zyra studimore e partisë dhe i është dërguar parlamentarëve si një udhëzues për të argumentuar dhe përballuar rritjen e tensioneve dhe sulmeve ndaj së djathtës në vend. Mes këtyre episodeve përmendet edhe ngjarja e vitit 2022 në Milano, ku u shfaqën pankarta me Melonin me kokë poshtë si akt provokues dhe përçmues.

Sipas të dhënave të gazetës "Il Tempo", vetëm gjatë periudhës shtator 2024 – shtator 2025 janë regjistruar 61 akte dhune ose intimidimi ndaj forcave politike në Itali. Fratelli d’Italia është partia më e sulmuar me 27 raste, e ndjekur nga Partia Demokratike me 15, Lega me 8, Forza Italia me 5 dhe Lëvizja 5 Yjet me 2 raste. Kjo situatë ka ngritur shqetësime edhe në Ministrinë e Brendshme, e cila ka vendosur të monitorojë nga afër situatën për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.

Dossieri është produkt i një qendre studimore brenda partisë, e themeluar rreth një dekadë më parë nga Giovanbattista Fazzolari, një nga figurat kyçe të partisë dhe bashkëpunëtori më i afërt i kryeministres Meloni. Qendra, e njohur për aftësinë e përvetësimit dhe përpunimit të shpejtë të informacioneve, ka si qëllim kryesor përgatitjen e materialeve për parlamentarët e partisë dhe për forcimin e komunikimit politik.

Dossieri paralajmëron se nëse ky trend i dhunës dhe përçarjes politike vazhdon, Italia mund të përballet me situata të ngjashme me periudha të errëta të historisë së saj, siç ishin “Vitet e Plumbit” – një periudhë e dhunshme terrorizmi dhe destabilizimi.

Në dokument është bërë një apel i qartë ndaj të gjitha forcave politike që të dënojnë çdo formë dhune, të refuzojnë polarizimet ekstreme dhe të punojnë për një dialog të ndershëm dhe të hapur. Vetëm kështu mund të ruhet stabiliteti dhe demokracia në vend.

“Dosja e Fratelli d’Italia është një pasqyrë reale dhe e dhimbshme e situatës së dhunës dhe urrejtjes që po përjetojmë në skenën politike. Nuk mund të injorojmë valën e sulmeve ndaj nesh dhe duhet të jemi të bashkuar për ta ndalur këtë” është shprehur Kryeminstrja Giorgia Meloni pas një debati publik, parlamentare e mediatik që nisi pas publikimit të këtij informacioni.

Kritikët e dosjes, e komentojnë atë si një tentativë për të kriminalizuar opozitën dhe për të justifikuar një narrativë të vetme, që e paraqet Fratelli d’Italia si viktimë të një fushate të koordinuar urrejtjeje. Disa analistë dhe figura të partive opozitare akuzuan qendrën studimore për përdorim politik të dosjes, duke nxitur tensione të panevojshme dhe duke krijuar një klimë konfrontimi, në vend që të përpiqej për uljen e tensioneve. Madje, disa media e përshkruan dokumentin si një përpjekje për të influencuar opinionin publik duke krijuar një narrativë që favorizon ekskluzivisht qeverinë dhe partinë në pushtet.

“Dosja e Fratelli d’Italia për dhunën dhe urrejtjen politike duhet të shërbejë si një paralajmërim për të gjithë, jo si një mjet për të ndarë më shumë shoqërinë. Nuk mund të përdorim dhunën si justifikim për ndasi politike” është përgjigja e dhënë nga liderja e opozitës italiane, Sekretarja e Partisë Demokratike Elly Schlein.

“Unë besoj se ky dosier duhet të jetë një thirrje për reflektim për të gjithë partitë politike, që të mos nxisin urrejtje dhe përçarje, por të krijojnë një ambient politik ku të gjitha palët mund të dialogojnë.“Sulmet ndaj nesh nuk janë thjesht fushata politike, por shpesh shkojnë përtej, në dhunë fizike dhe simbolike. Ky dosjer i dokumenton këto ngjarje dhe kërkon një reagim të qartë nga institucionet dhe shoqëria” përgjigjet Giorgia Meloni.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco