Nga Jacob Heilbrunn, SPECTATOR
Charlie Kirk u qëllua dje në skenë, ndërsa po fliste në një aktivitet universitar në ‘Utah Valley University’. Bashkëthemeluesi i ‘Turning Point USA’ u shpall i vdekur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara. “I Madhi, dhe madje Legjendari, Charlie Kirk, ka vdekur. Askush nuk e kuptoi apo askush nuk e fitoi zemrën e rinisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më shumë se Charlie,” shkroi Trump në Truth Social. “Ai ishte i dashur dhe i admiruar nga TË GJITHË, sidomos unë, dhe tani nuk është më me ne. Ngushëllimet e mia dhe të Melania shkojnë për gruan e tij të bukur, Erika, dhe familjen. Charlie, të duam!”
Ndërsa Presidenti dhe miliona të tjerë luteshin për familjen Kirk, disa nuk hezituan të shpërndajnë mendime të tmerrshme. Kirk, 31 vjeç, po fliste në ‘Utah Valley University’, afër Provo-s, një qytet i qetë në shpatet e maleve madhështore të Utah, kur një person i armatosur e vrau. Megjithatë, një analist i hershëm i MSNBC-së sugjeroi se personi që e qëlloi në qafë (autor, i cili, në momentin e shkrimit, është ende në arrati) mund të ketë qenë një “mbështetës që e shkrepi armën nga gëzimi.” Çfarë absurditeti!
Ky është një trend në rritje, pas dhunës së pakuptimtë: ta zbusësh atë. Apo edhe ta justifikosh. Një mori komentuesish nga e majta nuk ngurrojnë të shprehin ‘schadenfreude’ (gëzim për fatkeqësinë) për këtë akt të pastër dhune, ashtu siç bënë kur Luigi Mangione qëlloi për vdekje CEO-n e kujdesit shëndetësor, Brian Thompson.
Sipas tyre, Kirk ishte një aktivist konservator, dhe krimi do të thoshte se ai e meritonte ndëshkimin për shkeljet e tij të ndryshme, përfshirë mbështetjen për të drejtën e armëve. Komentet e tyre të liga nuk meritojnë përsëritje. Nëse patjetër doni t’i lexoni, mund t’i gjeni lehtësisht në BlueSky, thjesht duke kërkuar “top posts”.
Ata që po gëzohen ethshëm për të shtënat duhet të mendohen përsëri. Ky ishte një akt pa shpirt, që i mori jetën një babai të ri. Të gjesh qoftë edhe një rreze të vogël gëzimi në këtë, do të thotë t’i gërryesh shpirtin vetes. Nëse kjo ndodh me shumë prej nesh, edhe shpirti i kombit kalbet.
Duhet gjithashtu të ndalemi përpara se ta kthejmë këtë tragjedi në një pikë debati politik. Shfrytëzimi i të shtënave si pretekst për një shtypje të gjerë të lirive civile, ose për t’i futur të gjithë në një thes si “këta të majtë të çmendur”, siç tha Laura Loomer, është e sigurt që do ta dëmtojë më tej një komb tashmë të plagosur. Spiralja e urrejtjes dhe mohimi i tjetrit si njeri duhet të marrë fund. Askush nuk do të dojë të zbulojë se çfarë ndodh nëse zbresim edhe më thellë në këtë moçal.
Herën e fundit kur Amerika përjetoi një valë atentatesh politike ishte në vitet 1960, kur pas vrasjes së Presidentit Kennedy, pasuan ato të Martin Luther King Jr. dhe Robert F. Kennedy. Këto ishin mizori që supozohej të mbeteshin në histori. Por diçka po shkon tmerrësisht keq përsëri, dhe kjo shihet qartë në këtë vrasje veçanërisht ogurzezë të Kirk-ut. Nuk është vetëm njeriu, por edhe ideja, ajo që këta vrasës po përpiqen të zhdukin. Kampuset amerikane nuk kanë qenë të paprekura nga dhuna. Por ky ishte, me shumë gjasë, një akt dhune politike, një akt që mund të përhapet lehtësisht tek institutet e mendimit, gazetarët dhe akademikët: te kushdo që flet hapur. Debati supozohet të jetë thelbi i përvojës universitare dhe i përvojës amerikane. Sot, ai u ndërpre nga një plumb.
Dhe rastisi që Kirk vetë të ishte në momentin më të pambrojtur. Ai mbante një bluzë të bardhë ndërsa po fliste para disa qindra studentëve. Tani misioni i tij ka marrë fund papritur. Kirk dëshironte të ringjallte Amerikën, por tani është edhe më e pasigurt nëse vendi mund të shmangë zhytjen në një valë të re dhune.
© SYRI.net